Poezi nga Agim Desku
ÇAST MBRËMJEJE
Ika për një çast nga vapa përcelluese e Diellit
Nuk më lodhi frika e të pavërtetave të thëna
Për heshtjen e zotnave pi deri në fundin e gotës
Pse nuk më dhanë fuqi më tepër se të Mujit.
Sot si t´i mbijetoj legjendat e lirive prekaziane.
E di se e vërteta më nuk kthehet serish në tokë
Edhe të gjithë yjet dhe galaktika të bien mbi mua
Fjala e shejtë po bëhet gjithnjë urë kaluese për djajtë
Sikur nuk jetohet më në planetin e ëndrrave të mia.
Cila këngë po na këndohet he për he për rreth nësh
Janë këta Apokalipsit apo jemi ne vetë këngëtarë
Nuk dyshoj në betejat e luftëtarëve të fisit tim të ri
As në ferrin që padrejtësisht mbeta i burgosuri i vetëm i Evropës .
ÇUDI
Çuditë lidhen vetëm me mua
Për fjalën edhe atëherë kur nuk vdisej
Unë vdiqa ende pa e pa Rozafën.
E di
Në të krisur e bëra veten
Kur peng i vërbërisë se pagëzimit
Pranova të jem edhe pikë.
Më duhej të isha vetë djalli
Të festoj fitoren mbi kokën e gjarpërit.
Askujt më nuk i duhet koka ime
As për të ngrit dolli dasme
Të vetmën nuse për nipçen
E duam ta marrim Rozafën.
Ah,ç´dhëndërr sonte ka hy
Mes për mes qytetit tim.
Legjendat pse nuk e thonë të vërtetën
Kur nusja ngrit dhe puthë gotën
Bishtalecat presin përqafimin e tij
Të shkrihen tërë verë Kosove.
Mbrëmë vdiqa para kohe
Sytë e gjarpërit ma vranë natën e krisur
Të dollisë kur dhëndërri puthi nusën.
Sapo u bëra rebël i një mijë e një dashurie të vrarë.
Këtë mbrëmje mbeta edhe pa pagëzimin e burrnisë
Eca kokë ulur nepër dhëmbjet e plagëve
Që kurrë nuk kanë kohë për një shërim.
FAL O ZOT
Si të fal
Kur më je shndërrue
Në fytyrëzi
Në ogurëzezë
Në korba të ri.
Më thuaj kush fal
Me Zotin a rri
Edhe kur fundose
Titanik
Edhe kur vrave
Secilin mik.
Si të fal
Kur u bëre me djall
Se djalli
Me vrasësit e ndave fjalën
Jetën dhe përrallën.
Nuk njeh atdhe as fe
Ah,Shqipërinë sa larg e ke.
E di Zot që kurrë nuk fal
Demonë as perandor
Si të fal këta fytyrëzi e korba të ri
Të mos bie ma Shqipëria në zi.