NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË / Nga Xheni Shehaj

NJË VËSHTRIM KRAHASIMTAR MES “LAHUTËS SË MALËSISË” DHE EPOSEVE TË AUTORËVE SLLAVOJUGORË

  1. Beteja e Fushë Kosovës (1389) si pjesë e eposit sllavojugor

8.1.  Beteja sipas të dhënave historike

Beteja e Fushë- Kosovës e vitit 1389 zë një vend të rëndësishëm në historinë e Ballkanit. Për të është folur dhe flitet ende, janë shkruar studime, kujtime, vargje popullore për heronjtë pjesëmarrës në të. Historianë dhe studiues të ndryshëm e kanë përmenduar qindra herë, kanë zbuluar të thënat e të pathënat e kësaj kasaphane. “Beteja e Fushë – Kosovës ishte një betejë e popujve në të cilën morën pjesë ushtritë e koalicionit të shteteve ballkanike të formuara qysh më 1387, midis të cilave më kryesorët ishin shteti serb i Moravës me sundimtar Knjaz Lazarin, kundër të cilit ishte drejtuar tashmë sulmi osman, shteti feudal shqiptar i Balshëve me në krye Gjergj II Balsha, Principata e sundimtarit serb Vuk Brankoviç në Kosovë, Mbretëria e Bosnjes me sundimtar Tvërtkon.”76

————————————–

74  Ivan Mazhuraniq, Vdekja e Smail – Agë Çengiqit, Beograd,  1963, f. 50.

75 po aty, f. 37.

76  Selami Pulaha, Shqiptarët dhe beteja e Fushë – Kosovës e vitit 1389, në: Beteja e Kosovës 1389, përmbledhje studimesh, Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005, f.  21 – 22.

Nga të dhënat historike, merret vesh se dhe shqiptarët kanë marrë pjesë në betejë përfshi dhe shqiptarët e Kosovës. Madje heroi i betejës është një kosovar, i cili i pret kokën Sulltanit I. “Në betejën e Fushë – Kosovës nuk morën pjesë vetëm forcat ushtarake të shteteve feudale të Balshëve, të Jonimëve, të Muzakëve, por dhe luftëtarë nga popullsia shqiptare e Kosovës.”77

Beteja qe e ashpër dhe me humbje të mëdha për të dyja palët. Nga të dhënat e nxjerra prej arkivave dalin në dritë çështje të rëndësishme si; tradhëtia e Vukut, vrasja e Sulltanit, përkatësia etnike e Millosh Kopiliqit (Obiliqit), etj. Ngjarjet e mëdha populli i memorizon, për t’i kujtuar në çdo kohë. Këtë fat e pati dhe kjo betejë. Për të popujt e vendeve pjesëmarrëse kanë krijuar vargje nga më të bukurat. Secili vend ngrin lart heronjt e vet, u këndon trimave e bëmave të tyre. Këtë ngjarje historike e kanë shfrytëzuar në eposet e tyre dhe autorët sllavojugorë duke e shndërruar këtë betejë në një ‘mit’. “Miti i Kosovës me konotacionin simbolik të së ‘drejtës historike për të jetuar’ gjendet tek të tre autorët e eposit romantik sllavojugor. Këngët popullore sllave që e paraqesin këtë inavariant vizatojnë një ngjarje ‘historike’, e cila është shtresëzuar nga elemente të legjendarizuara.”78

Në dy autorët sllavë që kemi marrë për analizë, ky ‘mit’ është prezent por duhet thënë që te Njegoshi ka tjetër peshë. Nëse te Mazhuraqi nuk shtjellohet gjatë, te Njegoshi përmendet beteja, tradhëtia e Vukut, ‘miti i Lazarit’, trimëria e Milloshit. Duke vërejtur këtë çekuilibër  kemi bërë një ndarje të ngjarjes historike, tashmë të tjetërsuar për shkak të përdorimit të saj në një tekst letrar, një ndarje të tillë; miti i Lazarit, tradhëtia e Vukut dhe përkatësia etnike e Milloshit, akti i tij heroik.

8.2. ‘Miti’ i Lazarit

Knjaz Lazari ishte princ i serbëve. Sulmi osman ishte drejtuar kundër tij dhe shtetit të tij ndaj princi bashkë me fuqitë e tjera ushtarake të vendeve fqinje formuan koalicon për t’i bërë ballë osmanëve. Figura e këtij princi është aq e njohur dhe e dashur në Serbi sa që e shpallën shenjt.

