Një çam përballë Ali Pashait / Tregim nga Namik Selmani

Një çam përballë Ali Pashait

 

Tregim nga Namik Selmani

Kur Ali Pashë Tepelena ishte mbret e shkuar mbretit e, si i thonë fjalës, tymi i çibukut të tij mbulonte një pashallëk të tërë me aq e aq kaza, donte të ndalte edhe rrezet e diellit të Zotit që të ndriçonin vetëm Kalanë e tij. Mes të vërtetave e thashethemeve , mes fatmbarave e ndjellakeqëve fjalë që kalonin si të mundnin muret me pash e me rojet e shumta e portat kaq të rënda të kështjellave që zotëronte ai , na vjen një lajm i çuditshëm për të .I rëndë ky lajm për Ali Pashë Tepelenën , për deri sa, kur e dëgjoi, ndërroi shiltenë ku rrinte dhe çibukun e thithi dy herë me ngut sikur do t’ia merrte ndonjeri nga dora.
Një çam në Mazrek të Çamërisë i quajtur Husejn na kishte një autoritet shumë të madh . Që e kishin të gjithë zili e shkuar zilisë. Miqtë dhe armiqtë e Ali Pashës i sillnin për ditë habere se Husejni banonte në një shtëpi trekatëshe prej guri, tamam si në një kështjellë të vërtetë, por pa topa brenda .
Në bodrumet e tij të pastër si drita nuk kishte gjyle topash , nuk kishte dylbi të vështronin deri ku syri nuk ia rrokte dot , nuk kishte flori të fshehura ndër sepete , nuk kishte rroba ushtarësh e pagure për t’ua freskuar buzën e etur nga udhët, por kishte arka të tëra me arra të bardha. Kishte ca qypa me mjaltë nga të kodrave të Mazrekut .Kishte zahire që të mbante një fshat të tërë. Kishte lesh të bardhë të tjerrë për merak, me të cilin gruaja, vajzat e fshatit bënin fanellat e leshit për trupat e tyre, bënin velënxa të bukura që çudisnin të gjithë tregtarët grekë në pazarin e Filatit e të Gumenicës e të Janinës .
Kishte ullinj e vaj që bënin të ndalje këmbët në rrugë nga era e mirë kur nikoqirja gatuante byreqet apo kur bënte bakllavatë e dasmave e të Bajrameve..Kishte një palë qe që ia kishte zili të gjithë bujqëria e rrëzës së malit.Kishte një vajzë të mirë të rritur me malën e gjërit e dy djem që ishin ulur në sofranë e odës shumë kohë më para se të uleshin moshatarët e tjerë të fshatit për të mësuar shkollën e gjyshërve , shkollën e urimit e të këngës ,të fjalës së mikut të parë . Kishte një grua të mirë që quhej Elma. Elma, për kokën e Elmasë . Hëna skuqej e turpëruar kur e shihte dhe dielli sikur dilte më shpejt për t’i ndriçuar rrugën e burimit, për t’i parë llërën , ballin, shaminë e bardhë me ojna të qëndisur ..Sikur dilte më shpejt për t’i parë dybekun e qumështit , sytë e menduar e të shtënë në qëndismat e pajës së vajzës, në fjalën e saj të ngrohtë e tërë nashka* në pritjen e mikut ….
Të gjitha këto pashai plak i mësoi sa hap e mbyll sytë.Në haremin e tij vajza nga i gjithë pashallëku, por edhe më larg se ai, i ndërronin njëqind herë pëlhurat e trupave të tyre gjysëm të zhveshura.Kishin harruar emrat e prindëve të tyre, por edhe emrat e fshatrave e qyteteve i përdornin kaq rrallë sa edhe ato po iu humbnin nga kujtesa.Nga mëngjesi deri në mbrëmje , nga muzgu e deri në agim, Pashait Plak i duhej të merrej me Inglizin, me Rusinë , me Francën , me turqit e rëndë të Stambollit , me suliotët …
