Kumtesë nga tribuna “ARTI DHE LUFTA” MUZIKA DHE LUFTA / Nga: Albulena Nuredini

Kumtesë nga tribuna “ARTI DHE LUFTA”

MUZIKA DHE LUFTA

 

Nga: Albulena Nuredini

Viti Ndërkombëtar i Skënderbeut-Heroit Kombëtar, siç përkon me dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, e me 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, na mbledh edhe sot në këtë Tribunë, për 20 vjetorin e Epopesë së Lavdishme të Jezercit.
Në historinë shqiptare gjejmë lidhje të forta mes datash e heronjsh, jubileve e ngjarjeve të pakontestueshme, që lanë gjurmë të thella në rrugën e gjatë të Lirisë. Ashtu siç lë gjurmë në çdo hap të jetës shoqërore, lufta pa diskutim që ndikon thellë në shpirtin e çdo artisti, të cilët përmes artit të tyre, kanë thyer “kufij” e barriera, duke bashkuar njerëzit edhe në momentet më të vështira.
Muzika dhe lufta janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, qysh nga fillimi i njerëzimit. Në kohë paqe, muzika na duket e parëndësishme, por ajo është në përpjesëtim të njëjtë zhvillimi me fushat e tjera artistike e shoqërore. Nëse kthehemi në retrospektivë, do të njohim lidhjen e ngushtë në mes muzikës dhe luftës. Qysh në fillimet e para të njerëzimit, muzika përveç tjerash, ka shërbyer edhe për dhënien e kushtrimit, si mjet për zgjimin e frymës luftarake .
Në tablonë e përgjithshme të historisë shqiptare, muzika ka luajtur rol të rëndësishëm, edhe në mbajtjen gjallë të frymës patriotike. Madje, do të ishte e udhës të përmendim dy kryeveprat botërore “Iliada” dhe “Odisea” të Homerit, vepra epike përmes të cilave ky i fundit i këndoi nën shoqërimin e instrumentit të lyrës, rreth luftës së Trojës, mes trojanëve dhe akejve (fis arkaik në pjesën veriore të Peloponezit, e gjatë kohës së mesjetës dhe asaj otomane, quhej Morea-që na kujton këngën arbëreshe “Moj e bukura More”). Këto vepra janë të ndërtuara nga vargje të interpretuara në mënyrë ritmike, nga gjashtë pjesë ose hekzametër. Këto të fundit na bëjnë të besojmë se kanë elemente analoge me Eposin e Kreshnikëve dhe ciklin e këngëve epike ilire, të cilët luftuan me ardhësit sllavë të jugut , duke i paraprirë ciklit të këngëve epike historike shqiptare, të cilat fillojnë me Betejën e Kosovës, ciklin e këngëve të epokës së Skënderbeut, e më pas të periudhës së Ali Pashë Tepelenës, e kryengritjes kundër osmane (Rilindja Kombëtare), Lëvizjes kaçake në mes të dy Luftërave Botërore, e deri te epoka e Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj, në historinë tonë, vihet re ndikimi i muzikës në luftërat tona ndër shekuj dhe anasjelltas, duke shërbyer si jehonë e përjetimeve shpirtërore te të gjithsecili.

