Nga “Gjërat e vogla”, Petrit Ruka i madh! / Nga: Safet Hyseni

Nga “Gjërat e vogla”, Petrit Ruka i madh!
 
 
Nga: Safet Hyseni
 
Të shkruash për një poet, shkrimtar, artist… për pa e njohur.., pa biseduar njëherë, për pa pirë asnjëherë kafe, përveç kohës duhet të gjesh një arsye të fort. Mendoj se kjo sot, përshtypja apo vështrimi për njëri tjetrin duhet të ndodh, të ndodh për të vetmen arsye, ngadhënjimit të vlerave. Të ndodh nga arsyeja se kemi komunikim virtual, të ndodh pasi që jeta është mjaft dinamike dhe nuk të mbetet kohë që të realizohet një dëshirë, të takosh autorin për të komunikuar në katër sy, që t’i rrëfesh përshtypjet. Për arsye të ndryshme nëse nuk të jepet mundësia ta takosh autorin e një vepre, ndërsa ai, me vargjet që ka shkruar të ka bërë kureshtar pas një leximi ke filluar të dytin, të tretin.., të ka frymëzuar, të ka fal disa minuta kënaqësi, por dhe të ka detyruar të mendosh me orë të tëra, ke thithë nektarin e asaj dhurate që vije nga mendjet e ndritura të poetëve, është mirë që të hedhësh dy tre fjalë në letër, fjalë të bazuara nga poezia, tregimi apo romani. Nëse për një moment të ka rrëmbyer për idenë, motivin apo për tekstin artistik, të ka entuziazmuar, apo në mënyrën më të thjesht të ka frymëzuar për të shkruar disa vargje, është një obligim moral, dhe nuk do e kisha marr si humbje kohe, por gjetje e një momenti për të hedhë një mendim në letër, ashtu si gjuajtja e një shigjete që e bëjnë shumica e poetëve, edhepse shigjeta ndoshta nuk e ka goditur gjahun aty ku duhet, por të paktën ke marr guximin. Unë dua të them disa fjalë vetëm për një poezi të poetit Petrit Ruka, por kam lexuar më shumë se një, dhe do sjellë pa pardon dhe duke mos iu përmbajt teorive të ndryshme në zbërthimin e vargut. Letërsia apo fjala e bukur është vetë lozonjare kur nuk ka korniza, është e magjishme kur ka liri të plotë, ashtu dhe përshtypjet (vështrimet) janë të tilla kur nuk i përmbahesh asnjë rregulle por lejon që mendimi të udhëtojë hapësirave pa limite, atje ku të bart vargu. Në botën e letrave shqipe poeti, shkrimtari, artisti… më së paku vlerësohen në vendin e vet, aty ku kanë lindur dhe pastaj më shumë në rrethin, ndërsa shumë më shumë jashtë rrethit të vetë prej nga vijnë, edhe pse kontributin më të madh krijuesit e japin për vendin e lindjes.
 
