Ndahet nga jeta poeti e përkthyesi Nehat S.Hoxha(1951-2017) / Nga Flori Bruqi

Ndahet nga jeta poeti e përkthyesi Nehat S.Hoxha(1951-2017)
 
 
Nga Flori Bruqi
 
Në vend të përkujtimit për poetin tonë të madh Nehat S.Hoxha
 
Është ndarë nga jeta shkrimtari i njohur shqiptar Nehat S. Hoxha, poeti, që në vitin 1990 kishte shkruar veprën “Vdekja e poetit”.
 
Nehat S.Hoxha ishte edhe ekonomist, si dhe përkthyes e redaktori i shumë librave. Ishte edhe autor i shumë teksteve të këngëve.
 
Ishte Anëtari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si dhe laureat i shumë çmimeve letrare në Kosovë dhe Ballkan.
 
Lajmin për vdekjen e poetit e ka bërë me dije vëllai i tij, kitaristi i njohur Shefqet S. Hoxha.
 
 
“Lamtumirë Vëlla… Shihemi në një jetë më t’mirë…!”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook, të cilën e ka shoqëruar me një foto të përbashkët me tashmë të ndjerin.
 
Ndërsa miku dhe shoku i poetit Hoxha, Profesori i mirënjohur Ekrem S. Arifi ,në profilin e tij në Facebook shkroi sot :
 
“U nda nga ne miku im Nehat Hoxha . Njiheshim në vitet e hershme të rinisë në Ferizaj , ndonëse ai mësonte për ekonomi , kurse unë mësoja në gjimnaz në gjeneratën e parë. Takoheshim shpesh në aktivitetet e lira siç i quaniim ne atëherë.Dallohej sidomos me lojën në kitarë , në shkrimin e poezive dhe tregimeve poetike. Ishte mjeshtër i përdorimit të figurave stilistike. Shkrimet e tij ishin plotë simbolik dhe metaforë . Gjenerata e jonë mburreshim me te. Kishte afri me shokët e tij , ishte solidar me ta . Gati 30 vite më vonë edhe fëmijët tanë Perëndia i bashkoi në lidhje bashkëshortore , ne vetëm i bekuam ata.Miqësia jonë vazhdonte me sukses , tash humba edhe mikun e shtëpisë , njeriun e dashur e suptil , por trashëgimia që na la është e pashlyeshme në kujtesën tonë.Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty miku im !”
 
 
Nehat S. Hoxha u lind në Ferizaj, Kosovë, më 1951. Edukimin themelor dhe atë të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse studimet e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe Provimin e posaçëm profesional për punë të tregtisë së jashtme(specializim) në Beograd.Në skenën e letrave shqip u shfaq nga vitet ’70, me poezi,tregime, vargje për këngë, përkthime, sidomos ato letrare nga anglishtja. Ka pëkthyer edhe shume filma artistik, arsimorë e vizatimorë për TV, Radio, Gazeta dhe Revista. Redaktor i shumë librave të krijuesve letrarë, figurativ, muzikor. Fitues i dhjetra çmimeve letrare. Është anëtar i Lidhjës së Shkrimtarëve të Kosovës.
 
 
Vepra të botuara:
 
1. Vdekja e poetit, Rilindja, Prishtinë, 1990;
2. Lindje në plojë, Redaksia “Fjala”, Prishtinë, 1992;
3. I mërguar në atdhe, Druck Art, Prishtinë, 1996;
4. Fjalor Elementar Anglisht-Shqip, 1996
5. Oguri, roman, Ministria e Kulturës, 2003
 
 
Vepra të përkthyera nga anglishtja:
 
1. T. Williams, “Menaxheria e qelqtë” (dramë), 1983
2. L. Hjuz, “Mbretëria e frushkullit”, (Poezi), 1985
3. R. Tagore, “Bukurezat”, (Poezi), 1986 4. H. Xhibran, “Profeti”, (Poezi), 1987
4. H. Xhibran, “Profeti”, (Poezi), 1987
5. O. Uajlld, “Kallëzime”, (Tregime për fëmijë), 1988
6. U. B. Jejts, “Ringjallja” (Katër drama), 1989
7. E. A. Poe, “Politiani”, (Dramë), 1989
8. L. Gillis, “Korb midis egërsirash”, (Dramë), 1987
9. S. Beket, “Fundi i Lojës”, “Jehona, Shkup, (Dramë), 1987
10. K. Marlo, “Dr. Fausti kobzi”, (Dramë), 1989
11. N. Shop, “Furka e mistershme”, (Dramë), 1990
12. A. Gajtani, “Lule më lule”, (poezi, nga shqipja në gjuhën serbo-kroate, Tuzla, BH) 1989;
13. O. Uajlld, “Je ai që je”, (Dramë), 1988
14. F. A. Hajek, “Individualizmi dhe rendi ekonomik”,“Eureka, Prishtinë, 1996;
15. Panteon i Laureatëve të Çmimit Nobel për ekonomi: prej klasikëve deri në shekullin tonë;
16. O. Uajlld, “Saloma”, (Dramë) 1985 17. T. S. Eliot, “Vrasja në Katedrale”, (Dramë), 1988 18. Kënga e Rolandit, 1987
 