“Lazari u shpall shenjtor nga kisha serbe një ose dy vjet pas vdekjes, kur trupi i tij më 1391 u përcoll në mënyrë solemne nga jerarkë të lartë të kishës dhe shtetit serb nga Prishtina për në Manastirin e Ravanicës që e kishte ngritur vetë.”79

Knjaz Lazari u bë kult, mit për popullin serb nëpërmjet epikës, këngëve popullore. Njegoshi e paraqet figurën e princit ser btë ‘shenjtë’. Ai ka marrë përmasa legjendare, përrallore. Kur vojvoda Drashko sheh një qyqe dhe kërkon ta vrasë atë, Vukë Rasllapçeviqi i lutet mos ta bëjë atë veprim sepse qyqet janë bijat e Lazarit që vajtojnë të atin.

———————————-

77 Selami Pulaha, Shqiptarët dhe beteja e Fushë – Kosovës e vitit 1389, në: Beteja e Kosovës 1389, përmbledhje studimesh, Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005, f. 25.

78  Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 89.

79 Luan Malltezi, Beteja e Fushë – Kosovës dhe kontributi i shqiptarëve, në: Beteja e Kosovës 1389, përmbledhje studimesh, Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005, f. 63 -64.

Vukë Rasllapçeviqi

“Kuj po i matesh n’xheferdare, Drashko?

Vojvoda Drashko

Unë deshta me vramun nji qyqe,

por po m’vjen keq m’e prishun fishekun!

Vukë Rasllapçeviqi

Mos, o Drashko, pash at jetën tande!

Sepse qyqet kurr s’asht mirë me i vramun;

a nuk po din, he mos t’gjetë e liga,

se qyqet janë bijat e Lazarit?”80

Duket se Njegoshi ka marrë material nga eposi serb. Figura qëndrore e këtij eposi është car Lazari. Dhe kjo është normale pasi ai ishte mbreti që udhëhiqte ushtrinë serbe në atë betejë. “Legjenda serbe, e fuqizuar nëpër shekuj nga krijimtaria kulte, e ka ngritur figurën e car Lazarit në shkallën e një shenjtori që parasheh në ëndërr fundin e tij tragjik, që shkon me një qetësi stoike drejt vdekjes për ‘fenë e Krishtit’ etj.”81

Aq shumë përmendet cari serb në epikë sa figura e tij ka marrë përmasa të stërzmadhuara. “Mund të themi se tiparet kryesore të eposit serbokroat janë ndërgjegjja e thellë se beteja e Fushë – Kosovës shënonte në vetvete shembjen e Perandorisë Serbe. Atje u këndohet feudalëve serbë me figurën kryesore princ Lazarin aq sa disa studiues e kanë quajtur Lazaricë.”82

Figura e Lazarit përmendet te Njegoshi siç dhe e paraqitëm. Njegoshi duke përdorur simbolin e qyqeve kërkon të tregojë rëndësinë e carit, humbjen e tij që sjell dhe metamorfizimin e vajzave, (dhimbja për humbjen e babait ishte aq e madhe sa vajzat se duruan dot dhe u kthyen në qyqe, këtë legjendë e gjejmë dhe te folklori ynë). Në themel të rrëfimit për betejën është tradhëtia dhe heroizmi i Milloshit që sipas Njegoshit është serb.

——————————————

80  Petar Petroviq Njegosh, Kunora e maleve, Prishtinë, Shtëpia botuese “Rilindja”, 1981, f. 45 – 46.

81  Qemal Haxhihasani, Beteja e Fushë – Kosovës në epikën popullore shqiptare, në: Beteja e Kosovës 1389, përmbledhje studimesh, Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005, f. 159.

82 Petrika Thëngjilli, Vlera e burimeve osmane për betejën e Fushë – Kosovës, në: Beteja e Kosovës 1389, përmbledhje studimesh, Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005, f. 167.

8.3. Tradhëtia e Vuk Brankoviqit

Vuk Brankoviqi ishte sundimtari serb i Kosovës dhe njëkohësisht dhëndërri i car Lazarit. Sipas të dhënave historike Vuku tradhëtoi ushtrinë ballkanike te turqit. Si dhëndërri i carit ai rrinte në krah të djathtë të të vjehrrit. Vuku del si antagonist i Millosh Kopiliqit (Obiliqit). Sipas epikës sllave Vuku është tradhtar. “Këngëtari popullor sllav ngul këmbë se në luftën e Kosovës 1389 ka pasur tradhëti:

Por nuk pash gjëkund Brankoviqin,

nuk e pash, mos e paftë diellin!

