Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

PSE SHKRUAJ PËR DASHURINË

Ndonëse pres ftesën nga Yllësia e Andromedës,
ku më pret çdo kohë inteligjenca jashtëtokësore,
shkruaj shpesh për ndjesinë më superiore të jetës,
se auditorit i pëlqejnë motivet e ndjenjave rinore.

Por më pëlqejë dhe mua, si fëmijës që shijon ëmbëlsira,
se shpirti i vjetër më endet në trupin energjik të djaloshit,
me pasionin e një beqari, me ndjesi njerëzore të dëlira,
megjithëse jetën e kam, si në një nëndetëse rreth globit.

Kjo s’do të thotë se zemra më ka çelur prapë trëndafila,
bashkë me shpërthimet e dashurive pasmartesore;
Por më duhet të fortifikoj zemrën, nga dëshira të tilla,
të mos më urrejnë nipat dhe mbesat, që marr përdore…

Për dashurinë do shkruaj, se ajo i ndriçon zemrat me art,
si dielli, që krijon ekzistencën e gjithë materies jetësore,
me rrezatimet e fuqishme që dërgon kaltërsia nga lart,
për të çelur dashuria e zjarrtë mes krijesave njerëzore…

 

BISEDË ME KALLASHNIKOVIN

Ti o tovarish grykëzjarrti, kallashnikov,
me dhëmbët në karikator mprehur brisk,
ç’dreqin kërkove nga brigjet e detit Azov,
të kullotësh mish njeriu buzë detit Adriatik?…

-Kam mësuar flas shqip, o allbanski poet.
Më pëlqen toka dhe mishi i gjallë shqiptar,
qëkur më thirrët në nëntëdhjeteshtatën vetë,
të ha ca trimosha, që koka erë u kish marrë.

Jam krijuar vampir i hekurt të pi gjak të nxehtë,
pastaj të ushqej dheun e uritur me kërma.
S’dua të di se më urrejnë njerëzit, që duan jetë,
apo se më mallkojnë disa shamizeza nëna.

Ajo nënë që e do të gjallë, fëmijën e vet,
le ta mësojë të mos ndërsejë grykën time,
por t’i mbajë trutë, brenda kafkës të qetë,
se unë nuk jam krijuar për të mbajtur fjalime.

Ç’faj kam, se njerëzit gjaknxehtë në Shqipëri,
nuk nxorën mësime, nga Afrika te Afganistani,
ku bëra rrallimin e kallinjve të mbirë me tepri,
dhe ngopa tokën me varre, siç më tha shejtani?…

Madje dhe tani kur flas, ka ca kokëzjarrtë,
që avullojnë me shkulma rreth e rrotull,
që më mbajnë fshehur, si qenin në thark,
të leh krisma te njëri-tjetri, apo mbi popull.

Unë pres dhe dheu me barkun e madh pret.
Dua vetëm një yshtje, të kem si pretekst,
Kur nga dy kundërshtarëve, njëri më thërret,
Për t’u ngrënë kokat, me shumë oreks…

 

ZOTI NUK I FAL TË GJITHA

Zoti fal yjet që gabojnë udhët qiellore të rrotullimit,
dhe përplasen, duke kapërdirë yje të tjerët në bark.
Fal vullkanet që vjellin zjarr e ngrenë re gjigante të hirit.
Fal tërmetet që krejt papritur rrafshojnë qytetet varg.

Zoti fal lumenjtë e dehur, që shtrihen e flenë sipër grurit.
Fal detet që lëpijnë brigjet, me gjuhët ujore të cunamit
dhe lënë miliona njerëz në erë e shi, lakuriq sipër murit.
Fal zjarret shkrumbues, që blerimit malor i bëjnë namin.

Zoti fal hajdutët, siç i lëshon dhe ligji vet, pas dënimit.
Fal përdhunimet, që shkelin rëndë njërën dëshirë.
Por nuk fal vrasësit e grave, që sjellin në jetë fëmijët.
pa të cilët Toka, do kish mbetur si Hëna, shkretëtirë!…

Zoti fal me zemër të gjerë gabimet më serioze të njerëzve.
Fal të betuarit mbi kryq, që fill pas dasmës shkelin besën.
Fal me keqardhje incestet, e ndodhura mes vëllezërve.
Fal mëkatarët e çdo feje, pasi ndjejnë thellë pendesën.

Por për këtë arsyetim, pyetja mund të kërcejë përpjetë:
Pa burrat, a nuk pengohet njësoj shumëzimi në Tokë?…
Po, veçse me një mashkull, mbretëresha bën mijëra bletë,
dhe me një dash përçor, tufa e deleve bën qingja plot!…

Prandaj vrasjen e grave, Zoti e çmon si të vetmin kryekrim
dhe nuk e fal kurrë, por shpesh e dënon me vetasgjësim…

 

MUSTAQET JOSHËSE

Kisha mustaqe të hijshme, dikur në djalëri,
dhe lahesha në lumë, te këmbët e një ure.
Një bareshë e re, ndiqte kërcimet me sy,
sikur isha dash i ujërave, të asaj hurdhe.

Ajo s’mundi ta përmbante afshin vajzëror
dhe m’u hodh sipër gjoksit, me gjithë rroba.
E kapa ku munda, e shtriva mbi zhavor,
pa lakmuar shpërblim, trupin që shpëtova.

Tek shihja fustanin qullur, të ngjitur në linja,
u krenova që femra, bëhej fli për mashkull.
Por ndjeva keqardhje, që për mustaqet e mia,
kjo flutur hidhej mes lumit, të bëhej shakull.

Veçse i bëra të qartë, njerëzisht e më së miri,
në mustaqe më lëpinte kripë, një dele xanxare,
që po ta kapte, si në lumë, nga flokët dhe gjiri,
bukuritë e trupit, mund t’ia shkulte për fare.

Vajza më kundroi me vështrim të këputur,
sikur kish humbur delet, diku prapa malit.
Dhe me ata sy të përqarë, baresha flutur,
thërrmoi zemrën time, si gurishtat e zallit.

Qysh nga ajo ngjarje, që më fanitej në gjumë,
s’desha në fytyrë, të mbjell e të rrit fije bari.
Të mos joshja vajza, me atë hijeshi nën hundë,
të mos nxija shpirtin, me mustaqe të zeza beqari.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s