LOJË PERËNDISH / Tregim nga Natasha Xhelili

LOJË PERËNDISH

 

Tregim nga Natasha Xhelili

Shumë kohë më vonë pa se sytë e saj i kishin katërfishuar shigjetat dhe se barku po i rritej me kalimin e kohës. Ajo bardhësi e fytyrës  dhe ai shkëlqim në sytë e saj ishin të pakrahasueshme me asgjë tjetër. Nuk kishte dyshim,tani ishte i sigurt, ajo do të lindte frytin e asaj dashurie që mbeti për një kohë të gjatë në mendjen e tij. Gjithçka u valëvit si një flamur fitoreje, me gëzim, përkushtim,optimizëm, arrogancë kryeneçe ashtu si  nuk e njihte kush atë , të parin e të parëve në forcë e guxim, në dije e mjeshtëri, në sundim e dinakëri. As vetë nuk po e besonte,nga një aventurë e çastit do të shtohej një pinjoll i ri i familjes së tij të pavdekshme…

Ky kundrim i stërzgjatur nga larg mbi shtatin dhe krejt qenësinë e saj shkaktoi një grindje mes tij e së shoqes (i kishte dhe ajo shqisat të zhvilluara si ai). Për  këtë kundrim mbi krijesën e padukshme në barkun e asaj ai duhet të sajonte pafund justifikime që nuk e shpëtuan dot nga kthetrat ku binte pre ashtu si padashur, por  që ishin të pazëvendësueshme për shijet e tij.  Me  vështrimin e egër mbi rivalen, duke luajtur indiferenten e joshi të shoqin me fjalë të ëmbla që vetëm ajo dinte t`i thoshte. Nën  vështrimin zhbirues që e shoqëroi për disa kohë ai nuk mundi të ishte pranë Asaj në momentin e lindjes së fëmijës së tyre.

Fëmija hodhi shtat shpejt dhe i ngjante së ëmës gjë që nuk krijoi dyshime te i shoqi (në fakt as ajo vetë nuk e dinte këtë). Po lartohej më shumë venave të shpirtit të tij që e shtynin me dëshirë të fortë e të pashmangshme drejt asaj krijese që ishte zhvilluar  duke e tërhequr gjithnjë e më shumë pranë vetes. Kjo  tërheqje e brishtë që e  afronte me krijesën me gjakun e tij dhe drejt asaj bukurie që ishte mekur  vetëm pak po bëhej gjithnjë e më e fortë për të. E mbante në orë të tëra meditimi atje në një qoshe të ndërtesës imagjinare që quhej shtëpia e tij dhe që ishte e lakmuar nga të gjithë, duke e futur në kurthe ndjenjash të paprovuara më parë, po lozonjare e të këndshme që e sundonin si asgjë tjetër.

… po unë duhet ta gjej atë …! Ajo  ishte e vdekshme! Tani mund të ketë vetëm kockat në ndonjë varr njerëzor bashkë me mbishkrimin. Unë duhet ta gjej… kishin kaluar shumë kohë që atëherë dhe ai nuk e kishte kërkuar më. Nuk dinte ç’ kishte ndodhur me atë bukuri , pre i së cilës kishte rënë pa dashje,nuk e kishte shoqëruar më, nuk i ishte gjendur pranë sikur një dorë e fuqishme të kishte fshirë me guxim gjithçka të saj te Ai, nuk e përcaktonte dot kohën e mungesës, nuk e përfshinte dot në kohën e jetës së tij. Koha e mungesës… u mendua gjatë për këtë. A kishte mungesa kohë? Ndonjëherë na duket sikur kanë kaluar shekuj nga mosprania e dikujt, kur në fakt me orën tonë të bekuar gjashtëdhjetëminutshe  mund të kenë kaluar vetëm minuta,më e shumta orë. Mungesa ka kohën e vet të pakrahasueshme me asgjë tjetër. Ai  do ta gjente dhe do ta rikrijonte ashtu si e kishte parë atë natë nën dritën e hënës, të bukur, të qetë, tërheqëse, të admirueshme. Do ta merrte me vete si një relikte të çmuar, do ta bënte një copëz të përjetësisë së tij,do të zgjonte te ajo një dashuri përrallore. Këtë herë do t`i shfaqte fytyrën e tij të vërtetë, pa ndrojtje, pa frikë, me përkushtimin që e karakterizonte.

Do ta gjej patjetër!-bërtiti. Kështu  vendosi të zbriste në tokë në formën e shiut të ëmbël. Ai që do të prekej nga ai shi do të kishte lumturi në jetë,po kur të zbriste ,shiu do ta humbiste vetinë e tij, do të ishte një rrëke e zakonshme pa virtyte të larta. I pëlqeu kjo ide shndërrimi, mund të ishte edhe i dobishëm njëkohësisht.

