Poezi satirike nga Iliaz Bobaj
BALADA E FAJIT
Kemi vite, dhe veç dhe bashkë,
kërkojmë fajin, si gjilpërën në kashtë.
Mendja na lodhet, gjumi s’na zë,
kërkojmë, kërkojmë dhe prapë s’gjejmë gjë.
Tek shtyjmë njëri- tjetrin e ecim kuturu,
faji thërret, bërtet, ia bën:” mu !”.
Po qe se gjërat,
i shohim drejt,
del vetë fajtori,
faji del vetë…
Një deputet i rreptë, i prerë,
s’më ikën, më mbeti në derë.
– Për vete, – thotë, – s’dua shtëpi,
veç ti të bësh pak katandi !
Lekët e tij i nxjerr prej thesit:
– Një vilë ndërto, në breg të detit !
S’ka ku fut kokën,
ky babaxhan,
unë me tri vila,
ja, pra, ç’burrë jam !
Prefekti këmbëngul me durim:
– Merre, – më thotë, – krejt gjumin tim
dhe fli i qetë, o i uruar,
qetohu ti, pa unë rri zgjuar !
Gjumin e zbon me shpejtësi,
nga sytë e tij, në sytë e mi.
Ditë edhe natë,
rri i pagjumë,
thjesht për arsyen,
që të fle unë.
Një nga drejtorët në drejtori,
erdhi më solli mikeshën e tij.
– Merre, është jotja, ta fal për fare,
është gonxhe e bukur njëzetvjeçare.
Pse flasin njerëzit ? Flasin me hak,
jam Don Zhuan dhe prapë e kam pak.
Turpi, pa turp,
sërish me mua,
unë me të dashur,
ai pa grua.
Polici që herët, del, ia nis punës,
më ndal në çdo pëllëmbë të rrugës,
lekët e tij nxjerr prej kuletës,
më jep shpenzimet e biletës.
Ai e di ç’vuan e ç’heq,
për ligjin ç’pyet, m’i vë në xhep.
Dhe unë,
pa pikë respekt ndaj ligjit,
shkoj, vij,
me lekët e policit.
Zyrtari i lartë u alarmua,
vendin e punës m’a fali mua.
S’desha t’i vë andralla kokës,
e nisa rrugëve të botës.
Gjen zgjidhje kur mendja punon,
s’ka punë ? E nis në emigracion.
Unë rroj i qetë,
ai me pahir,
bredh si çifuti,
në shkretëtirë.
Ministri me mua e shkon ditën,
më shpejt rikthehet se sa ikën.
– O mik, ofshan, – hallet e tua,
shkarkoji shpejt, m’i ngarko mua !
Hapu, o tokë, kjo nuk durohet,
e shoh, kënaqem që ngarkohet !
Po skuqet turpi,
nga pafajësia ?
Nga unë po kërruset,
gjithë qeveria.
Më rri pranë një partiak i lartë,
si shi i derdh lotët e zjarrtë:
– Oh, le të shkrihem vaj e dënesë,
për ty, o popull, dua të vdes !
Të mjerin partiak, po e mbyt loti,
tretet, hollohet si Don Kishoti.
Se e vërteta,
duket në diell:
unë si fuçi,
ai si fyell.
Në fund ma mblodhën, me urdhër të Shefit,
më dhanë forcërisht vulën e shtetit.
Atëhere u bëra çudia e botës,
një firmë, një vulë, sa qimet e kokës.
S’dinë të më japin, di të kërkoj,
s’dinë të më binden, i detyroj.
– I korruptuar ! –
thotë njerëzia.
Jam shumë më tepër,
vetë prapësia.
Dhe përfundimi,
nuk do mend shumë:
të gjithë zyrtarët,
vuajnë nga unë…