Për të shkruar rreth muzikës në përgjithësi dhe lidhjes së saj me njeriun, e në veçanti me bëmat e tij, nuk do të mjaftonin vetëm këto rreshta. Meqë sot jemi mbledhur pikërisht për të lartësuar veprën e lavdishme të Dëshmorëve dhe të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të luftës së fundit, do të ishte e udhës t’i kushtojmë vëmendje më të veçantë kësaj periudhe, e madje të sjellim një vështrim të shkurtër historik të muzikës shqiptare.
Për të arritur deri te Pavarësia, s’do mend se populli ynë ka kaluar në një varg sakrificash e vështirësish, e në këtë rast, trajtimin e muzikës do ta ndaja në dy etapa:
• Etapa e pare përfaqëson periudhën nga vitet 90 të shekullit që lamë pas;
• Etapa e dytë përfaqëson periudhën e luftës e atë të bombardimeve;
Edhe pse muzika profesioniste shqiptare në përgjithësi, pati zhvillim të shpejtë, sidomos nga vitet 70 deri në vitet 90, vite të cilat sollën në vëmendje festivale të ndryshme profesionale, që nga ato të këngës e deri te paraqitja e veprave simfonike. Ashtu siç e përmendëm edhe më lartë, se muzika ka ekzistuar qysh në fillimet e njerëzimit, por realisht do të doja të theksoja edhe muzikën e shkruar. Zanafilla e muzikës shqiptare daton qysh nga Niketë Dardani në shekullin IV, Jan Kukuzeli në shekullin XVIII, për raste të tjera ende mungojnë studime të mirëfillta, që e vazhdon lidhjen e saj deri në ditët e sotme. Muzika artistike ose muzika e interpretuar zë vend në viset shqiptare, shumë më vonë se sa në vendet evropiane. Por, së fundmi janë gjetur gjurmë të një vepre muzikore, e titulluar “Antifonari” e shkruar më 1532, nga një figurë poliedrike si Gjergj Danush Lapacaja, nga familja patriotike Lapacaja nga Durrësi, të cilët u shpërngulën në eksodin e parë të arbërve në Itali pas vdekjes së Skënderbeut. Vepër kjo e cila përkon me kohën e përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur tokat e tyre nga pushtuesit osman.
Por, a ka pasur aktivitete ose krijime të tjera në historinë e muzikës shqiptare gjatë luftërave? Pa diskutim që nuk do të mund të anashkalonim Rilindjen Kombëtare, si një nga epokat më të lavdishme të historisë sonë drejtë Pavarësisë së Shqipërisë, ku gjejmë gjurmë të aktiviteteve e krijimeve muzikore. Atëherë u krijuan bandat frymore, ku do të përmendnim Gjovani Kanale, italiani që krijoi bandën e parë frymore shqiptare, e më pas Palok Kurti e Frano Ndoja, patriotë të Rilindjes Kombëtare, të cilët kontribuuan në zhvillimin e muzikës artistike, duke e pasuruar literaturën muzikore shqiptare, me krijime muzikore të bazuara në këngët e traditës dhe ngjarjet e kohës së fundshekullit XIX. Një nga veprat e para të muzikës instrumentale shqiptare është “Bashkimi i Shqipërisë” e Palok Kurtit, i cili ishte anëtar i Degës së Lidhjes së Prizrenit , flet qartazi për përpjekjen e shqiptarëve, prej më shumë se një shekulli, për të qenë të bashkuar. Kjo vepër u interpretua nga Filharmonia e Kosovës në qershor të këtij viti, në Ceremoninë e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
E gjithë përpjekja e shqiptarëve të Rilindjes Kombëtare, finalizohet me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në altarin e Shpalljes së Pavarësisë mori jetë “Himni i Flamurit”, e në origjinal “Betimi mbi flamurin” sipas vargjeve të Asdrenit. Melodia i përkiste marshit rumun të kompozuar nga kompozitori Ciprian Porumbesku, i përgatitur nga Kori i Kolonisë shqiptare të Bukureshtit, e për herë të parë u interpretua nga Banda e Lirisë së qytetit të Korçës. Duke qenë se ende nuk kishte mjete regjistrimi dhe shkrimin muzikor nuk e njihnin, atëherë emigrantët Hilë Mosi dhe Tashko Ilo nga Korça, e sollën në mesin tonë, duke e kënduar gjatë gjithë rrugës së kthimit, në mënyrë që mos ta harronin. Por, mëdyshjet e viteve të fundit, se “Himni kombëtar” mund të konsiderohet si plagjiaturë, studiuesi Akademik Vasil Tole, në studimin e tij të hollësishëm, i hedh poshtë duke na dëshmuar se që nga mesjeta, ekzistonte një proces artistik i quajtur “contrafaktum”, i cili në mënyrë të vetëdijshme, lejon huazimin e një melodie dhe e zëvendëson me tekst në gjuhë tjetër. Sipas studiuesve, arsyeja pse kjo këngë u bë kaq e dashur për shqiptarët, është pikërisht mjeshtëria e vargjeve të Asdrenit, i cili sjell trinomin e identitetit kombëtar Himnin, Flamurin dhe Betimin. Kjo edhe për faktin, se pikërisht Asdreni, duke qenë kontribues i literaturës shqiptare të Rilindjes, deshi të jepte të njëjtën flakë revolucionare, edhe në vendin e tij.