-Do të bëhem re e zezë,do të përplasem te ai mal dhe do të bie si shi në qytetin e saj, – mendoi. Gjithçka u përgatit shpejt ashtu si ndjenja e tij për të. Dëshira që e kishte pushtuar ishte shumë e fortë, ëndrra që priste të realizonte po e pushtonte të gjithin. Po habitej me veten me këto mendime, po kush mund ta ndalonte atë? Kush do t`i dilte përpara duke i thënë “ndal” Atij, më të fuqishmit mbi dhe’,krijuesit të gjithësisë, projektuesit të pakundërshtueshëm të qenësisë.

-U bënë shumë kohë që nuk e kam takuar,do t`i shmangem sime shoqeje (mirë që ajo nuk mund të shoh aq larg sa unë), ta gjej e ta takoj patjetër…

 

*    *    *

Një natë, në shëtitjen e zakonshme përreth tokës,  kur hëna ishte e plotë, padashur qëndroi para dritares së saj dhe i habitur po vështronte këtë bukuri  therëse gjysmë të zhveshur. Nuk po u besonte syve. Mos  vallë perënditë i kishin punuar ndonjë rreng dhe ndonjëra prej tyre ishte shndërruar në këtë bukuroshe? Ajo  dukej kaq hyjnore nga pasqyra përballë. Jo,  ajo nuk i shëmbëllente me asnjë nga engjëjt e tij të formuar artificialisht. Asnjë  bukuri artificiale nuk mund të ishte kaq e përsosur. Ndenji një kohë të gjatë duke e vështruar dhe nuk i rezistoi dot tundimit. Ajo po krihej. Leshrat  e gjatë e të zinj që i mbulonin gjithë shpinën ishin si shigjeta zemërshpuese. Ai  lexoi në librin e madh të jetës se ajo ishte e martuar dhe aty gjeti portretin e të shoqit. Pas pak iu fanit asaj pa zhurmë,  me atë të qeshur indiferente (duhej të ishte e qeshura e të zëvendësuarit)…

-Ai nuk duhet ta gjej atë ! As njerëzit nuk duhet t`i prekë ai shi ! Duhet  të bëj patjetër diçka!Të zgjoj qiejt që po flenë? Do  të dërgoj bubullimat që t’u bien daulleve të shiut, që njerëzit të fshihen të mos i prek ai shi që prish gjithë ëndrrat e përpjekjet e mia. Me këto fjalë u shfaq një hije pas hapave të tij. Ai që ia kishte ndjekur mendimin  dhe aventurën hap pas hapi, që dinte gjithçka rreth kësaj loje e shumë të tjerave, që përgjonte deri në imtësi lëvizjet e fronmbajtësit të qiejve, që e quante atë abuzues dhe monark absolut, por që nuk guxonte t`i dilte hapur, t`i kundërvihej kur e kishte të sigurt humbjen mbi të. Ky ishte Tjetri, me atë fytyrë e shpirt të vrazhdë, me atë mendje djallëzore që nuk e linte rehat, me ato plane e projekte afatgjata që nuk synonin çikërrima fuqie e pushteti, por një fund të pashmangshëm të Tij dhe kurorën e lavdishme ta vendoste mbi kokën e vet. Për një moment mendoi se ky ishte çasti i duhur, më në fund po gjente një pikë të dobët të Tij që në rastin më të parë do të përfitonte qoftë edhe privilegje të pamenduara, të cilat ai i shihte si rruga drejt fronit, drejt skeptrit që njësohej me dorën e Tij dhe që ishte burimi i gjithë fuqive.

-Ajo do të jetë e imja! Pasi ta sjell në jetë me mrekullitë e mia, ajo do të jetë e imja, jo e Tij. Një hungërimë grykore e frikshme pushtoi vendin, e qeshura inatçore e tij. Ishte si një roje në përgjim të veprimeve të Tij, si një hije që e marrim gjithnjë me vete, si mendimet që na shoqërojnë kudo, si një problem që e kemi mbi krye. Kërkimi i një pike të dobët të tij e kishte bërë të pandashëm nga Ai, dinte me saktësi se si vepronte Ai në rrethana të ndryshme dhe nuk i dukej asgjë e pazakontë në lidhje me veprimet e tij…

-Ja edhe pak dhe do ta gjej atë. Po i afrohem malit, tani do të përplasem… një sinjal drite përshkoi rrënjët e malit dhe një bubullimë e tundi para se ai të përplasej. U duk sikur mali u shmang. Goditja qe e dobët dhe trupi i tij i paformshëm u shndërrua në pika të ëmbla shiu që po binte mbi qytetin e Saj, mbi varrezat ku do të gjente patjetër mbishkrimin me emrin e dashur.

