“Dehje nga metamorfoza” (Roman) – STEFAN CVAJG / Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

“Dehje nga metamorfoza” (Roman) –  STEFAN CVAJG

Tërë natën Kristina rri ulur, e palëvizur, në kolltukun pranë tryezës. Mendimet që i gumëzhijnë rrëmujshëm në kokë sillen rreth një gjëje të vetme, rreth faktit që gjithçka mori fund. Kjo s’është një dhimbje e përcaktuar, e shpjegueshme, ajo mbetet në gjendjen e topitjes, me ndjesinë trishtuese të një ndodhie të pakuptueshme, ashtu si gjatë një operacioni me anestezi, kur njeriu ndien vagëllimthi therjen e shkaktuar nga bisturia që çan trupin. Dhe duket se diçka ndodh ndërsa ajo po rri ashtu e heshtur, me sytë si dy zgavra të zeza, mbërthyer mbi tryezë, diçka që trupi i saj i paralizuar s’e kap dot: kjo krijesë e re, e ndryshuar, kjo dubluese gjatë nëntë ditëve të ëndrrës, kjo zonjushë Fon Bolen, irreale e njëherazi reale, është duke vdekur brenda saj. Ndodhet akoma në dhomën që ka zënë kjo e fundit, ka shtatin e saj, perlat e saj rreth qafës së akullt, ngjyrën e kërmëztë mbi buzë, fustanin e saj të preferuar mbi supe, fustan i lehtë si flatër pilivese, por të gjitha këto ia rrëqethin trupin në një mënyrë të çuditshme, si qefini i një kufome. Ato s’i takojnë më asaj, ajo s’ka më asgjë nga kjo botë superiore, tejet e lumtur, gjithçka është tjetërsuar, të gjitha janë shndërruar në sende të huajtura, si ditën e parë. Pranë saj, shtrati i bardhë me jorganin e butë, tendosur në mënyrë të përkryer, ofron ëmbëlsi e ngrohtësi, por ajo nuk shtrihet në të, ai s’është më i saj.

Nga të gjitha anët vezullojnë mobiliet, qilimi rrezaton prehje e qetësi, por të gjitha këto salltanete bakri, kristali e mëndafshi nuk i ndien më si të vetat, njësoj sikurse nuk i ndien si të vetat dorashkat në duar ose perlat në qafë, të gjitha këto i përkasin asaj tjetrës, dublueses së saj të vrarë, të quajtur Kristianë fon Bolen, që ajo edhe s’është më, edhe është akoma. Rreket ta harrojë këtë vetvete artificiale e të rigjejë tjetrën, të mirëfilltën, e shtrëngon veten të mendojë për të ëmën, që është e sëmurë dhe ndoshta mund të ketë vdekur, por, sado që përpiqet ta kujtojë, nuk ndien dhimbje, nuk ndien shqetësim, një ndjesi tjetër përmbyt gjithçka, është një mllef, një mllef i shurdhët, i mërishëm, por i fuqishëm, një mllef që nuk shterohet dot dhe vrumbullon në birucën e tij, një mllef i pamasë, ajo s’e di kundër kujt, kundër tezes, kundër së ëmës, kundër fatit, është mllefi i një krijese të katandisur në viktimë të një padrejtësie. Në shpirtin e saj të brengosur ka mbetur vetëm ndjesia se i kanë marrë diçka, se duhet ta braktisë atë vetveten tjetër me flatra e të shndërrohet sërish në një larvë amorfe, të verbër, zvarritëse, dhe se diçka është zhdukur, është zhdukur për të mos u kthyer më kurrë.