 
Poezi nga Nehat S. Hoxha
 
 
KOSOVA E VOGËL GOLLAKU I MADH
 
Kosova e Madhe ka shtatë vëllezër e shtatë motra
Njërin nga vëllezërit e quajmë Kollak
Qysh nga Nata e Lerthave përpara jetës në këtë botë
Dhe me pinjojtë e pa jetës me Perandorë e Perandori
Me Justinian e pasardhës trashëgimie
Me Bederianë në Brainë e Damastion
E me kulmin në kupë të qiellit me Kitkën
Me Tuma, Gomore, Kështjella e Kulla
Dhe me Kulltin e Mrizit të Shenjtë
Mbollën jetën në tokë e në qiell
Me Mulla Idriz Gjilanin e Shyt Marecin
Në luftë me Serbinë
Me Hoxhë Brainën e Xhon Serreçi
Dhe me ushtrinë e pareshtur në vijë
Të qeiesisë Dradani
Që nga zona toponimike për ruajtjen e gjurmëve
Pellazgo-Ilire, Kelte, Romake, Bizantine. Gote, Avare, Sllave,
Sase, Saksone e Osmane
Ku Prishtina pi unë
Në Golla, në Gallap, Galabri e Gavisë
Nga antika në jetë të re
Me trungje nën dhe
E me shekuj nga Toplica, Keçekolla, Prapashtica
Djegur mizorisht në zemrën e Dardanisë
Me Samakovë ku shkrihej hekuri
Me fudanet e shekujve pas shekulli
Lota e Selmani, Isa Kastrati, Zahir Pajaziti,
Huruglica, Ramabaja
Dhe Mentori Idriz Ajeti që quhet identiteti
I kësaj gjuhe kaq hyjnore
Që s’na le të shënojmë vdeekeje prore
Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Metush Krasniqi, Rexhep Mala…
Dhe paturpësia
-Lavi të mbjellurve të kësaj toke
 
 
 
MBRETËRIA E JETËS
 
Mirëmëngjesi vdekje
Urdhëro urdhëro
Do çaj kafe llokum raki
apo një kupë shpirt
Mysafire më e përditshme në derë
për ty nozullimet i kam si përherë
 
(Si s’më le një ditë të vetme të më marrë malli
për emrin tënd – për praninë tënde?)
 
Urdhëro urdhëro
Kam një gjysmë nate qyshse gjë nuk di
cilin nga njerëzit e mi ke mbetur pa marrë në gji
 
Do çaj kafe llokum raki
apo një kupë gjak
 
O ç’i krisur që je i lumi poet
Ku flet mbretëresha me mbret varfërie?!
 
Vajti gjysmë jete, u bë pikë e ditës
Erdhi si në çast ora e vizitës:
– mirëdita vdekje – urdhëro urdhëro
Do supë prej angrrash a prej kockë kafke
Do zemër të pjekur, shkrumbuar në prush
apo mushkëri a veshka të njoma
sa s’më janë ftohur të sotmet kufoma
 
Urdhëro urdhëro
E di që nuk flet
Ti mbaro gostinë fjalët i them unë
Ndaj më more burrat që ruanin votrën
më more dhe nënë motra edhe bija
more moshë urtie dhe more ferishte
për jetesë më le yajet e mërgimit
kurse për çdo kremte: këmishë të pikëllimit
 
A ngopesh a s’ngopesh s’është gjëpunë për mua
shko në Mbretërinë tënde – në daç rri tek unë
Por s’vij dot me ty pa mbaruar punë!
 
Mirëmbrëma, vdekje! Urdhëro!
Urdhëro! Hyrë. Rri sa të duash!
Gjë gosti nga unë mos prit pa dalë dielli!
Atëbotë të pres me tryezën plot.
 
Mirëmëngjesi, vdekje!
Urdhëro, urdhëro!
Do çaj, kafe, llokum, raki
Apo një copë zemre 3.000 vjet përditë kopanisur
mbase me të ngop barkun tënd të grisur!
 