 
Petrit Ruka
 
Kjo që thash dua të më shërbej si një arsyetim që unë shpesh kamë zgjedh që të shkruaj për personalitete të letrave shqipe që nuk i njoh, por më është dhënë mundësia që të komunikoj me krijimet e tyre letrare. Mendoj se një shkrim i tillë është më shumë se real, më pak i njëanshëm, dhe në të njëjtën kohë një pikë vlerësimi me sinqeritetin më të madh. Duke lexuar poezinë “Gjërat e mia të vogla…” nga poeti Petrit Ruka fiton bindjen se ke të bësh me një autor të formuar mirë, me një poet të mirëfilltë që nuk ecë vetëm mbi tokë por edhe në qiell, madje edhe mbi re për të hedh mendimet e tija. Vetë titulli “Gjërat e mia të vogla…” tregon për modestin e poetit, se këto gjëra në realitet janë të mëdhaja, është jeta, pasi që kanë mbet në kujtesën e tij për një kohë të gjatë. Tek strofa e parë poeti ka hapur kraharorin, derdh në varg fisnikërinë dhe mallin, fisnikëria e trashëguar prodhon mallë. Malli që ka për vendlindjen dhe nënën.. ai me shumë mjeshtëri luan me vargun duke i dhënë shpirt, mall dhe shumë dashuri jetës që ka rrjedh. Jeta është si rrjedha e Vjosës, me plotë kënaqësi, e pëlleshme, përherë në lëvizje, por si rrjedha e saj nuk kthehet pas, por len kujtimet, kujtimet këto; “Gjëra të vogla…”. Edhe pse thotë: “kur rrobat e reja të vdekjes vinin era ftua” , ai shumë realisht tregon se diku jeta e ka me patjetër të takohet me vdekjen, dhe këte nuk na e sjell si kob por si dicka të zakonshme se do takohet me më të dashurën nënën. Jeta është madhësia e gjurmëve që kemi lënë, andaj dhe ai është i vetëdijshëm se gjumit e sfidojnë vdekjen, andaj poetet si Petriti nuk vdesin. “Them t’i mbledh përrenjtë e vegjël në një shishe” është vargu që në fillim vjen si metaforë, askush nuk i ka mbledh përrenjtë dhe e din se edhe Petriti s’do i mbledh, janë këto mendimet që dëshiron t’i lej diku në një fletë të bardh, por nuk do arrij as ai dhe askush se ata rrjedhin pa ndërpre, prrenjët e Petritit janë mendimet që haprojnë hapësirave të pavund. Modestin e tregon edhe për arat, ara është toka që prodhon dhe bije pyetja a do mundet t’i bëjë libra xhepi të gjitha, që të vazhdojnë të prodhojnë në çdo kohë, të paktën këto vargje trokasin në ndërgjegjen intelektuale, prodhuese se ate që është e vlefshme, e dobishme, atë që pjellë, gjallëron, t’ua lem brezave si një dhuratë?! Ndërsa Petriti brenda një strofe të fal shumë kënaqësi, ai të bart nga ara, përrenjtë, te dashuria e parë, te malli e dashuria për nënën e babanë, të gjitha këto i bënë me një mjeshtëri të rrallë me varg të ndërtuar bukur dhe magjishëm. Dashurinë e parë me një drithërim poeti e ka incizuar në “gjethen e një plepi”, mbase gjedhja na maj të plepit mban këngën e bilbilit por është edhe me jetë gjatë, gjedhja në maj të plepit përballon stuhi, por ka dhe shumë frymë. Ndërsa “varrin e babait si një kuti shkrepëse”, kujtimi për babain ia mban dashurin të zjarrtë, fjala e babait është si zjarri, të rrit me peshën e besës, ndërsa mjeshtëria e Petritit është kur thotë se: “do t’i qep pas zemrës përkëdheljet e Nënës mbase hënën do përdor si makinë qepëse.”, se kujtimin për nënën do e thotë, do e shkruaj patjetër se edhe koha po ti mungoj do përdorë hënën, s’ka si bënë hënën makinë qepëse por do e gjejë kohën edhe në dritë të hënës për të shaluar lapsin. Në strofën e tretë poeti na dhuron një pikturë të natyrës domosdo të përjetuar me Vjosën dhe këngën e zogjve, por duhet pasur kujdes se Vjosa nuk fle (nuk bije në gjumë, as mendimet e Petritit nuk bëjnë gjumë) ndoshta do pushojë në det, dhe këtu poeti nuk donë pushim që më në fund na jep atë mesazhin më të fortë, është obligimi jetësor që na detyron. Tek vargjet në vazhdim poeti i kthehet rinisë, shokëve të rinisë së hershme kujtime këto të paharruara, si cicërrima e zogjëve. Çdo gjë që kujtohet nuk është e vogël për shumë arsye, por qëllimi i Petritit është që të gjitha këto kujtime të vazhdojnë të jetojnë edhe pas poetit ashtu siç jetojnë poetët që i kanë bërë vend vetes nëpër biblioteka, dhe në letërsin e një kombi apo të njerëzimit. Poezia “Gjërat e mia të vogla…” është një jetë e tërë e shkruar me pak vargje, ku është derdhur shumë dashuri për vendin, prindërit, shokët, natyrën, miqtë… që këto të mos mbeten pa u shënuar poeti ka mesazhin “punën e sotme mos e le për nesër” se e nesërmja ndoshta s’të gjënë. “Si Nëna, njësoj si Nëna, që i kish gati të tëra”, poeti me këto vargje na bart tek kujdesi, gatishmëria që ka treguar nëna për jetën dhe si e ka prit ajo të papriturën, se vetëm ndalesës së frymës (vdekjes) nuk i dihet. Autori i këtyre vargjeve duke pas parasysh se jeta ka të papriturat e saj donë që të jetë i përpiktë si “nëna” me gjerat e vogla. Poetët e mëdhenj komunikojnë edhe me yjet, qiellin, mbar hapësirën andaj edhe Petriti duke ditë se shumë nga ato gjërat e vogla do mesin pa u shënuar, pa u shkruar së fundi do na thotë: “Dy re që t’i kem si fletore shkollari
për ndonjë këngë të pa thënë,
a brengë që as varri se tret,” kutu ai është skllav i muzave dhe tregon se do na flas edhe kur të mos jetë fizikisht, por atëherë do jetë në qiell dhe do komunikoj me letrën e holl të mjegullës.
Duke marr parasysh se vepra është pasqyra më reale e autorit e them me shumë përgjegjësi se Petrit Ruka është një artist i madh i fjalës së bukur, i vargut të magjishëm, i poezisë që ka varr, i poezisë që përherë mbetet në kujtesë, poezia e tij është e ulur këmbëkryq në majat e letërsisë shqiptare.
 