Mbetet ashtu e ulur në kolltuk tërë natën e natës, burgosur në mllefin e saj si në një bllok akulli. Përmes dyerve të veshura me tapiceri nga brenda ajo s’arrin të dëgjojë gumëzhimën e jetës së të tjerëve në hotel, frymëmarrjen e lirshme të atyre që flenë, rënkimet e dashnorëve, ankimet e të sëmurëve, ecejaket e shqetësuara të njerëzve që vuajnë nga pagjumësia; përmes xhamit të derës së mbyllur të ballkonit s’e dëgjon erën, e cila, aty ndaj të gdhirë, fryn rreth e qark ndërtesës së përgjumur, s’ndien gjë tjetër përveç vetes së saj, vetmisë së saj në këtë dhomë, në këtë hotel, në këtë botë, një masë e mishtë që merr frymë e drithërohet, akoma e ngrohtë si një gisht i prerë, por tashmë i padobishëm e fuqihumbur. Është një vdekje e rëndë shpirtërore, një ftohje e pandalur, dhe ajo rri ulur, e ngrirë, thua se po përgjon çastin kur më në fund zemra e zjarrtë Fon Bolen do të pushojë së rrahuri brenda saj. Dhe, pas një kohe të pasosur, ja ku mbërrin edhe mëngjesi. Dëgjohen pastrueset që fshijnë korridoret, dhe kopshtari poshtë që shtron zhavorrin me rashqel: nis dita e mirëfilltë, e pashmangshme, fundi, udhëtimi. Tani duhet të bëjë gati plaçkat, të ikë, të shndërrohet prapë në atë tjetrën, të bëhet sërish nëpunësja e postës Hoflener e Klajn-Rajflingut dhe të harrojë atë që fryma i fluron aty me valëzime të lehta, të tejdukshme, rreth e qark sendesh luksoze.

Kur bën të ngrihet, Kristina ndien së pari se i janë ngrirë tërë gjymtyrët, ndien një lodhje marramendëse, katër hapat që hedh për të shkuar gjer te gardëroba i ngjajnë si udhëtim nga një kontinent në tjetrin. Meqë gjymtyrët e saj të mpira janë kthyer në një masë inerte, e hap me mundim derën e dollapit dhe brof përpjetë kur shikon se fundi i Klajn-Rajflingut dhe ajo bluza e urryer po luhaten aty brenda si një trup i varur, i irnosur, i zbërdhulët; kur gishtat e saj i kapin për t’i nxjerrë, provon atë pështirosjen rrëqethëse të atij që prek një send në kalbëzim, asaj i duhet të shndërrohet sërish në atë kufomë të quajtur Hoflener! S’ka rrugë tjetër. Zhvesh me të shpejtë fustanin e mbrëmjes, që rrëshqet i lehtë e frushullues si letër mëndafshi përgjatë këllqeve të saj, nxjerr njërën pas tjetrës nga gardëroba të brendshmet, fustanet, trikon, të gjitha ato nja njëzet gjërat e magjishme që i patën dhënë, heq nga qafa gjerdanin me perla, duke mbajtur vetëm ndonjë dhuratë që i kishin bërë, gjithë-gjithë një bagazh i vogël, që e nxë fare lehtë valizhja e saj mjerane prej thuprash. Dhe sakaq gjithçka është gati.

Mbaroi dhe kjo punë! Hedh për të fundit herë një vështrim rreth saj. Mbi krevat janë shpërndarë andej-këtej fustanet e mbrëmjes, këpucët e ballos, rripi, këmisha rozë, trikoja, dorashkat, thua se një shpërthim e kishte bërë copa-copa atë qenie fantazmagorike, zonjushën Fon Bolen. E drithëruar nga tmerri, Kristina sodit mbeturinat e fantazmës që pati qenë ajo vetë. Vështron rrotull se mos ka harruar ndonjë gjë të vetën. Por asgjë s’i takon më asaj. Të tjerë do të flenë në këtë krevat, të tjerë do të sodisin nga dritarja këtë peizazh të mrekullueshëm, të tjerë do të shihen në këtë pasqyrë të lëmuar, veçse ajo kurrë më, kurrë më! Kjo s’është ikje, kjo është një lloj vdekjeje.

(Stefan Zweig: “Dehje nga metamorfoza”,
Titulli i origjinalit: “Rausch der Verwandlung”,
Roman, 274 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s