PËRHERË NË ARDHJE ISHE TI
U desh një jetë tek unë të mbrrije,
dhe pse e dija gjithsesi,
që ti përherë drejt meje vije,
përherë në ardhje ishe ti.
Nuk di se ç’të vonoi kaq shumë,
unë në çdo yll të kam kërkuar,
veçse një gjë e di fort mirë,
shpesh yjet vijnë të vonuar.
E ndonjëherë humbasin rrugën,
në hapësirat e pamata
dhe treten, shuhen si qirinj,
në errësirë, djegur nga nata.
Dhe ne i presim gjithë jetën,
me ankthin tonë të përmalluar,
si një pishtar i ndezur flakë,
na digjet koha nëpër duar.
Po ti ke ardhur shumë e hijshme,
me një buzëqeshje të ylbertë,
me hap të lehtë si frymë e flladit,
me një vështrim si një mëngjes.
Dhe më ke sjellë gjithçka të bukur,
ç’më ka munguar, më ke sjellë,
siç e sjell maji lulërinë
dhe butësisht e hedh mbi pemë.
E hapur rrinte portë e pritjes,
gjithë jeta pritje qe për ty,
ti zjarrin ma shuan me zjarr,
ndaj them se je një mrekulli.
Nëse pak vonë, prapë nuk prish punë,
dhe pse gjithçka koha ma merr.
Edhe pranvera shpesh vjen vonë,
por gjithsesi vjen si pranverë.