Pas gjëmimit njerëzit të turbulluar filluan një varg ecejakesh, strukjesh, nxitimesh.- Do të bjerë shi i fortë! Dikush shtrëngon çadrën në dorë, duke e fiksuar te susta gati për kundërpërgjigje ndaj pikave të shiut që po afroheshin. I ngarkuar me dëshirën për ta riparë, i copëzuar në miliona pika të vogla uji, Ai po gurgullonte rrugëve të qytetit duke kënduar me mallin ngarkuar shpirtit të tij të pavdekshëm.

-Mos u largoni! –  bërtiste, por askush nuk mund të dëgjonte në atë shprishje drejtimesh. Një dorë e fuqishme i largonte ata për të mos u prekur nga shiu i magjepsur. Ai u kishte pushtuar shpirtin, i kishte ngacmuar maksimalisht, i shtynte drejt një strehe pa emër. Përplasja e parë në tokë i shformoi gjymtyrët – pika shiu.  Çudi, iu duk sikur ndjeu dhimbje, por ishte një dhimbje e ëmbël, e durueshme që nuk ia shoi dëshirën brenda vetes.

-Edhe pak dhe unë do ta gjej atë, – pëshpëriti.

-Jo, unë duhet ta gjej atë, -kundërpërgjigjja.

Ai e kuptoi shumë mirë ku gjendej varri.  Në formën e ujit po rendte i shfrenuar drejt mbetjeve të saj.  Ky vrapim nuk ngjante me asgjë tjetër, as me nxitimin kur jemi vonë për diku, as me zgjatjen e duarve drejt diçkaje të dashur, po vetëm me atë fluturimin nëpër ëndrra ku gjithçka realizohet shume shpejt dhe nuk duhet të presim deri në pafundësi.

-Tani ti do të jesh e imja, o e lakmuara e Tij! Je në botën time, më përket!- u renditën thirrjet nga goja e Tjetrit, aty pranë varrit të saj duke gërmuar me nxitim për të gjetur kockat e një vdekatare që ishte kthyer pa e ditur në mollë sherri midis dy të pavdekshmëve.

Në varrin e saj eshtrat po lëkundeshin.  Nga një dorë e padukshme u zhvendosën.  Gjithçka u rrokullis shpejt dhe ai u gjend me të gjitha mbetjet e saj në një enë të sajuar aty për aty.  Ndërkohë uji po afrohej.  Ai po përpiqej të riformohej.  Ishte i dërrmuar:ishte përplasur me forcë në tokë.  Këpucë të shumëllojshme kishin ecur mbi trupin e tij pa mëshirë.  A i mund t`i kishte shmangur, por po i pëlqenin dhimbjet përkëdhelëse që po i shëtitnin shpirtit.

-Po unë duhet ta gjej atë! Papritur u shtang.  Një varr i përçudnuar iu shfaq.  Një mijë sy në formën e hënës po e vështronin rënkimin zhvarrosës të shpirtit të saj të fshehur diku.  Një nuhatje e plotë gjithëpërfshirëse dhe aroma karakteristike e trupit të saj mbushi shpirtin e tij.  Vështroi me kujdes dhe gjeti diçka që i përkiste asaj.  Një lot i ngurtësuar, i kripur.  Po, ai ishte loti i saj.  Mbylli sytë.  Pas perdes trupi i saj, më joshës se kurrë, si kur e pa për herë të parë.  Vendosi lotin – gur para syve dhe përfytyrimi-ëndërr u bë i vërtetë…

-Ajo është e imja tani ! Kam gjithçka që më duhet për shndërrimin e saj.  Do ta ringjall dhe do të shkoj për dore me të para hundës së tij që zemërimi t`i brejë forcën… por ç’po ndodh kështu? Ç’u bënë eshtrat e saj.  Po hiri? Qenka veçuar nga balta dhe është larguar.  Oh, baltë e pavlershme!

Dielli e përshëndeti Atë duke i dhënë dorën e artë dhe në formë avulli u largua me të në hapësirë.

Tjetri lëpiu buzët.

 

*     *    *

Në hapësirën e pushtuar nga fryma e lartë, si një shigjetë magjike, u duk për një çast të shkurtër një hije e mbuluar me dritë që s’dihet ku përfundoi.  Kjo hije u pa nga shumë tokësorë e qiellorë që çuditeshin e s’çuditeshin nga kjo pamje.  Atëherë Ai për të shmangur sytë e perëndive që do të kishin rast ta shpotitnin u bë i padukshëm.  Le të habiteshin tokësorët, le të thoshin se kishte rënë një yll “s;di s’e ku”, “këtu afër”, “atje tej”. Nga fjalët e tyre nuk i vinte ndonjë e keqe.  Kishte dëgjuar mjaft për paaftësinë e tyre për të shpjeguar gjithçka ndodhte.  Disa e quanin fat, disa dora e zotit, të tjerë më këmbëngulës rishikonin faktet e gjenin fajtorin.  Këta nuk mund të ishin saldatorët e mbrapshtë të fronit të tij.  Prej tyre kishte rrëmbyer gjënë më të shtrenjtë që po e sundonte në këto momente, të tjerat nuk kishin kurrfarë rëndësie.  Tashmë Ai i kishte më afër se kurrë këta tokësorë që kishin qenë gjithnjë të papërfillshëm për të.  Prej tyre po mësonte të sakrifikonte për dikë.

