Hedonitë e Fjetura / Poezi nga Vezir Ukaj

Poezi nga Vezir Ukaj
 
(Shkrimtar, publicist, ish i dënuar politik)
 
 
Hedonitë e Fjetura
Prishtinë
2009
 
 
 
Qëndresë
(gusht 1964, kushtuar Fazlli Grajçevskit, të vrarë në burgun jugosllav)
 
Miku im nuk u dorëzua u desh ta vrisnin
në vend të huaj lumi trupin ia dërgoi
si në përrallë u ringjall prapë i ri
ja ku më vjen për çdo natë në një këngë
e më lut edhe unë t’i qendroj pranë…
 
Po ku mundem ti i vdekur unë i gjallë
Ty s’të dhemb ti nuk digjesh plumbi s’të kap
a nuk kam qenë dhe unë si ti prapë më thotë
në këtë botë dhe në atë tokë njësoj është..
 
Pse atje jetë e vërtetë a më pret të shpresoj
kot ëndërroj si ti s’bëhem moshë nuk kam
të ri të vranë e unë në pleqëri asgjë s’kam
Vdekja ime s’e ka vlerën që pati kaherë
në atë pranverë të vdisja unë kur të vranë
do të mund të dilja nga kjo jetë të hyja në këngë.
 
Qendro më the dhe ti shkove asgjë nuk more
çka më mbeti veç kjo barrë që i thonë robëri
Ti atje në liri në pafundësi në një parajsë
a jam më i gjallë a më i vdekur sesa ti..
 
 
 
Zgjimet e qershorit
 
Sa herë bën viti qershor
hapen dyert e burgut
të vizatuara në mbamendjen time.
 
Hallkat e hekurit të zi
përbirojnë frymëmarrjen time
këngë të duket mallkim është…
 
Kënga zgjedh zgjimin e ditës
një mijë net nata pa asnjë ditë bën
ç’ka ndodhur pse nuk lind dielli
dielli në mendjen time…
 
Sa herë vjen qershori
ngrica e dimrit
më shtyn të vishem trashë
si netëve të vetmisë sime
nëpër birucat e burgut…
 
Po në qershor
për mua piqet edhe gruri
lulet më bëjnë ferra në rremb
trëndafili më duket i zi si nata
e ndarjes sonë të parë…
 
 
 
Ëndërra shuan etje
 
Ҫ’ është dashuri e fshehtë
mund ta kuptosh nga ëndërra
ëndërra liqen magjik është
në frymëzime lirike lahet…
 
Me trupin tënd larë djersësh
ajo vetëm del shtrati…
 
Fjala e helmuar lundron lakuriq
rrugëve të panjohura
largësive u buzëqesh me pikëllim.
 
Në kullë ngujohet fati
e gjuajnë me predha
rëndë e plagosin
e plagët irnosen në trupin tim.
 
Me vdekjen e këngës gazmore
vullkani i fikur kaherë fle…
 
 
 
Ka rrugë përsëri
 
Do rrugë të zbresin deri poshtë
Në luginat e lumenjëve Akeron
Kah Bjeshkët me shpella Maraban
Ku shpien shtigjet e rrezikshme
Nga kanë vdekur të gjithë ata
Që vajtën pas Gëzofit të Artë…
 
 
 
Vegimet gllabëruese
 
Era çmendet në dritare
vegimi gllabëron shpirtin
Zemra e njomë digjet
Për një buzëqeshje.
 
 
 
Pranverë e borë
– Këshillë-
 
Kafshohet bota ditë e vit
pret e zgjohet
Biri i zbehtë
tradhtarët ngado njësoj janë.
 
Ruaje si sytë atë që të ruan
tridhjetë në numrin e ditëve
të hequra në pritjet pambarim.
 
