John KEATS
Kalendari poetik: John Keats (1795-1821)
Kalendari sot më 23 shkurt, shënon ditën e vdekjes për John Keats, njërit prej përfaqësuesve të shquar të romantizmit britanik. Dashuria për letërsinë i lindi qysh në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, kur filloi të lexonte Shekspirin dhe poezitë e Edmund Spenser-it. Filloi të shkruante dhe vetë, pa rreshtur, deri sa e mori tuberkulozi pa mbushur ende njëzet e gjashtë. Vdiq më 23 shkurt 1821 në banesën e tij në sheshin Spanja në Romë; sipas vullnetit të tij të fundit mbi rrasën e varrit nuk u gdhendën as emri i tij, as data e lindjes apo e vdekjes, por vetëm një epitaf i shkurtër që mbyllet me fjalët: “Këtu prehet ai, emri i të cilit u shkrua mbi ujë.” Ja përzgjedhja ime sot:
O VETMI!
O vetmi! Të rroj me ty jam shtërnguar,
S’kam ç’bëj; ama jo mes kësaj gërmadhe
Shtëpish të zymta; eja lart me mua,
Nga duket gjithçka, ku nëpër livadhe
Lulet harlisen, lum i kristalt’ rrjedh
E si në pëllëmbë të dorës duken,
Mes degësh dré i shpejt’ hidhet e bredh,
Bletët që tremben e s’dinë ku futen.
Gëzueshëm gjithë kjo para të dyve,
Si bised’ e një mendjeje të qetë,
Ku fjalët janë pamjet para syve
E shpirti më këndellet nga kjo jetë.
S’njeh njeri, më të madhe lumturi,
Kur flut’ron me ty, mbërthyer nga ti.
© shqipëroi Maksim Rakipaj