Tradhëtoi ai mbretin e vyer,

Zotin tim edhe Zotin tuaj.”83

Kështu këndon këngëtari sllav për Vukun. Mesa duket dhe Njegoshi ka marrë si pikënisje këngën popullore serbokroate, pasi dhe ai e nxjerr Vukun si tradhëtar.

“O Brankoviq, o ti pjell’ e flliqun,

a thue njashtu vendit i shërbehet?

a thue njashtu ti e çmove nderën?”84

Për Njegoshin, Vuku ka tradhëtuar dhe ai e quan ‘pjell’ të flliqun’. Para betejës ishte shtruar një darkë ku Vuku i kish thënë carit se Milloshi do e tradhëtonte. Këtë episod e cek dhe Njegoshi te Kunora e maleve.

“O dark’ e mallkueme e Kosovës!

Ku me e marrë at fat që ta helmojshe

pàrin e flliqtë, t’ia humbshe fërkemin,

dhe ndër ta t’mbette vetëm Milloshi

me të dy probatimat e tij.”85

Njegoshi mallkon darkën para betejës dhe këtë e bën për shkak të Vukut pasi ishte ai që hodhi baltë mbi Milloshin, pikërisht ai që tradhëtoi vetë. Është vallja ajo që tregon për betejën e Kosovës te Njegoshi.

———————————-

83 Fatos Arapi, Kënga popullore shqiptare për luftën e Kosovës 1389, në: Beteja e Kosovës 1389, përmbledhje studimesh, Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005, f. 182 – 183.

84 Petar Petroviq Njegosh, Kunora e maleve, Prishtinë, Shtëpia botuese “Rilindja”, 1981, f. 48.

85 po aty, f. 47.

Poeti është mbështetur fort në folklor, jo vetëm sepse versioni i tij i ngjarjeve përkon me versionin popullor por edhe sepse ai e vendos këtë rrëfim në gojën e vallëtarëve. “Vallja rrethore e kënduar (kolo) përmend në refrenet e saj të gjitha detajet e Betejës së Fushë – Kosovës dhe të sjelljes së pavend të princërve serbë që u bënë ‘pre’ e gjakatarëve turq.”86

 

8.4. Millosh Kopiliqi (Obiliqi), përkatësia etnike dhe akti heroik.

Çdo betejë ka një hero, një trim që ka kryer një akt heroik, vetflijues. Edhe beteja e Fushë – Kosovës nuk mund të bënte përjashtim nga ky ‘rregull’. Heroi i betejës është Millosh Kopiliqi (Obiliqi). Këtë luftëtar e bëri hero akti i guximshëm i tiji; vrasja e Sulltanit I. “Në kulmin e betejës, Sulltan Murati I u vra prej fisnikut me prejardhje shqiptare (nga Drenica) Millosh Kopili.”87

“Epopeja shqiptare i kushtohet heroit kryesor të betejës, Millosh Kopiliqit, aktit të tij heroik,  konfliktit me osmanët, duke sjellë mesazhin e luftës për ruajtjen e lirisë dhe të pavarësisë për brezat e rinj.”88  Për këtë ngjarje, pra për aktin heroik të Milloshit nuk ka hije dyshimi dhe për këtë kanë rënë dakort shumë historianë, studiues, etj. Nuk ka dyshim se Sulltanin e vrau Milloshi. Problemi qëndron te etnia e heroit. Në koalicioni ballkanik merrnin pjesë disa popuj, ndër ta dhe populli kosovar. Për Milloshin thuhet se ishte shqiptar nga Kosova por serbët ia ndryshuan mbiemrin vetëm e vetëm për ta pasur si hero përfaqësues të tyre.

“Mbiemri i tij është emri i fshatit prej të cilit ai vinte. Interesi i serbëve për Milloshin u zgjua nga fundi i shekullit XVIII, atëherë i ndryshuan edhe emrin nga Kopiliq në Kobiliq – Obiliq.”89

Sigurisht që serbët e lakmonin për ta pasur në radhët e tyre. Kjo gjë vërehet dhe te eposi i Njegoshit. Ai pretendon se Milloshi është serb dhe e fut atë në eposin e vet duke i thurur lavde për heroizmin e tij.

———————————-

86 Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 91.

87 Thoma Murzaku, Abaz Mullai, Historia e Ballkanit nga antikiteti i vonë deri në shek XVIII, Tiranë, Shtëpia botuese “Toena”, 2002, f. 159 – 160.