Puthjet janë shi që rrit dashurinë
Zemra nuk është fjalë po shpirt
vetëm dyshimi vret dashurinë…
 
 
 
Janë do thirrje
 
Nga lart sodit Ylli Polar
bën ditë shtegun
ai shumë zbehur
rrugës nga jam nisur
të mos kthehem kurrë…
 
Ështe një zë një thirrje një vaj
që më grish përpara të eci
deri te dita që i thonë besnike
deri tek ajo që i thonë dashuri
 
Nga lart më sodit Ylli Polar
jo or vëlla pleqërishte është kjo
Nuk marr dot rrugë
jam në lëngatë
jam shtrirë këtu në pritje
m’i bie jetës sime shi
m’i bie jetës sime pluhuri
i rrugëve që kam sosur kaherë
 
Janë do thirrje janë
s’ka fjalë. Ende i dëgjoj
o sot o nesër një ditë patjetër
do të zgjohem unë
në mos unë
ata që vinë pas meje me bujë…
 
 
 
Mos pyet
 
Vuajtja ime nuk ka emër nuk ka adresë
nuk ka shtëpi nuk ka qytet as atdhe
vuajtja ime më ka vetëm mua të vetmin
që më vjen e më ankohet përditë…
 
Vuajtja ime nuk ka emër
Nuk mund ta gjurmosh
t’i pyesësh njerëzit
të shfletosh Adresar Kalendar
t’i pyesësh fëmijët e rrugës
si e ka emrin vuajtja e huaj..
 
Mos më pyetni për vuajtjen time
ajo nuk ka amë as nuk është fjalë
si t’jua prezantoj si t’ia nxjerr letërnjoftimin
certifikatë lindjeje nuk ka. Vuajtja ime
nuk dihet as dita e lindjes së saj
as dita kur do të vdesë një herë e vetme…
 
 
 
Dashuri e dhimbje
 
Dashuria ime është e verbër
merr në thua në urrejtjen
e rrëzohet në shtratin e harresës.
 
Dashuria ime është e verbër
kur kaloj pranë saj nuk më sheh
vetëm kur e prek me dorën time
ajo dënes si streha kur pikon.
 
Dashuria ime është e verbër
bën dilemë këndej e andej
dy zjarre një dashuri
një jetë kam e di…
 
Kur jam vetëm e imitoj
e shaloj heshtjen
si në ëndërr ku askush
nuk më pyet
nga duhet të nisem unë…
 
Kështu është mike
Dashuria ime
ajo është e verbër
e unë
ç’ka jam unë
që nuk të shoh asnjëherë
 
Huqet nuk hiqen
dije këtë punë
Mike…
 
 
 
Më mirë do të ishte
 
Sikur të mos të njihja
do të kisha dashur më shumë
sikur të të kisha njohur
do të kisha urrejtur më shumë
po as urrej as dua
as ti nuk je…
 
 
 
Mos i fol mëngjesit
 
Mos fol me agun kur je i vjetër
kur je i ri të qet buza tambël
mos i fol mëngjesit
me gjuhën e vjetër.
 
Shih sa i ri është kuptimi
i çdo kënge të agimit…
 
Loja në ëndërrat e tua deri në ag
kur del agu mos i fol mëngjesit
dije se me gjuhë gjithçka gjithnjë
nuk thuhet po veç me zemër…
 
 
 
Qiell i plagosur
 
Qiell i plagosur
nga thikat e dritës
fik yje nate
një mijë e një fshehtësi…
 
Dënes rropulli toke
poshtë bie qielli im
Terri këtu merr frymë…
 
Jetojnë hije gjallë
Sytë nuk shohin
ata flasin
Gojë kyçet heshtja….
 
 
 
Të quhemi me një emër
 
Kurrë mos ma përmend emrin e tokës sime
se e kam në çdo pore të lëkurës
mbuluar me pluhurin e rrugëve të kurbetit…
 
Kurrë mos më prit më as natën e festës
janë fikur të gjitha dritat larg atje
nuk shihet dot kulla jote as rruga ime
Nata po më vë magji me do ëndërra të reja…
 
 
 
Siluetë
 
Përgjon heshtja
përvidhet si skile
plagos shpirtin tim…
 
Kafshon terri
Trup e shpirt më ndrydh
Plaga më pëlcet…
 
O fantazmë kohe
bishtnoma rrugën
mos më vrit udhëtimin.
 
Paturpësh rrëzohesh
Tempull dashurie…
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s