Puna e parë që vendosi të bënte ishte t’u jepte jetë atyre kockave të lidhura në momentin e prekjes së tij dhe të merrnin formën e dëshiruar qysh më parë, atë pamje madhështore, joshëse që e kishte shtyrë drejt mëkatit.  Le të zgjoheshin në kujtesë ato çaste kur u projektua ajo krijesë njerëzore që i lidhej nga gjaku.  Po a kishte gjak Ai? A ishte plagosur ndonjëherë e kishte humbur gjak? Apo dikush e kishte gjuajtur me grushte i kishte dalë gjak si më madhështorit njeri? Sa herë ishte folur për plotfuqishmërinë, për pavdekësinë? A kishte gjak Ai? Çfarë ngjyre? A ishte gjetur dhuruesi i gjakut të tij të humbur në beteja? Si mund të mendonte si një tokësor, me hapësirë e kohë të kufizuar, me pamundësi për veprime e pranim të idesë që “këtë mund ta bëj, këtë jo” të gjitha këto ishin të çuditshme, por mendoi se duhej të mësohej nga pak me këtë.

Duke u endur nëpër qiell sajoi një fron të artë ku kockat njerëzore të saj si me magji filluan të lidheshin e mishëroheshin dhe të dukej ajo lëkurë e bardhë që e mbante të lidhur pas vetes.  i paduruar, e veshi si një mbretëreshë me të mëndafshta në ngjyrën e preferuar të tij, të verdhën.  Me një prekje i sajoi flokët: aromatikë, të zezë, të shndritshëm, të gjatë.

Dukej si një kukull madhështore.  Ajo do të ngrinte lart prestigjin e tij edhe një herë, do të shihej me rivalitet nga vartësit, pale po të dëgjonin tokësorët.  Shkalla e parë e triumfit u ngjit.  Po ti jepte jetë asaj kukulle të vërtetë e ta bënte për vete me pamjen e tij do të ngjitej mjaft lart.  Po sa lart? A nuk ishte Ai në fronin e qiejve? A mund ta kundërshtonte kush? Pse shkallët e lavdisë janë të panjohura për të gjithë? Pse nuk e kuptojmë nëse jemi apo jo të lavdishëm? Pse nuk kënaqemi me lavdinë e fituar? Çfarë fshihet në ato shkallë të padukshme që nuk kanë fund?

Një melodi e ëmbël jetëdhënëse filloi të dëgjohej nga fishkëllima e tij dhe kapakët e syve që  mbylleshin vetëm kur kukulla shtrihej, u hapën, u mbyllën përsëri dhe Ai e pa veten të projektuar në sytë e saj.  Koka bëri një lëvizje si pohuese e sytë instinktivisht panë atë krijesë si të parën në këtë ringjallje zeusiane.  Duart u kthyen drejt syve si për të pyetur: a jemi të vërteta? Lëngu jetësjellës po përhapej me ngadalë në trup.  Ata gjinj të bardhë u mbushën me frymë e u gufuan si dominues në gjithë këtë lojë perëndish.  Fillimisht këmba e majtë, pastaj e djathta hodhën një hap milimetrik e përsëri një më të madh.  U ngrit nga froni pa arsyen e preferuar njerëzore.  Do t`i jepej dhe ajo për pak kohë, duhej vetëm pak durim do të rritej para syve të tij.  Ai nuk mund të habitej me këtë rilindje, kjo kishte ndodhur edhe herë të tjera para syve të tij, por asnjëherë nuk kishte prodhuar një njeri kaq të dashur për të.  U mendua: ajo nuk do të ishte një njeri tani, me gjithë pamjen e fituar.  Në deje i gurgullonte gjak i një lloji tjetër.  U ngjeth kur mendoi këto fjalë.  A do të ishte e njëjtë? Tani do ta njihte më mirë dhe donte të mësohej me praninë e saj, madje t`i gjunjëzohej si në disa skena njerëzore që i kishin rënë në sy, me gjithë vështirësinë për t`i kuptuar.

