Poezi nga Hysen Grajçevci
FJALË ZEMRE
Si ta shpreh atë që e mbaj brenda?
Si ta them?
Shkruaj e fshij tërë jetën germa
dhe prapë atë që dua s’mund ta arrij!
Ore, i them vetes:
Ç’është kjo me mua?
Si është mundur,
atë që e mendoj në letër s’e nxjerr dot!?
Apo, zemra ime ka aq gjak ngrohtësie,
sa shprehja fjalën e kërkon më kot!?
Dhe ec rrugëve të kërkimit e nuk ndaloj!
Dua ta gjej atë që zemra ma thotë,
nuk dua ta bart me vete si peng shpirti
për në atë tjetrën botë!
Më në fund e gjeta!?
Jo unë,
po Naimi ynë i madh,
si duket dhe Ai dikur e pati
po të njëjtin hall!
Kur e pati thënë aq bukur e qartë:
…”E ku shkruhen në kartë fjalët’ e gjuhës së zjarrtë?”
RRËNJA
Duke vështruar plisin e bab’lokut në kokë
Se ç’përjetova në krahëror një të rrahur fort
Nga maja e kreshtës shqiponja në fluturim
Përshendeti plisin dhe bab’lokun tim
Në horizont me bjeshkën atje ku rrinë retë
Në një shkëmb guri një çerdhe bosh kishte mbetë
I nxitur nga legjendat folenë e shqipes pashë
Për habi brenda një gjysmë veze e stërlashtë
Mendimi më ngriu fjala më mbeti në grykë
Si të shkisja nga plisi dhe gjysmë veza sytë
Një ndjenjë drithëruese një emocion i rrallë
Një përjetim flakërues si asnjëherë më parë
Një zë ushtimë se ç’dëgjova nga qielli
Gjysmën tjetër mbi kokën e bab’lokut PLISI
Sytë më ndrinë nga gëzimi t’falem Përendi
Për këtë dhuratë popullit tim për këtë mrekulli
Tani Zanë kumto të vërtetën
Ta kuptojnë të githë anë e mbanë
Veza e shqipeve dhe plisi i bab’lokut
Janë një brum një formë dhe një rrënjë trungu kanë