Vepër autobiografike – STEFAN CVAJG : “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani” / Përktheu në shqip: Aristidh Ristani

“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”
Vepër autobiografike – STEFAN CVAJG

Rritemi të qetë, veçuar e në rehati,
por befas rrugëve të botës na lëshojnë;
sipër nesh përplasen prore dallgët mizëri,
gjithçka na tundon, shumë gjëra na gazmojnë,
mjaft të tjera zemrën na brengosin, dhe paprerë
shpirti ynë drithërohet paksa i trazuar;
ndjenja tepër të forta na pushtojnë, por përherë
të tëra i fshin e jetës vorbull e harbuar.

GËTE

Pasioni ynë, që s’m’u nda për vite të tëra, ishte të zbulonim kush e kush më parë atë që ishte më e fundit, më e reja, më ekstravagantja, më e jashtëza¬konshmja, atë që u shpëtonte të tjerëve, sidomos atë që s’e kishte prekur kritika letrare zyrtare e të përditshmeve tona të nderuara. Donim të mësonim pikërisht atë që nuk njihej ende përgjithësisht, i kushtonim një dashuri të veçantë çdo gjëje që kuptohej me vështirësi, që ishte e çuditshme, e pazakontë, e thellë; prandaj dhe nuk kishte asgjë, sado e fshehur mirë e sado larg syrit tonë të ishte, që kërshëria jonë e përbashkët e rivalizuese të mos e nxirrte nga skuta ku rrinte strukur. Stefan Georgia dhe Rilkja, për shembull, gjatë viteve tona të gjimnazit ishin botuar gjithë-gjithë me tirazhe prej dyqind a treqind kopjesh, nga të cilat rrugën për në Vjenë e patën gjetur e shumta tri a katër kopje; asnjë librar s’i mbante në dyqan, asnjë nga kritikët zyrtarë s’e kishte përmendur ndonjëherë emrin e Rilkes. Por grupi ynë, si përmes një mrekullie të dëshirës së madhe, njihte çdo vjershë e çdo varg të tij.

Ne djelmoshat, që s’ishim rritur akoma e që s’na kishte dalë mjekra, të detyruar të rrinim ulur tërë ditën në bankat e shkollës, përbënim me të vërtetë publikun ideal që mund të ëndërronte një poet i ri, një publik tërë kërshëri, me shpirt kritik e dashamirës dhe i etur për entuziazëm, sepse aftësia jonë për t’u entuziazmuar nuk njihte kufi; në orët e mësimit, rrugës për në gjimnaz ose duke u kthyer në shtëpi, në kafene, në teatër e gjatë shëtitjeve kur ishim ende adoleshentë, s’bënim gjë tjetër veçse diskutonim për libra, piktura, muzikë e filozofi; kushdo që dilte para publikut, si aktor a si dirigjent, kushdo që kishte botuar një libër ose shkruante në ndonjë gazetë, ishte si një yll që ndriste në kupën tonë qiellore. Vite më pas, gati u tremba kur gjeta te Balzaku frazën e mëposhtme në përshkrimin e rinisë së tij: “Les gens célébres étaient pour moi comme des dieux qui ne parlaient pas, ne marchaient pas, ne mangeaient pas comme les autres hommes.”*

Një gjë krejtësisht të tillë patëm ndier edhe ne. Po të kishe parë në rrugë Gustav Malerin, kjo do të përbënte një ngjarje që do t’ua tregoje shokëve me krenari të nesërmen në mëngjes si një triumf personal, dhe, kur një ditë më prezantuan te Johanes Bramsi, në një kohë që isha ende djalë fare i ri, dhe ai më rrahu supet miqësisht, për ditë të tëra mbeta krejt i shastisur nga ajo ndodhi e jashtëzakonshme. Si dymbëdhjetëvjeçar që isha, e njihja vetëm ashtu si nëpër tym krijimtarinë e Bramsit, por mjaftonte fama e tij, aureola e tij prej krijuesi, që të tronditesha thellë. Një premierë e Gerhart Hauptmanit në Burgteatër e ngrinte peshë tërë klasën tonë disa javë para fillimit të provave; bënim si bënim dhe pyesnim me marifet aktorë ose figurantë të vegjël për të marrë vesh të parët – para të tjerëve! – subjektin e veprës dhe ndarjen e roleve.

Shkonim të qetheshim (nuk druhem të rrëfej edhe marrëzitë tona) te berberi i Burgteatrit, me të vetmin qëllim që të zhvatnim ndonjë të dhënë sekrete për aktoren Volter ose për Sonentalin; ne më të rriturit përpiqeshim të merrnim me të mirë dhe ta bënim për vete me lloj-lloj marifetesh një nxënës të një klase më të ulët, vetëm pse ishte nipi i një inspektori të ndriçimit në Teatrin e Operës dhe se me ndërmjetësinë e tij mund të hynim nganjëherë fshehurazi në skenë gjatë provave, në atë skenë ku ndienim një drithërimë më të fortë se drithërima që kaploi Danten kur u ngjit në rrathët hyjnorë të parajsës. Fuqia rrëzëlluese e lavdisë ishte aq e madhe për ne, saqë, edhe pse e mpakur përmes shtatë shkallësh të ndërmjetme, prapë nuk e cenonte nderimin që kishim ndaj saj: një plakë e mjerë, vetëm pse ishte stërmbesë e Franc Shubertit, na dukej si një qenie e mbinatyrshme, dhe ndiqnim me sy tërë respekt, kur kalonte rrugës, shërbëtorin e Jozef Kajncit, sepse kishte fatin të rrinte pranë këtij aktori, më i dashuri dhe më gjeniali ndër gjithë të tjerët.
——————–
*Frëngj. – “Njerëzit e shquar ishin për mua si perëndi, ata nuk flisnin, nuk ecnin, nuk hanin si njerëzit e tjerë.” (Shënim i përkthyesit)

(Stefan Zweig: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”,
Titulli i origjinalit: “Die Welt von Gestern – Erinnerungen
eines Europäers”, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2012, 440 faqe.)

 

Përktheu në shqip: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s