Pas pak lëshoi buzëqeshjen e parë dhe dora u zgjat drejt tij si një ftesë e bërë me kokë për të luajtur së bashku.  Edhe pse e priste këtë gjest Ai u step për një moment.  U bë afërsisht në moshën e saj, i kapi dorën, vrapoi kudo në lëndinat e pyjet që hapeshin para tyre si në një libër mrekullish, fluturonin bashkë me moshën që rritej e ata ndiheshin si dy të rinj që po ndienin ngrohtësinë e dorës së tjetrit.

Qielli u gërvisht nga një klithmë ngashëruese që u shpërnda si tingujt e një kambane gjigante, lëshoi jehonën e u riprodhua në kupolën e qiellit.  Tjetri kishte marrë pamjen e burrit të saj: atë trup, atë shenjë në vetull, atë zë të ëmbël e atë buzëqeshje që bëhej edhe më e bukur sa herë që e shihte.  Ajo po i afrohej moshës kur ishte martuar ndaj ajo pamje e rrejshme duhej shmangur.  Ishte e vetmja pamje të cilës Ai i trembej, ndoshta prej bestytnisë njerëzore që thoshte se kemi shpirtin tonë binjak që e gjejmë gjithnjë te i njëjti njeri.  Sa shumë frikësohej prej kësaj? Po ç’ishin këto rregulla që qëndronin sipër fuqisë së tij, kush i kishte shkruar, kush i kishte bërë të zbatueshme? Pse njerëzit u besonin verbërisht atyre? Ai e kishte rikrijuar atë, po nuk i pëlqente kjo thënie, ndoshta se ajo kishte qenë njerëzore më parë dhe duhej t`i nënshtrohej këtij ligji.  Nuk mendoi më gjatë.  Vetëm duhej ta shmangte atë pamje. Po si?

Mbetej një rrugë e vetme :ajo duhej verbuar qoftë edhe për pak kohë, vetëm disa minuta.  Ajo nuk duhej ta shihte atë.  Gjithë ai mundim do të shkonte kot. Banorët qiellorë do të zgërdhiheshin  me të dhe e shoqja do ta qortonte e sulmonte në mënyrë të pakundërshtueshme.  Jo, kjo nuk duhej të ndodhte dhe ai ishte i zoti për të fituar këtë betejë.  Mjaftonte ta dëshironte këtë.

Ai hodhi një vel të bardhë përpara saj e ajo nuk mund të shihte ç’do të ndodhte atje.  E mbylli velin në formë kutie që të mos lëvizte dhe po mendonte për dyluftimin.  Ai ishte gjithnjë i gatshëm për dyluftime të tilla, nuk kishte frikë prej tyre.  Nuk duhej as të mblidhte forcat, as të sajonte strategji, askush nuk mund ta mposhtte atë.  E vetmja gjë që e shqetësonte ishte Ajo.  Nuk duhej të zgjohej, nuk duhej ta shihte atë që kishte marrë pamjen e burrit të saj.  U drejtua me armët e mprehura kundër këtij kundërshtari që po guxonte ta sfidonte në mënyrën më të keqe dhe mbi të gjitha duke e ndërprerë në momentin më fatlum të jetës së tij.

Tjetri flaku tej moshën dhe u sul i pamëshirshëm drejt trupit të Tij që u ngurtësua në çast.  Edhe sikur ta shkatërronte këtë gur Tjetri nuk mund ta mposhtte atë.  Ai ishte i pathyeshëm dhe copat e thërrmuara tërhiqeshin si magnet drejt njëra tjetrës.  Mbeti i hutuar një hop po djallëzia e rizgjoi, u sul drejt “kutisë” për ta pronësuar e kapi në një kënd dhe e ngriti.  Tashmë Ai duhej të mishërohej që ta fitonte prenë.  U dëgjua një ulërimë flakëruese dhe kutia u kthye në vend.  Nga kjo ulërimë e njohur pinjollët e familjes së tij qiellore dërguan shpejt ndihmë dhe e përzunë nga bota qiellore Tjetrin.  Le të endej nëpër galaktikë duke kërkuar faljen, nuk kishte për ta gjetur.  Mbi të kishte rënë një mallkim i pakthyeshëm.

-E megjithatë unë jam i lirë!-mendoi Tjetri.

Pasi shmangu rrudhat që i dolën në fytyrë nga inati në çastin kulmor iu afrua kutisë me “kukullën e çmuar”që po e kërkonte.  I hoqi velin e bardhë dhe u habit.  Ajo filloi të krihej para pasqyrës së imagjinuar tamam si atëherë kur padashur e kishte ftuar në shtratin e saj.

