Mark Simoni: KËNGA E VETVETES / Rreth vëllimit poetik “Pentagrami i stinëve” të autorit Fejzi Murati, botim i Shtëpise Botuese “MUZGU”. Poezitë e librit janë të shoqëruara dhe nga shkrimet e autorëve Mark Simoni e Agron Shele


KËNGA E VETVETES

 

Nga: Mark SIMONI

Ka qenë impresionante poezia e Fazëll Hysny Dagllarxhasë, “…Qielli mbi ne, / Në botë ne ishim katër /…”, sepse me një grusht fjalësh dhe me tetë vargje, ky poet bënte kronikën e plotë të jetës, nga njëri cak në tjetrin. Po të njëjtën gjë bën Prusti tek “Në kërkim të kohës së humbur”, Xhoisi tek “Uliksi” apo Kafka në veprën e vet. E ngjeshin dhe e komprimojnë kohën e subjektit të tyre, në atë që quhet “letërsi ekonomike”, ku për shembull, e tërë jeta e Uliksit është e futur brenda një dite, nëpër rrugët e Dublinit.
Të gjitha këto mu kujtuan sot tek lexoja në dorëshkrim librin “Pentagrami i stinëve” i autorit Fejzi Murati. E gjithë kronika e jetës së tij, e hedhur në letërsi, është mbledhur në një libër me 140 faqe, si një ditar poetik. Kjo është patjetër poema e gjatë e vetvetes. Dhe për çudi unë dalloj se mes vargjesh, ka dhe poezi të tjera, ka subjekte të pathëna, ashtu si dhe Migjeni kishte “Kangët e pa k’nume”, Ataol Berhamogllu me “Vjershat që s’u thanë asnjëherë” apo Lorka me “Melodia e këngëve brenda vetes”. Dhe atëherë e kupton se libri i Muratit zmadhohet e zmadhohet më tepër se sa është fizikisht në duart tuaja. Ndodh tamam ashtu si mbi faqen e bardhë të dëborës. Ajo nuk është vetëm e bardhë dhe jo vetëm që të lëbyr sytë. Është më tepër se kaq. Poshtë saj ka jehona të çuditshme, (ndoshta të orteqeve që s’kanë rënë akoma), ka zhurmën e përrenjve që do të bëhen kur ajo të shkrijë.

 

Pentagrami i stinëve

Kjo ndodh duke lexuar “Pentagrami i stinëve”. Thellë ndieja tinguj këngësh, melodi gjithfarë, hapa vetmitare të poetit, tufanet që rrethojnë shtatin e këtij autori që shtegton brenda vetes. Fjordet, bashtinat, arqipelagët, kataraktet e ujvarave, (pavarsisht se Murati nuk i përmend askund), lexuesi i ndjen, i ka krejt parasysh. Ato perceptohen në gjeografinë e fshehtë të këtij libri, në përmasat e nënkuptuara, strukur brenda figurash e filozofish. Dhe e gjitha kjo situatë është brenda ateliesë poetike të Fejzi Muratit, është në avlëmendin e gjuhës, që autori e përdor me shumë sukses si manifest të artikulimit të ideve.
Madje në këtë zë brenda vetes që ka autori, ndjehet kujtesa dhe ndergjegja e letërsive të shkuara, patjetër dhe letërsisë orale. Lë Klezio kur flet për trashëgiminë letrare që na bëhet pjesë e vetëdijes letrare, thotë: “Ne nuk rrimë kurrë pa pyllin e vjetër, pa drurët e artë të tij”. “Ne mbajmë sukat brenda vetes, ashtu si korijet që lëvizin në letërsinë e Shekspirit”- shkruan dikund Milan Kundera.

 

Fejzi Murati

Fejzi Murati e ka pasuri të koshiences letrare tërë volumin e letërsisë pararendëse. Këto që shkrova, janë patjetër vaji i kandilit tim për të hyrë në kthinat e thella, në nëntokën e letërsisë së këtij libri. Çdo speleolog, (kur zbret brenda shpellave), ka kandilin me vajin e tij, dhe ndriçon ashtu siç di vetë. Por për një gjë jam krejt i sigurtë, që ky është libër përfaqësues dinjitoz i autorit, dhe bibliotekës së lexuesit i bën nder.

(Shënim: Vëllimi poetik “Pentagrami i stinëve” i autorit Fejzi Murati, botim i Shtëpise Botuese “MUZGU”, del sot nga shtypi dhe shkon tek lexuesi. Poezitë e librit janë të shoqëruara dhe nga dy shkrime, nga  Mark Simoni dhe Agron Shele).

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s