Por, përpjekjet e shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre nuk morën fund në vitin 1912. Ato vazhduan edhe në shekullin që lamë pas e po vazhdojnë edhe sot. Kur marrim përsipër të shkruajmë rreth luftës dhe muzikës, atëherë na shkon në mendje, se realisht kjo e fundit ka gjetur shtigjet e saj edhe në momentet më të vështira të njeriut. Duke qenë njëra nga trashëgimitë shpirtërore të njerëzimit, kujtojmë holokaustin e Luftës së Dytë botërore, ku pavarësisht të gjithave, shpirti artistik nuk u vra asnjëherë dhe në ditët e sotme gjejmë dëshmi të krijimeve muzikore hebreje, edhe në kampet e përqendrimit. Padashur të anashkaloj muzikën në vitet e Luftës së Dytë Botërore, e cila na kujton këngën “Partizani në luftë po shkonte”, dua të theksoj se në dorëshkrimet e Shtëpisë së Kulturës në Ferizaj, gjejmë gjurmë të muzikantit shqiptar Lorenc Antoni, i cili në vitin 1943 deri më 1944, mbajti aktivitete me orkestrinën amatore të qytetit.
Vitet e 80 e të 90, të cilat konsiderohen vite shumë të vështira, atëherë kur ngjarjet historike morën tjetër drejtim dhe u mbyllën të gjitha shkollat shqipe, e u larguan nga puna të gjithë shqiptarët. Si rrjedhojë, edhe muzika pati vështirësi, madje në antologjinë e artikujve të tij, etnomuzikologu Rexhep Munishi, vitet 90 dhe 91 i përshkruan si “Dy vite zie muzikore”. Por, më pas filluan gradualisht përpjekjet edhe në sfera tjera të jetës, që pavarësisht të gjithave, duhej të mbijetonim.
Por, çfarë ndodhi me artin muzikor shqiptar? Edhe pse vështirësitë ishin të mëdha për të realizuar një aktivitet muzikor, e realisht edhe tekstet e këngëve duhej të ndryshoheshin, në të kundërt vargjet patriotike, sillnin arrestime të muzikantëve.
Viti ‘88 dhe ‘89 në Kosovë, na kujtojnë vitet e vështira të demonstratave, e që padyshim kanë lënë gjurmë edhe te muzikantët, të cilët protestuan përmes veprave të tyre muzikore. Në njërën nga demonstratat, shqiptarët mbajtën çelësa në duar, që simbolizonin gjetjen e një rrugëdalje për të drejtat tona si popull. Pikërisht, kjo ngjarje, ndikoi te kompozitori i Himnit të Republikës së Kosovës, Mendi Mengjiqi, i cili kompozoi veprën korale me tekst të Din Mehmetit, “Dam Rrama Dam”.
Gjatë 10 vjeçarit të viteve 90, vihet në dukje përpjekja për të vazhduar traditën muzikore, madje edhe festivalet e këngës “Kosovarja këndon” e ai “Fëmijët e gëzuar”, mbajtën disa edicione me shumë vështirësi. Por, pavarësisht sakrificave, muzikantët shqiptarë u munduan që përmes këngës, të mbajnë gjallë traditën dhe frymën patriotike. Andaj, këto vite na kujtojnë këngët “Jam Evropë”, “Këtu shkëlqen plisi” të Ilir Shaqirit, “A vritet pafajësia” e Leonora Jakupit, “Marshi i UÇK” e “Jam Kosovë e shqiptarisë” nga Arif Vladi, “Baladë për mikun” nga Veli Sahiti, këngë të cilat u shndërruan në sinonim të luftës Çlirimtare.
Në periudhën e bombardimeve pas 24 marsit, shqiptarët përjetuan eksodin e rradhës të historisë tonë, e më pas vendin tonë e kaploi heshtja, e cila thyhej nga krismat e plumbave e nga vaji i fëmijëve. Diku në rreshtat e një autori shqiptar, lexova se pavarësisht se muzika është ndikuar nga luftërat, në tre muajt e bombardimeve, e kishte të vështirë të besonte se dikujt mund t’i ketë shkuar në mendje për të hedhur në letër ndonjë notë muzikore . Dhe, këto rreshta, më rikthyen në pranverën e vitit 99, kur u larguam nga shtëpia në fshatin Sojevë, kujtoj që mami im, pëveç se përpiqej që të mos pësonim asnjë gërvishtje, sa herë largoheshim, nuk harronte të merrte tre çanta me vete. E para kishte disa barëra e disa ushqime, e dyta kishte fotografitë e familjes dhe e treta ishte violina ime. Pas largimit, u vendosëm në Lagjen e re të qytetit, pasi ajo konsiderohej si lagjja më e sigurt. Partiturat e literaturës violinistike, më kishin mbetur në shtëpinë e kushëririt, e cila mori flakë, deri sa ne po largoheshim. Mbaj mend që kisha një fletore muzike dhe e nxitur nga situata dhe përjetimet që kisha, atëherë krijova një melodi të shkurtër dhe hodha notat në pentagram. Disa nga miqtë e familjes që jetonin në atë lagje, më dëgjonin dhe kujtoj se në sytë e tyre dhe të prindërve të mi, shihja dhimbje e trishtim, por mbi të gjitha, nga tingujt e violinës së një trembëdhjetë vjeçareje, ata shihnin një fije shprese se Kosova do të lulëzojë përsëri.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s