 

*     *     *

I kacafytur me lumturinë po qëndronte mendueshëm në anë të shtratit ku flinte si një zanë Ajo që ishte zhytur në botën e ndjenjave të tij si askush tjetër.  Ashtu, gjysmë e zbuluar, Ajo zgjonte tek Ai ethe mishtore që lakoheshin trupit e mendjes së tij duke e kthyer në një lojë të paparamenduar në fundin e saj dhe e vështronte pa besuar se kjo që kishte ndodhur ishte e vërtetë.  Ç’do të ndodhte tani? Foleja e tyre në qiell nuk do vazhdonte të ishte e sigurt për shumë kohë.   Mungesa e tij do të vihej re nga të tjerët, po nga e shoqja trembej më shumë.  Ajo nuk dinte të falte lehtë, gjithnjë kërkonte një shkëmbim shumë të lartë për tradhtitë e tij.  Nëse i kujtonte të gjitha do të duheshin vite për t`i treguar, po kësaj here ishte ndryshe, ai donte të dorëzohej, donte të shkëputej përfundimisht prej saj dhe…

U ngrit e doli në dritaren qiell, pamja ishte ajo që shfaqej në mendjen e saj: një kopsht Edeni me pemë e lule shumëngjyrëshe që harliseshin shpirtit të tij duke nxjerrë degë, lule e gjethe në çdo pjesë të trupit të tij të plogët nga ekstaza e gjatë.  Mbylli pakëz sytë dhe kur i hapi një lëndinë e gjelbër e tronditi me qetësinë e saj.  Në një moment Ai nuk po u besonte syve: para tij u duk një djalë flokëverdhë me sytë e saj, nuk kishte asnjë dyshim ishte ai, pinjolli më i vogël i familjes së tij, ngjizur në trupin e saj.  I  dukej sikur shihte veten në të ri të tij, mbushur plot ëndrra e shpresa me atë kurorë lavdimadhe në kokë.  Vallë kishte qenë i lumtur? I  kishte realizuar të gjitha dëshirat Ai të cilit ne i lutemi çdo herë për ëndrrat tona?

Pse u shfaq pikërisht aty, tani? Kush e kishte dërguar? Në dorë mbante një spektër – lodër, nga ata që tokësorët kishin krijuar për ta imituar në lojë perëndish që organizonin.  Silueta e tij po afrohej aq shpejt sa nuk i la kohë të mendohej.  Për të Ai nuk ishte i ati.  Thjesht u zhduk.  Hapat krenar të djalit, trokitja e lehtë në derë, zëri i tij i ëmbël, vështrimi mbi shtratin e saj :gjithçka ishte hyjnore.  Ai mund të krenohej me këtë bir të paligjshëm po që kishte të gjitha tiparet e preferuara për t’u ngjitur një ditë në fronin e qiejve.  Atëherë ai spektër do të ishte i vërtetë dhe do të vërtitej me urtësi në duart e tij.  Ç`ironi?! Sa shumë e lakmonin atë fron? Ç’ profeci sajoheshin nga brezat për rënien e Tij.  Që nga ato më të ulëtat e banalet deri te ato më madhështoret që sajoheshin nga profetët më sqimatarë : dorëzimi i fronit një pinjolli të vlefshëm.

Nënë e bir u çmallën gjatë duke ndenjur në krahët e njëri-tjetrit dhe pastaj në prehrin e saj po ajo ninullë, po ai zë, po ato përkëdhelje, po ajo përkujdesje që ruante në zemrën e saj dashuria e një nëne.  Ndjeu xhelozi.  U përflak nga një inat që ngjitej si humnerë në shpirtin e tij, por ndërgjegjja hyjnore bëri punën e vet.  U afrua ashtu i padukshëm dhe bëri dhe Ai një përkëdhelje në kokën e tij.  U ngjeth padashur.  Kurrë nuk i kishte përkëdhelur bijtë e tij, ata rrinin gjithnjë të gatshëm për t`i zënë fronin, dhe ai i shihte vetëm si rivalë.  Këtë herë po ndodhte e kundërta Ai po vetëdorëzonte fronin për hir të një dashurie që e kishte humbur në vargonjtë e saj të ëmbël që ia lartonte figurën dhe plotësonte shpirtin e tij në të gjitha hollësitë.  Ishte e pashmangshme: Ai po vendoste aq shpejt, fundin e tij madhështor.  Po linte gjithçka për flokët e saj të zinj, për ata sy të ulur që flirtonin mendjen e tij prej vigani.

Tashmë çdo gjë ishte e qartë, po bëhej e qartë, megjithëse asnjë nga profetët nuk e kishte parashikuar këtë fund për të.  Foleja në qiell u përfshi në një zjarr të padukshëm që digjte.  Dy të dashurit e tij që po rrezikoheshin, ndjenë veç përfshirjen në një humnerë që lartohej e errësohej pa mundur të thoshin asnjë fjalë.  Ishin në një nga humnerat e shpirtit të tij.  Ai tashmë ishte më i dobët se kurrë, kishte filluar të kishte frikë për dikë.  Shenjat e frikës i ndjeu Tjetri në hapësirën ndërgalaktike.  Por fuqia e tij u shfaq me gjithë madhështinë e vet.  A nuk ishte Ai më i fuqishmi?