E , ja tani i duhej të merrej pak kohë edhe me Husejnin nga Mazreku që donte t’i merrte pak kurorë nga madhështia e tij.Ah, sikur ta kishte sa më parë këtu atë çam kokëshkëmb.Do t’ia bënte njëlloj si Xhavo Dhërmicës. Eh, Xhavua ! Kush nuk e kujtonte ata burrë ?! Të zgjuarit e të pabesët e Ali Pashë Tepelenës e prenë në besë Xhavon. Se s’mund të quash trima ata që të rrethojnë natën e duan të të vrasin kur ti si besimtar mysliman fal suhurin në shtëpinë tënde . Ashtu me këmishë e brekë ai e nisi luftën. Një me tridhjetë.Një me dyzetë.Ku numëroheshin ushtarët e Ali Pashait që për pesë aspra mbushnin ferrat ku t’i çonin.Dhe e vranë . E vranë vetëm kur kishte hyrë dreka e asaj dite Tetë orë luftë Xhavo Trimi.Se aq fishekë kishte në shtëpinë e tij.. Se s’e çante dot rrethimin . Me ca ushtarë që ishin më shumë se ferrat e fshatit .Thonë se dhërmiciotët i kishin ngritur këngë . Jo një , po disa. Dhe kënga kishte ardhur edhe te veshët e Ali Pashait para se ushtarët t’ia jepnin lajmin e vrasjes së tij.I kishte ardhur kjo këngë kur sapo kishte përcjellë Pukëvilin me kollaron e frëngut për në Paris që t’i llomotiste Napoleonit ç’të mundëte.
O , ç’i ngatërroheshin mendimet sot atij !Po me çamin nga Mazreku do ta bënte ndryshe . Ndryshe .Do ta kthente një herë pllakën .Do ta thërriste në divanin e tij! Do ta turpëronte ! Do t’ia verbonte sytë me florijtë e verdhuar. Do të nxirrte edhe ca haremsëzka të bukura që t’i provonte një pjesë tjetër të burrërisë.Të mos i shkonte më mendja te ajo Elmaja , për të cilin nganjëherë flisnin më shumë se për vetë Husejin.Elmaja dinte vetëm të bënte fëmijë , të priste miq …
Do ta thërriste …
Dhe i çoi një tellall.Nga më të shpejtit që kishte rreth vetes .Më besnikët që kishte në muret e Janinës Më të egrin . Që ai kurrë të mos kundërshtonte . As nga e mira e as nga e keqja.Ca sy të oborrit do të englendiseshin më shumë se me kokat e prera të kundërshatërve të tij që herë pas here ia sillnin në ca tepsi të bakërta të kallisura nga kalljxhinjtë më të mirë të perandorisë.
Kur i thanë Husejn Mazrekut, ai ishte në arë.Po hidhte farën e grurit për kuleçet e dasmës . Se dasma e djalit të parë që do ta bënte vitin e ardhshëm donte shumë grurë , Nga më i miri.Edhe qetë puntore sikur ia kuptonin aq mirë mendimet Husejnit.
-Të kërkon Ali Pashai në Kala ,- i tha prerë tellalli
-Ç’kërkon nga unë pashai i madh?-e pyeti aty për aty Husejni.
-Ka , s’ka punë , ai të kërkon e ti do të vish patjetër .
Kaq tha tellalli e iku me një revan kali në rrugën e largët .
E pleqëroi edhe me Elmanë dhe vendosi të shkonte në Janinë . Do të matej sa mundej e do të fitonte kuvendin .
……..Kur hyri në Kala, i thanë që ta linte kalin në një han aty pranë . Kishte veshur rrobat më të bukura se shumë sy mund ta shikonin . Rojet e panë se mos kishte armë . Me bisht të syrit pa se pranë pashait ishin ulur edhe ca burra të tjerë që lëviznin pa pushim tespihet. Pas perdeve të mëndafshta ca vajza kërcenin në ritmin e një muzike të ëmbël.Pranë tyre në ca sini të mëdha kishin vënë një mish të pjekur …
-Ti je Husejn Mazreku ?-ia priti me të parën Aliu.