88 Selami Pulaha, Shqiptarët dhe beteja e Fushë – Kosovës e vitit 1389, në: Beteja e Kosovës 1389, përmbledhje studimesh, Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005, f.  31 – 32.

89 Luan Malltezi, Mbi pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në betejën e vitit 1389 dhe përkatësinë etnike shqiptare të Milosh Kopiliqit, në: Beteja e Kosovës 1389, përmbledhje studimesh, Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005, f. 101.

“O Millosh, ty kush nuk t’ka lakmi?

Ti je flija e ndiesive bujare,

gjeniu i plotfuqishëm i luftës,

rrufe e tmerrshme q’i then kunorat!”90

Për Njegoshin, Milloshi është gjeniu i luftës. Që të vrasësh Sulltanin sigurisht që nuk ishte e lehtë, duhej përdorur forca por më së shumti mendja. Milloshi është rrufe që bie mbi kryet e Sulltanit dhe e rrëzon nga froni duke ia rrokullisur kurorën nëpër  pellgun e gjakut. Veprimi i Milloshit ishte i goditur pasi normalisht ushtrisë që i vritet udhëheqësi humbet kontrollin duke ia bërë më të lehtë fitoren kundërshtarit. Por kjo nuk ndodhi me ushtrinë turke. Ata jo vetëm që se humbën toruan por morën zemër dhe korrën fitore. Pavarësisht rezultatit negative, Njegoshi e ngre lart figurën e trimit ‘serb’.

“Ra Milloshi, hero i mrekullueshëm,

fli u bà mbi fronin e shtagës s’botës.”91

Njegoshi mendon se nuk ka më heronj si Milloshi. Fara serbe e mbetur është turqizuar, i humbi emri, lavdia. Poeti mallkon këtë farë të keqe që ka mbetun nga populli serb.

“Farës serbe gjithku i hupi emni;

luàjt kreshnikë u kthyen n’parmendtarë,

u turqnuen tucanat e lakmuesët,

he tamli serb i vraftë si murtaja!”92

Milloshi është krenaria e serbëve, Njegoshi e quan hero të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm. Kjo ishte një anë, ana tjetër e nxjerr heroin me shtetësi shqiptare. Madje dhe shënimet e historianëve turq thonë se Milloshi është shqiptar. U zgjatën paksa me disa nënçështje që mendojmë se e pasurojnë ‘mitin’ e Kosovës, e bëjnë më të plotë. Objektivi ynë ishte të tregonim se si ishte përdorur kjo ngjarje te eposet sllave. Nëse Njegoshi e rrëfen me detaje ngjarjen, Mazhuraniqi nuk ndjek këtë linjë. “Motivi qëndror i veprës së Mazhuraniqit, ‘haraçi’ i padrejtë dhe ‘shpagimi’ ndaj tij, ndërtohet në një kornizë historike, konturet e së cilës kufizohen pikërisht me betejën e Fushë – Kosovës. Simbolikisht, ky motiv lexohet në perspektivën historike të largësisë në ‘këngën brenda këngës’, kënduar për Smail Agën nga Bauku.”93

—————————————————-

90  Petar Petroviq Njegosh, Kunora e maleve, Prishtinë, Shtëpia botuese “Rilindja”, 1981, f. 48.

91  po aty, f. 48.

92 po aty, f. 49.

93 Blerina Suta, Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavojugorë, Tiranë, Shtëpia Botuese “Onufri”, 2007, f. 89 – 90.

“Lum e lum për t’madhin Zot,

si kish qenun Aga –Rizvan – aga

edhe me shpatë edhe me shtizë të gjatë,

edhe me pushkë edhe me thikë të mpreftë,

edhe me grusht dhe n’atin e mirë!

Zbriti aga në Fushën e Kosovës,

për me mbledhë haraçin e mbretit:

gjithë për krye ka ì dukat kërkon,

prej çdo votre ka ì ogiç të majmë

e për çdo natë ka ì vajzë me rend.

Po mbledhë aga haraçin e mbretit,

raja e ngratë jep dhe nuk jep.”94

Smail aga po kërkon haraç ashtu siç kërkohej që nga koha e betejës së Fushë – Kosovës. Mazhuraniqi nuk jep shumë detaje për betejën në fjalë. Përmendet dy herë emri i vendit por pa hyrë në imtësira. Megjithatë duhet pranuar se kjo betejë gjëmëmadhe është kthyer në ‘mit’. Përdorimi, tjetërsimi, hiperbolizimi e kanë shoqëruar këtë ngjarje historike duke i dhënë akoma më shumë peshë se çka në të vërtetë.