Gjithçka rrodhi shumë shpejt dhe Tjetri që donte të përfitonte nga befasia e vet u step kur pa që flakët po e rrethonin me gjuhë vdekjeje.  Pa mëshirë, si një zot Ai po vendoste për të herë fundit, nuk do ta kursente këtë herë, nuk do të ikte me merak nga froni i tij.  Farkëtuesi i mbrapshtë i fronit të tij nuk do të ishte më i tillë.  Gjuhët e flakëve të ferrit po e përpinin, trupi i përcëlluar po mpakej nga dhimbjet.  Zgjati dorën e fuqishme, e mori, e flaku, ashtu të pafuqi, të pagojë, në një statujë moderne të një skulptori të ri guximtar që u tremb edhe vet nga vepra e tij e nënshkruar: “ në flakët e ferrit” ndërhyrja e fundit si mbret qiellor.  Ndihej i çliruar.  Gjithçka po ecte mirë.  Në krevatin mbretëror të qiellit u gjet një kufomë e paformë dhe një testament i pakundërshtueshëm për birin e tij të adhuruar.  Spektri lodër u kthye në një spektër të vërtetë.  I mbeti vetëm pak pluhur çudibërës që e mbajti për jetën e tij në tokë me të.  Për të tjerat, tani ai zgjodhi të ishte një njeri.

 

*    *      *

Në mjegullën e ëndrrës të çliruar nga frika e ekzistencës u shfaq fytyra e tij njerëzore që vendos këmbët për herë të parë si i tillë në këtë pjesë të papërfillshme të ish-mbretërisë së tij.  Nuk çuditej për këtë dyshim human që shkarkonte fuqinë e tij hyjnore të padiskutueshme deri atëherë në një legjendë që mpihej pak e nga pak në mendjen e tyre.  Sa herë kishte zbritur në tokë? Kush e kishte ndier ngrohtësinë e dorës së tij mbi sup? Kush e kishte parë figurën e tij mbretërore-metamorfozë që shpërndan përulje me praninë e vet?

Askush nuk e kuptoi që ato kolona magjike që u ngritën brenda një nate në themelet e një tokësori, nuk kishin qenë aty, nuk kishin penguar rrugën për te kroi i fshehur mes shkurreve e projektuar ashtu si e pa në mendjen e saj të kryqëzuar me ndërgjegje perëndish.  Pamja para shtëpisë të jepte përshtypjen se ato kolona e gjithçka që ato mbanin sapo ishte ndërtuar, e bukur, magjike, madhështore.

Megjithëse ishte e madhe, vajza pinte ende qumësht nën vështrimin pushtues të saj, me ato duar të vogla që i vendoste mbi gjoksin e nënës, me ngulmimin për të mos u shkëputur që andej. Ajo e dinte se nuk mund të lindte më fëmijë dhe kishte vendosur që kësaj t`i jepte qumësht sa të kishte. Në fillim ishte ndier keq për këtë gjë, por me kalimin e kohës ishte mësuar, tashmë ajo e kishte një djalë trashëgimtar, një pasardhës të denjë që ia lëmonte krenarinë dhe sedrën e prekur prej nëne, tashmë kjo vajzë ishte vetë mrekullia për të.. Por të gjitha këto nuk i ndante me askënd. Në sytë e të tjerëve ajo ishte perfekte, e zgjuar, e devotshme, e paprekshme. Askush nuk mund të fliste keq për të,ajo nuk do t`ia lejonte vetes të përgojohej, ishte e pakapshme. Ndërkohë fëmija dukej sikur dremiste nën ritmin e lehtë e të vazhdueshëm të ninullës së saj. Ajo po përkundej edhe vetë. I pëlqente të kalonte kohë me të bijën, të përsëriste fjalëzat e thëna përgjysmë prej saj, të luante me të, të ishte e pranishme dhe e pazëvendësueshme në jetën e saj. Kjo nuk ishte e tepërt,  vetëm detyra e saj si nënë,  për të cilën ajo kujdesej ta kryente sa më mirë.

