Poezi nga Eva Ceca

Poezi nga Eva Ceca

 

Këngët e Poetëve

Vrulli i ditës kthehet në prehje,
kur diellin mbrëmjeve ma rrëmben deti…
Dashuria i vesh netët me dehje,
Shpirtin – këngë e poetit!

Kjo botë ka shumë të përgjumur,
Lexojnë e s’dinë ç’të lexojnë!
Poezi e bukur jo nuk ka humbur
veç me Kadarenë dhe Dritëronë.

Lexoni, ndjeni miqtë e mi
me zemër, jo me sy!
Përzgjidhni dritë në poezi
gjithë jeta është aty.

Nëse kërkoni ngjyrën e fjalës
dhe harmoninë në shpirt e doni
si perlë përzgjidhni Moza Hametajn,
poezinë e bukur të saj për jetën.
Artin e saj kërkoni!

Në mbrëmjet tuaja mos lini
t’ju ikin pa i ndjerë
vargjet diamant të Nase Janit…
Po t’i lexonit fort do t’i mbanit,
si ata s’gjen shumë të tjerë.

Lexo lirizmin, vargun magjik,
që jetës dhimbjen i zbeh,
mendimet, ndjenjat, stilin unik
të Agim Bajramit, poetit mik.
E do ndjesh… se aq mirë e njeh…!

Bukurinë verbuese të së vërtetës
Revoltën ndaj çdo të keqeje,
tek Festim Liti mund t’i prekësh:
Në vargje thellë si dallgët e jetës,
në çdo pikë e në çdo presje.

E dashuruam Fatos Arapin
për vargun e përndritur
dhe Koçi Petritin zemërzjarrtin,
por jeta teksa e shtrin hapin
të tjerë yje sjell papritur….

Dita dhe punët zbehen në heshtje,
Dielli shkel syrin dhe zbret në det.
Dashuria jetën vesh me buzëqeshje
dhe shpirtin një Poet.

 

Dëbora

E dua dëborën qe bie e mbulon
pemët, ballkonet dhe udhët.
Nga mendja nxehtësinë e tepërt largon,
miqësisht tokës vetë i fsheh rrudhat.

Ashtu është dhe koha, si bora që bie…
Ikën dhe shkrin e na lë.
Teksa përpiqemi të vendosim ç’të bëjmë,
rrëmbyeshëm e humbasim atë.

Si bora që bie ndonjëherë edhe shpresa,
bukuri përrallore që ndrin.
Por shfaqet zhgënjimi papritur në kthesa,
si avull të bardhën e shkrin.

E dua shumë të bukurën borë
se zjarrin padukshëm e fton.
Le të duket e ngrirë, le të duket e ftohtë,
ngrohtësi në shpirt imponon.

Si tufë pëllumbash që shpresën përcjell,
në shpirt bardhësi lë dhe dritë.
Por rrënjët e endrrave uroj të jenë mbjellë
jo në dëborë…., në granit.

 

Dashuria dhe fjala

Në një garë dashuria dhe fjala!
Njeriu e njeh aq mirë fjalën,
ndaj e kërkon me të dashurinë…
Por dashuria ndodh,
ajo nuk flet,
ndaj kohën nuk e njeh,
ndaj nuk vdes…!
Veçse fort mirë e njeh njerinë.

Kur flitet e flitet aq shumë
për të,
ajo dalëngadalë zbehet,
bëhet më e brishtë,
sepse dashuria nuk i do fjalët,
ndjenjat kanë tjetër alfabet.
Janë përpjekur më kot
ta shpjegojnë dëshpërimisht
ata që e njohën vërtet.

Me sa duket
ky është i madhi peng
i pavdekësisë së saj…!
Mund ta ndjesh, ta shijosh,
ta kërkosh mes mijra fjalësh
e përsëri nuk di,
nuk mundesh ta shpjegosh.

Ne i dhamë një datë,
një ditë
në mes të shkurtit…
E hyjnizuam
me një emër shenjti,
për ta bërë paksa të dukshme,
paksa të përshtatshme
me terrenin e ngurtë
të këtij planeti.

Dashuria mund të jetë ndoshta
i vërteti Zot i njeriut!
E vetmja e pavdekshme
që e ndjejmë deri në fund.
Nuk shihet,
nuk preket,
një përmasë tjetër
madhështore dhe zotëruese,
që, në një dyzim ëmbël e hidhur,
të përkund.

Por i mjafton
cepi më i vogël i zemrës,
i mjafton drita thellë në sy.
Kur mendojmë se u arratis
na bën herë të pavdekshëm
e herë të torturuar,
nuk ikën kurrë, gjithmonë aty.
Kur koha vdes, nuk na braktis,
përgjithmonë na lë të paharruar
në Përjetësi.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s