Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

SE SI MË DUKET VETJA!…

Se si më duket vetja nganjëherë
Tjetër njeri, në një tjetër portret!
Duket sikur shtëpinë e kam pa derë
Botën pa çati, themelet mbi tërmet!

Thonë, poetët janë tipa të veçantë,
(Kështu kanë thënë edhe më parë!)
Kur meditojnë duken të përçartë
Për vargjet, penën e ndezin zjarr!

Ti nuk çuditesh, më shikon me zili,
Ma di përmendësh këngën e zemrës
Fillon e mbaron, vargu, me dashuri
Puhiza në gushë të ndrinë si ëndërr!

Unë vetëm nganjëherë ndryshoj,
Janë çastet kur bisedoj me zanat
Jam i dënuar me to të “flirtoj”
Të çmenden të gjitha këmbanat!

Të grisin qiellin piskamat lajmëtare,
Retë çalamane të mbyten në lotë
Poeti që di të ndez vetëm zjarre
Me zjarr shpirti e ngroh këtë botë!

Ka ftohtë globi, polet rrisin acar,
Kënga e poetit si një diellshpresë
Këngë këndojmë sa jemi gjallë
Këngë dhe kur ikim nga kjo jetë.

***

Se si më duket vetja nganjëherë
I tëri dimër, i tëri dhe vjeshtë
Tërmet shpirti kam në themel
Pa frymën tënde-qiell i zbehtë!

 

PEISAZH E TË TRISHTA

Më thoshe dikur: “do vdes për ty!”
Unë s’të besova siç besoja veten.
Ndodh kështu kur je në zjarrmi
Kur buzët e çara digjen nga ethet.

Më thoshe dikur: “është puthja e parë!”
Unë s’të besova se s’besoja as veten
Për puthjen e parë dikur kam qarë
Sa edhe sot buzët më djegin.

Më thoshe dikur: “do të jemi bashkë!”
Pse kisha frikë të besoja të vërtetën?!
Gjithë ato zjarre-imazhe nëpër flakë ,
Peisazhe të trishta, gjurmë komete!

(nga vëllimi poetik “Sytë e Erës”)

 

MIQ TË VJETËR

Këmbëkryq
ulur dëshpërimi
mbi hijen time,
herë e mbart mbi shpinë,
herë më tërheq zvarrë.
Siamez të ishim
aq shumë s’do ngjanim!

Miq hallesh
këmbejmë rrudha mendimi,
herë shtigjet i hap unë,
herë dëshpërimi.

Eh,
dhe në kohët e reja
mbetëm miq të vjetër
dëshpërimi s’gjen dot si unë,
por dhe unë s’gjej dot tjetër!…

Ecim nëpër rrugë
krrusur nga trishtimi,
shtigjet që mbyll unë,
i hap dëshpërimi!

 

SA PAK KËRKON TI

Të pyes, çfarë të pëlqen si dhuratë?
Ti hesht aq bukur dhe flet me heshtje,
Në qiellin e syve dy yje me flakë,
Të falem o Zot, mërmëris me vete!

E lexoj heshtjen e heshtjes tënde,
Sa pak kërkon ti, oh sa pak!
Të mjafton zjarri im prej zemre
Në detin e shpirtit edhe një varkë.

Por unë për ty bëhem i tëri det,
Bëhem këngë zjarri e prushëruar
Në natën e pyjeve bëhem shteg,
Bëhem edhe kalorës i robëruar!

Bëhem shkallë të ngjitesh tek hëna,
Bëhem burim që të shuash etjen.
Bëhem shtrat të thurësh ëndrra,
Bëhem pasqyrë të shikosh veten!

Gjithëçka të falësh për ty ka vlerë,
Ti më ndez vetëm me buzëqeshje,
Ti ma ke bërë këtë jetë me dy diej
Me ty i them “vdeksh” dhe vdekjes!…

Sa pak kërkon ti, oh sa pak
Dhe sa shumë më ke falur mua
Nën qiellin e botës, pa ty, endacak
Me ty dhe zjarrit-zjarr i jap hua!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s