 
 
GJËRAT E MIA TË VOGLA…
 
Erdhi koha t’i mbledh gjërat e mia të vogla,
siç bënte nëna me bohçen e saj në sepete
ku rrobat e reja të vdekjes vinin era ftua.
do nisem ndonjë ditë t’i mbledh në vendlindje
harruar atje, pikur për mua,
janë sa një grusht- ca të pakta thërrime….
Them t’i mbledh përrenjtë e vegjël në një shishe,
t’i fus arat e vogla në një shamizë xhepi,
këngët e harruara për drithërimën e parë të një fqinje
inçizuar në gjethen e një plepi.
do ta fus në xhep varrin e babait si një kuti shkrepse,
do t’i qep pas zemrës përkëdheljet e Nënës
mbase hënën do përdor si makinë qepëse.
Do t’i marr zogjtë e do t’i vë në fole të veshëve,
dhe erërat në mushkri e në fymën e fundit,
do t’i kopjoj në të bardhën e syve të lodhur,
portën, plakat, gjerdhet dhe bel- kthesat e Vjosës
që meket pas zallit si një grua
në dhomën e saj të gjumit…
Do shkoj të marr shokët, të gjallë e të vdekur,
gjimnazin ku u mësova De Radën nxënësve të mi,
do t’i vë tek koka e krevatit si librat e fundit
nuk kam ç’lexoj gjë tjetër në këtë shtëpi…
me strehë të vogla sa krahu i pëllumbit…
Si Nëna, njësoj si Nëna, që i kish gati të tëra
me rroba të zeza, shami të zezë, palosur më dysh,
më vini dy re të vogla Goliku në xhep
ose si monedhat për taksën e Hadit
m’i vini më mirë sipër sysh….
Dy re që t’i kem si fletore shkollari
për ndonjë këngë të pa thënë,
a brengë që as varri se tret,
po nisem t’i mbledh gjërat e mia të vogla
është e vetmja punë e bukur që më prêt…
Petrit Ruka

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s