-Po, pasha. Ç’ke dëgjuar për mua , për shtëpinë time , për familjen e fisin tim atje ku jetoj e punoj ?
-Dua të të pjes , more Husejn, ç’ke bërë ti që të duan kaq shumë në fshat e në mbarë Kazanë, në mbarë Çamërinë? Sa nami më ka ardhur edhe mua .
Aliu nuk donte t’i thoshte se ia kishte zili , se , helbete , nuk donte që nuk donte ta ulte te ky çam birbo . Një çam e një lab përballë nëri-tjetrit. Një njeri i tejngopur me pushtet e një njeri tjetër që i gëzohej jetës me tërë ngjyrat e saj atje në atë fshat të bukur çam..Ku shkonte pa roje pas nëpër kroje e korije. Ku kishte luajtur pa frikë në çdo shesh e i njihte një për një brinjët e kodrat sikur të ishte 200 e ca vjeçar.
Husejni kish dëgjuar për zgjuarsinë e pashait plak e po mendohej që dhe ai kështu t’i përgjigjej.. Shpejt, shpejt e me fjalë të mençura. Po edhe të bukura. T’i kuptonte sa më mirë ai që po rrotullonte tespihet, por dhe të gjithë burrat me çallma që e kishin rrethuar ……
-Shumë lehtë , more Pasha! Shumë e lehtë.Unë kam një grua të mirë që më do dhe e dua . Kam tre fëmijë të mirë që edhe gjithë malet e vendit nuk maten me urimet e mia për mirësinë e tyre.Më nderojnë edhe kur ikin pas gardhit të shtëpisë dhe të fshatit e kurrë nuk më sjellin sherre në shtëpi, por, veç mirësi e mbarësi.Më do shumë lagjja e fisi dhe unë i dua më shumë se ata mua. Nuk kam borxhe e asnjë nuk më zë derën për të keqen e tyre.
-Po nuk mjaftojnë të gjitha këto, more Rob i Zotit ,- i tha Ali Pasha, sikur donte ta prekte edhe më shumë në sedër dhe në besimin ndaj Zotit këtë burrë , këtë çam musaqebukur që rrinte ballë tij si një ulli kokërrmbushur në breg të detit .
-Me që dashke edhe më , more Pasha po të të them se jam i mëshiruar si dielli, jam i duruar si dheu që na ka gatuar e do të na marrë të gjithëve dhe i qetë si nata që na mbulon shtëpitë.
-Po ti s’ke aq shumë pasuri , more Husejn ,-donte përsëri ta merrte me ë mirë . Ç’vlerë ka burrëria kur nuk ka një qese të vluar jo me mexhide ,por me flori të verdhëlluar që të ta bëjë trëk sa t’i shohësh, pale t’i kesh të tuat ?….
Husejni i dha edhe më shumë fuqi vetes.. E dinte se do të ndeshej gojë më gojë me Ali Çibukgjatin, por nuk i kishte shkuar në mend se palla e fjalës së tij do të shkonte kaq larg., se do të qëllonte më fort se palla e krahut.
-Ne në anët tona , në Çamëri kemi një fjalë të mbetur nga pleqtë tanë sa nuk mbahet mend dot . “ Më mirë aga në fshat se pasha në Bagdat”.
Për të mos rënë në sy nga kripa e fjalës së tij, Ali Pasha e thithi fort çibukun.
-Meqë të kam ftuar si mik , do të rrish për drekë . Do të ulemi në sofër si dy pashallarë. Unë në Janinë e ti në Mazrek.
Pasi tha kështu, e drejtoi dorën për nga tepsia e madhe me një qengj të pjekur mbi të ,që menjëherë ia afruan dy djem të fuqishëm para gjunjëve.Një i tretë solli një ibrik të madh me verë .
-Jo, pasha , jo.Do të më bësh nder po të më lësh të iki sa më parë. Se sot unë dua t’i bëj nderin tokës.Në këtë ditë të bekuar të Zotit, unë kam filluar të mbjell farën e re të grurit.Për darkë kam bërë gati të ther dashin më të mirë të tufës Vëllai im do të sjellë një bakllava me vajin e Nistës.Mot do të kemi shumë dasma. Edhe unë do të martoj djalin tim të parë, Veselin.E kam dasmën e parë në shtëpi e dua që kuleçët e ëmbëlsirat e saj të kenë grurin më të mirë të tokës së Çamërisë.Tek ugari i hapur më presin qetë e hosteni që rri pranë tyre ……
