Poezi nga Mercedes Gega


Mercedes Gega

Ka mbaruar studimet për “Gjuhë shqipe dhe letërsi” + Master profesional në degën mësuesi, në universitetin e Elbasanit.

Është autore e vëllimeve poetike:

“Një copëz jetë”, Tiranë 2007
“Fjalët e pathëna”, Tiranë 2011

 

Serenatë hëne

Ti nuk harrove, si dhe çdo natë
Të vije në dritaren time
Të më këndoje serenatën
Që di veç ti, unë edhe yjet!

Vërtet s’e di se si ia bën
Si ia arrin, jo nuk e di
Aty ku dhe vetes i fshihem,
Aty aq bukur vjen futesh ti!

Dhe ndez ti drita e ndez hare
E hapëlehtë nis e vallëzon
Më sheh në sy tek më afrohesh
Ahhh… atë vështrim veç unë njoh!

Dhe në një çast unë kam gjithçka
Besomëni ç’ka ju rrëfej
Kush njohu dritën e këtij gëzimi
E di shumë mirë se nuk gënjej!

 

Mëngjes dimri

Qiell gri…
Mëngjes gri…
I ftohtë gri…
Bryma fle ende në dritare
Do të ketë rënë vonë mbrëmë…
Një erë e ftohtë,
nxitimthi përplaset fortë
pas degëve të pemëve,
Fshik oxhaqet
e ndezura rishtas,
Sjell vërdallë tymin e përgjumur të tyre
dhe diçka mërmërit nëpër dhëmbë…
Tutje…
Tëposhtë rrugës…
Ta ketë me shiun që nuk i hap rrugën
Dhe e bën të vonohet?!
Çudi!!!
Një bubullimë autoritare tërheq këtë herë
gjithë vëmendjen e mëngjesit,
duke e ndihmuar atë të zgjidh
përfundimisht dilemën e zgjimit.
Çadra shumëngjyrëshe përshëndesin njëra tjetrën
Tek vargojnë thjeshtësisht, gjithë stil
Drejt rrugës kryesore të këtij qyteti,
si për të marrë bekimin tij për një ditë të mbarë,
për t’u përhapur më pas në drejtime të ndryshme,
ashtu si dhe mendimet e ndjenjat
enigmatike,
por jo detyrimisht dhe të komplikuara
të mbajtësve të tyre,
në këtë mëngjes,
ku i ftohti ecën më shpejt se të gjithë,
por pa harruar të përshëndes gjithëkënd,
me atë buzëqeshjen ëmbëlsisht drithëruese,
Ashtu pra,
si di vetëm dimri di!

 

Zigzag psherëtimash

Ajër i akullt mbështjell këtë moment
me një qetësi drithëruese deri në agoni
Kakofoni nervash ky trafik frymëmarrjesh vesh,
ndërsa nën një zigzag psherëtimash
Pritja…
nis…
Vjen!

 

Trafik ndjesish në një autostradë psesh!

Fle thellë kjo natë sonte
E qetë jam dhe unë nën shqetësimin tim
Strukur në heshtjen e saj ajo dremit
Nanuris dhe unë gjumin me pak durim!

Me siguri ajo s’e ka njohur pritjen
As mosardhjen sigurisht që s’e njeh
Ajo me mëngjesin kanë një pakt
Që prej kohësh zbatojnë një më një.

Minutat zvarriten të kapin orën
Me duart që thurin gërsheta idesh
Semafori i zemrës gulçon i harlisur
Trafik ndjesish në një autostradë psesh!!!

 

Vetëburgosje idesh

Përfundimisht,
pa skaj është pafundësia
e të athtës që lë pas në vetëdije,
tkurrja e pafuqisë së pamundësisë të së sotmes,
që i injektojmë në venat e ideve,
nga vetvetja, po vetes tonë,
shtyrë nga frika që sjell mania e bërit saktësisht
në mënyrë perfekte dukjen e përmbajtjes tonë,
në një kohë, kur kohës tonë
Joperfekte,
kemi harruar se si ia kemi lidhur duart
me prangat e ngurrimit,
për të provuar të pranojmë
se të jesh vetvetja
është një hap më afër
i të qënit paqësisht i lirë,
E po në të njëjtën kohë ku,
serviren jo pak burgjengurtësi vetpranimi,
në modele të gatshme
korniza idesh.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s