Poezi nga Ndue Ukaj

Poezi nga Ndue Ukaj
 
 
Mesditë pranvere
 
Pas këtij dimri të acartë,
Kjo ditë ka nevojë për qartësi.
Vitet tona janë shpuar tej për tej nga kjo re pikëllimi
Që sodit mbi pranverën tonë tash e sa mote.
 
E sheh: unë e hodha pallton e palarë
Dhe gradualisht i afrohem diellit.
 
E matanë kësaj stine
Ata flasin për pamjaftueshmërinë e sendeve
Dhe një ditë që zgjat sa një jetë.
 
Pas këtij dimri të acarët
Pa dyshim
Kjo ditë ka nevojë për frymëmarrje dhe shumë kthjelltësi.
 
 
Sipërfaqja e vërtetë
 
Ne kemi humbë shtigjet dhe jemi në pyll.
E sheh: qielli është i pikëllua dhe qan.
 
Rreth nesh sillen silueta njerëzish.
Ata duken si në një kortezh
Dhe po varrosin dëshirat e tyre.
Të kujtohet: ti mbrëmë ma rrëfeve andrrën tënde
Me një piano të moçme. Ishe e veshur me të bardha dhe i kurseve fjalët.
Ato i zëvendësove mrekullueshëm me lojën e gishtave të tu.
Oh! Ata janë magjikë dhe të ëmbël.
I shprishnin kujtimet,
Në sytë e mi të mbytur nga malli.
 
Ti e di: ne gjatë u mashtruam
Kur besuam se po hynim në pyllin e së vërtetës,
Dhe po mbyllnim portat e frikës.
 
Jo. Në atë hapësirë dikush mbolli lule të këqija.
 
Atëherë me arkitekturë fjalësh të vjetra
Thurëm histori pa heronj për ne dhe për ata
Dhe ngadalë u rrokullisëm derisa ramë në teatrin marrëzisë.
 
Sot e kam shfletue librin e vjetër
Sot e kam shfletue librin e vjetër.
I kam prekë dhimbjet e kohëve,
Ata gurë të fortë pikëllimi
Që randojnë mbi Dardani;
Tokën ku shiu i zi bie pa pushim.
Kam pâ një shall që rri heshtun
Pranë sendeve të bukura
Që ai pluhuni i zi i ka mbulue.
 
Kam pâ portretin e Bogdanit
Me kryet kah qielli
Sikur m’ thoshte:
“Mu kanë m’em zhvarrue
E qentë kanë m’i hangër eshnat e mi.
Por jo idenë teme.”
 
Sot e kam shfletue librin e vjetër.
E kam pâ aty hapin e matun të lirisë
Si dilte nga shkurra e pikëllimit.
Dhe statujën e mirësisë
Ma të nalt se vala e trishtimit.
 
Kam pâ portrete shkrimtarësh
Si dhimbjet në qafën e poeti të mërguem.
Kam pâ edhe hijen e fjalës
Si e mposhte trishtimin;
Atë shikimin mallëngjyes
Që ta këputë shpirtin.
 
Libri i vjetër
Ka shpresa
Sa krejt rruzullimi i syve t’mi.
 
 
 
Asnjiherë s’mund ta dimë
 
Ne asnjiherë s’mund ta dimë çka fshihet
Pas hijeve,
Fantazmave të natës apo luleve të pikëllimit.
Një grumbull gjethesh të vyshkuna
Ku kambët lëvizin të hutueme,
E ku një tis fshehtësie
Bie nga maja e lisit
Nëpër të cilin dielli ban rrugën e ti
Për miliona vjet.
 
Ne asnjiherë s’mund ta dimë çka fshihet
Pas hijeve të natës,
As pas thirrjeve,
E fjalëve të ambla që dëgjohen
Senateve a tribunave të dëshpërimit.
 
Sepse ne asnjiherë s’mund ta dimë
Ku fillon perandoria e dhimbjes
E ku ajo e lumtunisë.
 
Në hapësirën e së cilës dikush dashuron
E dikush urren.
 
Ne asnjëherë s’ mund ta dimë çka fshihet
Pas hijeve a fantazmave:
Një Hamlet që dashunon a që vret.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s