Ishte shumë e bukur. Shtati i gjatë dhe i hollë ishte bërë më i plotë pas lindjes,  kjo i kishte dhënë një hije zonje rrezëllitëse, një lloj përkujdesjeje të veçantë në lëvizjet e saj, në mënyrën se si ecte,  si ulej për të ngrënë, si të afrohej, si përkëdhelte fjalët prej zemre të bardhë. Fytyrën  dhe trupin i kishte gjithnjë të mbuluar kur dilte jashtë,  ndaj askush nuk e kishte parë  lëkurën  e  butë si kadife. Sytë e shkruar gjithmonë të ulur vetëm me një shikim të magjepsnin menjëherë, ata flisnin për gjithë qenien e saj, ishin të ëmbël,  pyetësorë,  dashamirës,  bujarë. Ajo dilte shumë rrallë,  vetëm kur duhej të kryente ndonjë punë që nuk ia besonte dot njeriu tjetër  dhe gjithnjë ishte syulur. Ajo mendonte se nuk duhet t`i shihte të panjohurit në sy,  vetëm mund të ngatërroheshe me këtë, sytë ishin si një pasqyrë e vetvetes,  tregonin gjithçka edhe gjërat më të fshehta që mund t`i kishe strukur në skajet më të largëta e më të fshehta. Gruaja nuk duhej të ishte një pasqyrë,  po një ditë e kyçur në ditar,  jo e hapur për të tjerët. Ajo duhet të gëzonte shijen e fshehtësisë dhe të zbulimit të herëpashershëm, të kishte gjithnjë një armë të panjohur e të fortë në duart e saj.

Zgjati kokën në dritare:ajo po ushqente fëmijën me gji. Vajza që vazhdonte të  luante ende me gjoksin e nënës dhe ajo që ishte përhumbur në ledhatimin e tij burri ishte afruar pranë asaj skene të dashur ashtu tinëz saj.  Do donte të qëndronte aty përjetë, pa ndryshuar asgjë nga ai moment i adhurueshëm, duke përkëdhelur ato dy krijesa që e mbanin dashurinë e tij si gjënë më të shtrenjtë.  Nuk ishte penduar aspak.  Tani po e kuptonte vlerën e viteve në jetën e një tokësori, vlerën e harmonisë në familje, përkushtimin e një gruaje të zgjedhur, shpirtin binjak të rilindur të saj.

-A u bëre gati?- pyeti ajo butë ndërsa luante me duart e vogla të vajzës, që nuk donte të shkëputej nga gjiri i nënës.

Po, -tha Ai ngrohtë.  Ke diçka atje mbi komodinë që ta veshësh sonte.  E zgjodha për ty.  Është në modelin tënd të preferuar dhe në ngjyrën time të përzgjedhur.

Ajo u lumturua.  I  la vajzën në dorë dhe nxitoi të gjente dhuratën e radhës.  E dinte që do t`i pëlqente.  Të gjitha dhuratat e tij ishin të shkëlqyera.  Duke ndenjur me të ai kishte mësuar shijen e saj.

Pas pak u kthye me atë veshje hyjnore e atë buzëqeshje që i ndriste shtatin e fytyrën.  -Nxitojmë, tashmë u bë vonë! Të kapur prej krahësh ata ecnin me një hap.  Ai kujdesej gjithnjë të merrte me vete diçka për syrin e keq.  Edhe pse nënqeshte me këto bestytni, ai nuk donte ta prishte për asnjë arsye këtë lidhje të dëshiruar.  Ndihej i lumtur.  Nuk kishte dyshim për këtë.  Ndoshta duhej të kthehej këtu në tokë që të kuptonte se ç`ishte lumturia e vërtetë.  Të jetoje me përkushtimin e saj, të ndieje dashurinë që nuk mbaron kurrë, të nënshtroheshe në përkëdheljet e njerëzve të dashur, të ecje me ritmin e kohës që tani matej dhe kishte fillim e fund.

U drejtuan për nga salla e madhe e teatrit, që gëlonte nga njerëzit e shumtë që prisnin të fillonte shfaqja.  U hapën rrugën si të ishin duke parakaluar në tapetin e kuq.  Ai ecte krenar, ajo lozonjare duke shijuar përshëndetjet dhe urimet për ta.  Ajo u skuq lehtë dhe ai i shtrëngoi dorën.  U afruan te porta dhe nxituan për t’u zhdukur prapa saj.  Ai u afrua dhe e puthi lehtë, gjithnjë i dukej si puthja e parë.  Hynë në dhomën e përgatitjeve për të bërë rregullimet e fundit.  Ndërkohë salla u mbush plot.  Perdet e skenës po hapeshin ngadalë.  Pas një monologu të shkurtër nga një aktor që nuk po e dallonin se kush ishte nga veshja që i kishin sajuar, i thirrën. Ishte radha e tyre.  Në fillim u shfaq Ajo duke përkundur në djep fëmijën e tyre.  Nga lart vjen Ai që i gjunjëzohet mbretëreshës e i puth dorën.  Gjithçka vazhdoi sipas skenarit…

Morën duartrokitjet e merituara në dramën “Lojë perëndish”.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s