TERROR I GJELBËR / Tregim nga Ylli Xhaferri

TERROR I GJELBËR

 

Tregim nga Ylli Xhaferri

Muzgu binte ngadalë e qetë si një cohë kadifeje me reflekse. Blirët e njomë me lastarët e brishtë përflakeshin nga rrezet e fundme të ditës. Shëtisja në bulevardin e vjetër të qytetit me dy nga miqtë e mi. Përcjellim orët e mërzisë që janë bërë një refren sfilitës për qytetet periferike, ku varfëria, ulur këmbëkryq, është kthyer në një makth mbytës…Kështu përdita, jemi pjesë e dukshme e dekorit qytetas…
Po binte mbrëmja, një muzg all, një perëndim i kuq flakë si prerë nga afresket e Onufrit. Përpiqesha t’i mbushja mendjen miqve, por më tepër vetes se e bukura ekzistonte, madje shpalosej ngado, në natyrë dhe te njerëzi…Madje, nuk mungova t’i citoja Gëten, i cili paskësh thënë: “ E bukura frenon çdo zemërim”…Por, oqeani i zemërimit shqiptar kishte dalë nga shtrati. Kështu që s’mbetej tjetër përveç se të dëshironim të nesërmen e largët kur blirët do të çelnin lulet erëmira, ku ne, pse jo, në moshë të shtyrë do t’u mblidhnim lulet aromatike…që t’i thanim pastaj, netëve të gjata të dimrit t’i gjerbnim si çaj. Më pëlqen bliri, madje isha entuziazmuar ditën kur i mbollën. Është pemë e fisme, nën hijen e tij motra e Gjergj Elez Alisë lante me lot, teksa fshinte me gërshetat e ballit dhe mjekonte me balsam bjeshkësh nëntë varret e shtatit të të vëllait. Nëntë plagë të fituara në instikamet përballë balozëve…Kurse mbrëmë, në të dielën e fundit të marsit në një dasëm në lagjen “Hënëza në gur” ishin vrarë tre vetë. Tre njerëz, bashkëqytetar me njëri-tjetrin. Ishin vrarë për një shkak pa shkak, cili të parkonte makinën luksoze në vendin më të dukshëm për dasmorët. Afishimin e pasurimit të dyshimtë, pse jo afishimin e çmendurisë…Ishin shuar para syve të të gjithëve, duke e kthyer në mort gëzimin e tjetrit. Krisma dhe gjak. Spektakël makabër. Demoni mprehte brirët e së keqes bërrylave të kohës. Dyfishonte hapësirat e varrezave. Dhunonte jetën. E, balozi nuk dukej kund. Hapnin varre mes vetes.
Mërgonin paqen, thellonin sterromën e përçarjes…Fytafyt mes vëllazërisë.
Si janë kohët!…Im at, partizan naiv më kishte treguar, se nazistët në dëshpërimin e ikjes nga humbja e luftës kishin bombarduar me mortaja ullishten e vjetër. Me sa dukej i acaronte dega e ullirit, simbol i paqes…Atë ullishtë thuhej se e kishte mbjellë Skënderbeu me djemtë e sapomartuar të principatës kur kthehej nga Manastiri i Ardenicës pasi kishte vënë kurorë me Donikën e bukur. Fati i zi nuk iu nda ullishtës së motshme…Sopata e bashkëkrahinorëve, stërnipave të mbjellësve të dikurshëm ra pa mëshirë mbi to kur nisi ndarja e tokave. Digj e prit në stinën e thatë të shterpësisë…Trungjet cung dhe zgërbojnat e lashta dëshmojnë masakrën e risisë së përbindshme, ku pranvera nuk mund të thysojë më. Këtë herë për fatin e keq tonin jo më nga gjermanët…Nuk mund ta harroj ditën kur erdhën zogjtë. Kërkonin dëget e ullinjve për të pushuar. Qielli nuk kishte degë, ato cicërinin si vajtim, shpuplonin krahët, duke kreshpëruar pushin. Nuk kishin më ku të çmpinin këmbët.
Mendoja për të bukurën. Rrënohesha për ta gjetur te bashkëkohasit, por më kot. Në natyrë ajo shpalosej kudo: jo vetëm në trotuaret dhe bliret e anërrugës, por edhe pranë lumit, në harkun e tunelit, në urat mbi Shkumbin, në rrënojat e Asparagiumit të lashtë. Kështu mashtronim ditët pranë blireve të sapombjellë, kalonim si Odisea përmes jetës tonë, që veç drejt Itakës nuk shkonte…Shijonim bliret të cilët i gjallëroi ardhja e zogjve, se i veshi me cicërima…
Një grup burrash dhe djemsh dolën nga bingoja, salla fati që mbipopullohen nga meshkujt në qytetet provinciale. Ishin të zhurmshëm. Thërrisnin. Grindeshin. Shaheshin…Njëri prej tyre iu sul një bliri, ankohej, që për një numër nuk qe fitues. Si për qetësi theu një bli. E bukura qe viktima e zemërimit në këtë ritual llozesh që s’po i ndahej Shqipërisë së troshitur nga tranzicioni kapitës. Lastari i njomë teksa kërciti, zgjoi të qeshurat e tyre. Damtori theu edhe një tjetër, iu ndez instikti i shkatërrimit…Një të tretë… Trungjet cung mbeteshin si statuja zhgënjimi. Ata shprehnin kënaqësinë me kukurizma, që ngjanin në mugun e thellë si hungurima. Medet. E masakruan muzgun onufrian…
Shihnim me dhimbje…Mendjemortaja, thashë, ngaqë s’dija ç’rrjedhë t’u jepja dilemave që luanin në kokën time kukafshehtas…Gjumi i asaj nate më zuri vonë, përzhbirohej nga sondë e dhimbjes. Në ëndërr shihja mortaja që gjuanin me gogla bingosh mbi qytetin që thërrmohej e plasaritej si vazo antike. Hëna vraponte si murg i zbathur. Medet, thashë. Më vinte turp nga vetja. Nga na erdhi kjo kohë e pakërkuar? Kohë e paralajmëruar nga kasnecët e së keqes në pranverën tonë spërkatur me glasa krimesh.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s