Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

MBI NJË KEP PREJ MJEGULLE

Ajo bisedonte me zërin e gjetheve
Nga loti i erës i shtrydhte
Tingujt e natës
Herë ngjanë me hënën
E herë me meteorët endacak

I njihte të gjitha gjuhët e botës
Këndonte psalmet e erës
Dhe sërish shndërrohej në erë
Ishte sirena e përgjumur
Përherë flinte mbi kepin e pikëllimit

Than se kishte mall për tokën
Deri në asgjësim shkrihej prej lotëve
Qante si deti i trishtuar
Dhe dukej se asnjëherë nuk u ngop
Duke i kënduar psalmet e të dielave

Pamasë i donte njerëzit
Ajo ishte alfa dhe omega e dashurisë
Sa herë që përmbyteshin anijet
Mbi një kep prej mjegulle
Këndonte baladat e lashta për detin.

 

DITA NUK ZË VEND ASKUND

Nuk di se çfarë vlere kanë gjërat
Nëpër hapësirat e zbrazëta
E vë dorën mbi gjymtyrët e erës
Shirat trokasin
Çmendurisht trokasin në mendjen time

Një njeri i shkul flokët në diell
Kurse tjetri ia grith fytyrën e tokës
Disa zogj endacak
Fluturojnë prej një çatie në tjetrën
Dita nuk zë vend askund

Nëpër trotuaret e qytetit kalojnë disa hapa
Pa kurrfarë peshe specifike
Kalojnë tej Urës së Gurit
Pa asnjë qëllim
Ecin edhe gjërat e zbrazëta
Nëpër zbrazëtinë e gjymtyrëve të papeshë

Nuk di athua kemi ne ndonjë vlerë
Mes kësaj kotësie boshe
Sa herë që i kërkojmë duart tona
E gjejmë vetveten
Përtej atyre muranave
Duke shpalosur kotësinë e një zbrazëtie.

 

AQ SHUMË KAM NGRËNË POEZI

Kam ngrënë aq shumë poezi
Sa që jam fryrë
Si një daulle në diell
Po më hutojnë parathëniet e fjalëve
Nga disa herë i lexoj
Dhe i rilexoj
Në fund nuk më thënë asgjë

Ose unë nuk jam në gjendje
T’i kuptoj të tjerët
Ose poetët
Bartin nga një fije çmendurie në kokë
Çfarë nuk shkruajnë
Për të dehurit dhe natalitetin

Aq shumë kam ngrënë poezi
Sa që sot jam i uritur
E i etur si zhapiku

Më është zbardhur gjuha
I lëpij lëvoret e drurëve
Dhe shkarazi kuptoj
Se sa shumë xhelozi paskan gjethet.

 

SHËTISIM TË VETMUAR RRUGËVE

Netëve të vona
Shëtisim të vetmuar rrugëve
Stacionet e trenave flenë diku mes degëve
Flenë edhe valixhet
Trenat e vonuar asnjëherë nuk kthehen

Këtu në Ballkan netët janë të gjata
Secila natë i fsheh sekretet e saja
I fsheh nën dhëmbët e trishtimit
Kur kalojmë shëtitoreve të boshatisura
Shohim se si qentë endacak
U bëjnë shoqëri hijeve të shurdhëta

Nëpër trotuare asnjë njeri
Vetëm valixhet e humbura shëtisin
Dhe u bëjnë shoqëri deri në mëngjes
Pastruesve të rrugëve
Të cilët nuk kanë një vend të caktuar
Se ku do të flenë të nesërmen

Dritat fosforeshente herë kyçen
E herë shkyçen
Të mos i dallojmë nëpër trotuare
Prezervativët që i përdorin homoseksualët
Netëve të vona
Kur ushqehen me shiringat e mbetur.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s