Pra, ti frymën ma merr!
Ma merr edhe trupin siç more lirinë edhe robërinë.
Ja që (Sic!) s’të jap – S’të jap Dashurinë!
 
 
 
LULE DHE KËNGË
 
Lulja e do këngën
Kënga e rrit lulen
Kështu ka thënë Zoti
 
Njëra-tjetrës i përkulen
 
Lulja i jep këngës
Ngjyrën kuq të gjakut
Kënga i kthen lules
Shpirtin e zambakut
Kur ligjëron kënga
Lulja e merr ngjyrën
 
Dritëson nga brenda
 
Zbukuron natyrën
Fryte dashurie
Janë lulja dhe kënga
Lumturi njerëzie
Për një jetë pa brenga
 
 
 
SI QUHET DËSHPRIMI
 
Për 55 vjet rresht trupi më mblodhi të gjitha fëlliqësirat e botës
e njerëzit e mi i quajnë bukuri përrallore.
 
Për 55 vjet rresht turpi shtresoi bukurinë e shëmtisë si rreng dashurie
kurse të mitë ngazëllehen me gënjeshtrën që u zbukuron jetën
 
Kishim ëndrra nga më të fismet
për stolinë e virtyteve që bëjnë të kamur
jetesën me identitet estetik për dashurinë globale
në sofër bote shqiptare dhe atë të botës së madhe
 
Nanuritëm iluzione për t’i ikur vërtetësisë së rrojtjes në këtë jetë
dhe fituam zhgënjimet më të fundme të fundrrinave tona
teksa synonim të shquheshim për zotërinj të cilësive dhe fatit
 
Arritëm ballë muri pa derë dhe na u humbën rrugët
që kishim shtruar me limfën e shpirtit
 
Si quhet dëshpërimi me gjuhë bote
 
 
 
NOJMA E SHQIPES
 
i kushtohet Shqipes aq të kamur nga bukuria
dhe kaq të drobitur nga robëria
 
Pushtetin sterrë netve djallëzore
me ditët tash kaq vjet që vijnë me rroba zie
e përballa falë nojmës së syrit tënd
tek më hapte shtigje një orbite të bruztë
tej territ tej retinës tej zemrës sime
 
Net bartolomejsh në sund sterre
i mbaja në dry me shpresën tek ti
në rendje pareshtur tërbimi
më shkulnin dorën
më shkulnin krahun
këmbët rropullitë ballin me dritë
Po zemra ngjeshur me dashurinë për ty
i zbonte e më gdhinte një tjetër ditë të zisë
 
Lirikën aq shumë e dua
porse ma vrugon patetika
Kordhëzhveshur më përmbys edhe mbretërinë e ëndrrës
Je nojmë dashurie – nojmë djalli je
Shtojzovalle a bijë bushtre
Orëshuar jetën mos e le
Sepse vjen dhuna vjen ankthi vetmia vjen
Drobitem zgërlaqem ronitem
Por, vjen Shqipja e më shenjon
Davaritet vagëllia
dhe unë rilindem
rilindem rilindem
 
 
 
I MËRGUAR NË ATDHE
 
O moj botë, e lumja botë
në sytë e tu a nuk ke lotë
Për të qarë, për të qarë
për ç’më ndodhi, ç’më ka ngjarë
në vendin tim plot pikëllim
ku gjëmon e oshëtin
ku qan nëna përmbi dhe
mbi kokë djali besë e fe
Ti ku je moj, ti ku je?
Si s’e sheh moj? Si s’e sheh?
 
Dhjetëqind vjet, moj!
Dhjetëqind vjet me kuj në tokë e det
s’mund të shihet me vëllanë ndaj e ndanë
dhe e ndanë me sinorë
e sinorë ku ndrin dielli, bie borë
i kërkojnë pasaporta
kur i shkon birit ke porta:
A ke parë moj, mbi këtë dhe
mërgimtarë në atdhe?
 
Na dhe jetën, na dhe Torën
Shenjtin Libër, edhe shkollën
Ramajanë Mahabharatë
ku na njeh dhe gur’ i thatë
Na dhe besë na dhe Kur’an
këngë kreshnike e Rolan’
Nibelungë, ah e bung
për t’na bërë gurë e cung
për t’na thënë: të pa-fe
pse mërgoheni në atdhe!?
 
I mbrujtur me kuq e bardh
me zemër e me karar
kisha marrë udhën e botës
me trastën e dijes mbarë
Kaq qindvjeç që isha bërë
terr e dritë më kishin vrarë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s