Jo, nuk mund të mbahej ky burrë.Jo me një drekë të madhe por as me kafshatën e vetme të bukës të paprerë në sofër. Ai nuk ishte as udhëtar i vetmuar i një hani në buzë të rrugës dhe as një mik i ftuar në davetin që s’e njihte se ku bëhej, kush e bënte e pse bëhej.
“Ah,more çam perifan”,- mendoi Ali Pasha. Para ca kohësh kishte vrarë Xhavo Dhërmicën se nuk i bindej fuqisë së tij që derdhej si një Kalama e dytë në trojet çame.Jo i gjatë sa ky çam i veshur me qillota të reja e me një qostek të varur në brez. Ky qënka trim i kuvendit e nuk u futka dot në gardhin e një pashai.
Aherë Ali Pasha Tepelena mori një vendim të ri .Në roje të thesarit të tij të merrte një çam.Le të ishte nga çfarëdo fshat i Çamërisë . Vetëm të kishte në deje besën e pathyer të njeriut që nuk ia thyente asnjë tjetër njeri i gjallw. Të kishte në buzë një çamçe të bukur . Të kishte trimërinë e Xhavo Dhërmicës e të sa e sa burrave të tjerë nga kjo krahinë. Të kishte edhe një krenari si kjo e Husejn Mazreqotit , me të cilin porsa u nda. Të kishte edhe bukurinë e besën e Vasiliqisë, çames së bukur nga Pleshavica e Filatit .
…….E vonë shumë vonë pas këtij takimi , kur ethet e qëndresës së fundit në liqenin e Janinës pranë Ujdhezës së Pandalejmonit për herë të parë e të fundit donin të thyenin pashain plak , ai do ta kishte harruar patjetër takimin dhe fjalët e kësaj vjeshte. Kur çdo gur i qëndresës po binte pak nga pak, e lotët e Vasiliqisë nuk ishin më lotë dashurie , por lotë humbjeje , emri i Feim Çamit nga Salica, besnik e i palëkundur po bëhej strehë qetësie e shpirtit të trazuar të pashait e të pasheshës së bukur në prag të ditës kur do t’i pritej koka .Kësaj radhe pabesia ishte thurur në kështjellat e osmanllinjve .Kësaj radhe kënga foli kështu :”Hesht , Vasillo, moj e marrë/kemi trimin Feim Çamnë/Feim Çamin nga Salica /jatagan kokallbardhë…………

…. Te porta e kalasë priste kali i bardhë i Husejnit . Kishte kaluar pak nga koha e pritjes dhe ai e kishe përtypur me qejf të gjithë tagjinë që i zoti ia kishte marrë që nga fshati. Priste që ta dërgonte prapë të zotin e tij , qoftë edhe symbyllur te ara, te Elmaja ,te vajza e bukur që merrte çdo ditë uratat e babait , te djemtë , te fisi i tërë që e donin aq shumë dhe e kishin si pasha të vërtetë në sinorët e jetës së tyre……Kishin shumë punë për të bërë. Në darkë do të mblidhej tërë fisi në festën e të mbjellave ku kishin ftuar edhe sazet më të mira…..

Që nga frëngjia e Kalasë , Ali Pashë Tepelena dëgjonte trokëllimat e kalit të Husejnit. I thirri shpejt një shërbëtori që t’i sillte sa më parë një kuti me duhan të ri për çibukun e gjatë . Nuk kishte më e ai nuk kishte më ç’të tymoste në ato çaste kur trokëllimat e kalit të çamit nga Mazreku herë largoheshin e herë afroheshin në veshët e tij….
-Shpejt ! Shpejt !

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s