Poezi nga Daniela Xhani Kreka

Poezi nga Daniela Xhani Kreka
 
 
Grua e bukur
 
Nganjëherë mund të të shohësh
në rrugicat ku zgjohet vjeshta
me hijeshinë tënde aq shumë femër
buzë të pangjyrosura
të tuat…, që flasin
më shumë se psalmet e së dielës.
Sy të pavijëzuar,
që shohin qartë qiellin
…qiellin brenda vetes.
 
Dhe trupi yt,
që nuk je ti.
Trupi yt ku është vendosur shpirti
ëndrrat e tua
bota jote
nuk është Sfinksi që mund ta analizojnë.
Mos i lër…!
Mos i lër…!
 
Ti grua
që nganjëherë mund të të shohësh
në rrugicat ku ecën vjeshta
me mendimet fshehur nën syzet e errëta
e në heshtjen tënde gjithçka ndjen.
Vetëm dashuria ka të drejtë të të mbulojë
trupin që e krijove me dhimbje
nga lind jeta
caktuar përmes sakrificës
në botën që aq pak të njeh.
 
Është e huaja toka.
I yti është vetëm qielli
qielli që nuk të nxë
sepse je aq shumë!
Aq…
sa nuk të tremb edhe nëse ecën vetëm
pa u ndalur asnjë çast
me hapat e stinës,
që brenda vetes fsheh.
 
Se në emër të vetes
ke vendosur…
të shkosh përpara.
 
 
 
Përkatësi
 
Lëre atë fletore aty ku është
stilolapsin blu vendosur sipër
(me të cilin shkruaj veten)
vazon e qelqit me lule
orën më kurdisje që shkon tre minuta pas
jastëkët rënë në dysheme
jo rastësisht hedhur
(janë hedhur për të krijuar)
çarçafët e rrudhosur,
si hartat e paqena të botës
ku kam fshehur ëndrrat
apo emocionet,
që profumojnë aromën e shpirtit.
 
Ka jetë aty
ka orë të gjata
ka minuta të miat,
që i kam prekur vetë
edhe pse mund të duken thjesht fjalë,
por janë më shumë
si në poezitë e Jacques Prevert.
 
Nuk janë lojë fjalësh
janë copëza,
që i di përmendësh
kilometra larg
e që më njohin mirë
më shumë nga ç’më njeh ti.
 
Lëri mendimet e mia
mos i trazo!
Mund të të dukem e pakuptueshme pas kësaj
por ç’rëndësi ka
ti mos …
ato janë të miat
edhe mënyra sesi kuptoj
edhe fjalët që përdor
madje edhe kur hesht
është heshtja ime.
Kupton…?
Qëndro larg
mund të të zihet fryma
heshtjet kanë përmbajtje toksike
të vrasin,
të vrasin brenda meje.
 
Lërë atë pikë aty!
Atë pikë të rëndë
apo hijerëndë,
si pikë kufiri
caku i lejueshmërisë
edhe nëse e kam gabim
është gabimi im
e nuk jap shpjegime afatgjata
për gjërat e mia,
për gjërat që nuk janë gjëra
për njeriun brenda meje.
 
Kaq mjafton!
Lëre aty!
 
 
 
Lutje
(tim eti)
 
Kam nevojë për prezencen tënde
ati im…
Kam nevojë të jesh.
 
Ne jetën e parë të humba
e bashkë me ty të gjitha lutjet.
Të krijova një jetë të dytë
sipas mënyrës time
të fsheha thellë tek sytë.
 
Dhe që atëherë jetoj dyfish:
herë siç vetë do doja.
herë siç do doje ti.
 
Kam nevojë për prezencën tënde
ati im…
Kam nevojë të jesh.
 
Edhe pse në mënyrë të padukshme
të ulesh këtu pranë meje
të flasim
të trazojmë të njëjtën kafe,
të të tregoj sa shumë jam rritur
e nuk ndjek më asnjë model në jetë
përveç asaj që më ke lënë
që ashtu si pa kuptuar
ua tejçoj vajzave të mia
me mënyrën tënde të të menduarit
sa herë pranë tryezës i mbledh
pëshpëris atë lutjen e vetë-sajuar:
“Ati im që brenda meje je
më udhëzo me shembullin tënd!”
 
Por…,
jo më si mungesë.
 
Kam nevojë të më qortosh
e pastaj të pendohesh fshehur
ashtu siç vetëm një prind e ndjen
duke më vlerësuar dy herë më tepër
e unë ta kuptoj nga sytë që shkëlqejnë.
 
Ose të bisedojmë bashkë
gjatë e gjërë motit
për zhgënjime jete të fshehura,
që s’ia kemi rrëfyer dot as Zotit.
 
E ngurtësuar i kemi tek sytë.
 
***
Se pavarësisht
Autostimës…
Kohës…
Mënyrës se si…
Kam gjithmonë nevojë të jem
…fëmija yt.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s