——————————–

94  Ivan Mazhuraniq, Vdekja e Smail – Agë Çengiqit, Beograd,  1963, f. 50.

 

  1. Përfundime

Të bësh një punë krahasimtare mes dy apo tri veprave nuk është e lehtë. Vështirësia shtohet kur përballë ke autorë të mëdhenj. Puna jonë konsistonte në pikasjen e temave, ideve, motiveve, mesazheve që përçonin veprat. Ashtu si një ndërtues pallatesh, edhe ne tullë pas tulle rindërtuam tekstet. Por nëse për ndërtuesin është ndërtim, krijim i pastër, për ne ishte rindërtim, para nesh ato i kishin ndërtuar poetët. Të ndiqje hap pas hapi trajektoren e përshkruar nga autorët nuk ishte e lehtë pasi herë – herë kjo trajektore kishte thyerje të mëdha.

Ajo që na dha dorë në punën tonë ishte fakti se tri poetët kishin shkruar në një gjini të mirëpërcaktuar letrare, dhe fakti tjetër se tri poetët janë ballkanas e për pasojë ngjasojnë në mendësi, mendime, zakone. Ata kanë trajtuar në temë që i shkon për shtat gjinisë epike; temën e luftës. Dy autorët sllavojugorë kanë në qendër të veprave të tyre luftën turko – sllave. Fishta në themel të eposit të tij vendos luftën shqiptaro – sllave. Ky është dallimi i parë mes tyre përsa i përket rrafshit të përmbajtjes. Sigurisht që nuk mungojnë dhe dallime të tjera ashtu siç nuk mungojnë dhe pika të njëjta.

Në punën tonë, fillimisht jemi përpjekur të nxjerrim në pah pikat që i bashkojnë tri poetët, të tilla si; elementi popullor prezent në vepër, elementi religjioz, varianti i Gjergj Elez Alisë, beteja e Fushë – Kosovës. Pikërisht këtu është mbështetur dhe studimi ynë. Jo vetëm kemi pikasur tipare të ngjashme por jemi munduar të tregojmë mënyrën se si realizohet te njëri poet, dhe si tek tjetri. Sigurisht që kjo punë nuk shteret pasi materialet janë të bollshme dhe lënë hapësirë për të punuar. Në fund të punimit përfundimet që dolën janë mëse të mjaftueshme për të bërë një përmbledhje për secilin autor. Stili, përmbajtja, mesazhet, struktura, ligjërimi, etj, të gjitha këto ‘kategori’ dalin zbuluar në momentin e përfundimit të punës. Për ta mbyllur, edhe pse është fjala për tri autorë që në pamje të parë duket se s’kanë kurrgjë të përbashkët, pikëtakimet janë të dukshme.

  1. Bibliografi
  2. Akademia e Shkencave e Shqipërisë Instituti i Historisë, “Beteja e Kosovës 1389” (përmbledhje studimesh) Tiranë, Shtypshkronja “Mësonjëtorja”, 2005.
  3. Çabej Eqrem, “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Tiranë, 1939, në Studime gjuhësore V, Prishtinë 1975.
  4. Çabej Eqrem, “Diana dhe Zana”, në: Hylli i Dritës, 1942.
  5. Epika historike, Vëllimi I, Tiranë, 1983.
  6. Fishta Gjergj, “Lahuta e Malciis”, Shkodër , Botime Françeskane, 2010.
  7. Mazhuraniq Ivan, “Vdekja e Smail agë Çengiqit”, Beograd, Enti për botimin e teksteve i Republikës popullore të Serbisë, 1963.
  8. Murzaku Thoma, Mullai Abaz, “Historia e Ballkanit nga antikiteti i vonë deri në shekullin XVIII”, Tiranë, Shtëpia botuese “Toena”, 2002.
  9. Njegosh Peter Petroviç, “Kunora e maleve”, Prishtinë, Rilindja, 1981.
  10. Prendushi Vinçenc, “Visari Komtar I, Kangë popullore gegnishte”, Shkodër, Botime Françeskane, 2013.
  11. Pllumi Zef, “Françeskanët e mëdhaj”, Tiranë, Botime Françeskane, 2001.
  12. Suta Blerina, “Eposi i At Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve sllavojugorë”, Tiranë, Shtëpia botuese “Onufri”, 2007.

 

Nga: Xheni Shehaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s