Një jetë në udhëkryq / Pjesë nga romani i katërt ( Kapitulli II) i autores Lela Kokona Dardha

Një jetë në udhëkryq

Pjesë nga romani i katërt ( Kapitulli II) i autores Lela Kokona Dardha

Ambulanca frenoi përpara pallatit. Klithma rrëqethëse u dëgjuan nga dritaret e katit të dytë.Ishte zëri i nënës së tij që qante me kuje e ligje .Djali i tij i vogël 7 vjeçar Ani, që flinte, u tremb aq shumë sa u hodh përpjetë . Mendoi se ishte në një ëndërr të keqe. Pa dritat e ndezura në të gjithë shtëpinë.Më pas dëgjoi një zhurmë,lëvizje hapash dhe të qara rrëqethëse.U ngrit rrëmbimthi. Këmbët po i ngatërroheshin sa nuk po arrinte dot të mbante ekuilibrin. Dera që shtyu avash,gërviu acarueshëm.Pa nënën tek qante me fjalë vajtuese dhe dy gra të cilat po e mbanin nga krahët.Vuri re lotët e saj tek gurgullonin. Nga lëvizjet që bënte dukej sikur ishte e prangosur dhe donte të çlirohej prej tyre.Ani i afrohet nënës i tromaksur,duke qarë me ngashërime.Nëna e ftoi të ulej në prehërin e saj përmes psherëtimash të shumta.
– Oh Zot,fati i trishtë i fëmijëve të mi jetim!Ju lutem, merrini të katër djemtë prej këndej,largoini ju lutem të mos tromaksen!- Ani zgjati kokën drejtë derës së dhomës përballë.Sytë e tij pikasën disa të panjohur,të cilët qëndronin të heshtur,ulur në karrige .
– Ç’farë ka ngjarë o mami?Pse qan,mos të ka rrahur njeri,ndonjë hajdut?- Mendja i shkoi tek ata të panjohur që qëndronin aq serioz e të ngrysur.
Kam pak dhimbje koke Ani,po tani jam më mirë.
– Kush janë ata burrat atje në karrige?
– Janë mjekët zemër,më vizituan mua.
– Po babi ku është?
– Doli të shoqëronte infermieren.
– Po kur do të kthehet?- Nëna i bëri një lëvizje të syve dikujt që u gjend pranë për ta larguar.Ingranazhet e trurit të tij ishin gjithnjë në lëvizje sepse i bëri përshtypje dyndja e njerëzve të panjohur në shtëpinë e tij.Atë natë përjetoi natën më të frikshme,të trishtueshme në gjithë jetën e tij,edhe se iu afruan plotë duke u përpjekur që ta gjallëronin pak Anin e vogël të cilin më pas e çuan në shtrat.Dritat e mesnatës hiqnin njollat e errësirës së dhomës që depërtonin nëpër hapsirat e qepenave të drunjta,të pambyllur mirë.Futi kokën i trullosur nën jorgan duke vazhduar të pyeste veten se ç’gjë e tmerrshme mund të kishte ngjarë atë natë sa e dëbuan nga dhoma.Befas i erdhi në mëndje biseda që kishte bërë para disa ditësh nëna me babain, e pyeste nëse kishte marrë përgjigjen e analizës në spital ku po atë ditë e shtruan.Pas disa ditësh Ani i bëri një vizitë babait në spital bashkë me nënën.Atje vuri re se babai i tij ishte transformuar i tëri.Kishte dëgjuar bisedën me zë të ulët të nënës me mjekun.
– Burri juaj zonjë ka një tumor në kokë i cili duhet operuar shpejt patjetër,por problemi qëndron në faktin se këtu operacion nuk mund të bëhet, vetëm në Jugosllavi.-Kishte vënë re frymëmarrjen e thellë e të vështirë të nënës. Ishte afruar pranë shtratit të babait. Kishte pritur që ai t’i bënte ndonjë shenjë për t’u afruar pranë shtratit të tij duke dashur ta puthte, siç bënte ngahera, por kishte vënë re sytë e tij të kuq e buzën e lëkurën të zbehtë. Ishte rrëqethur i tëri…Një bisedë me zë të lartë në korridor ,bëri që Anit ti pritej filli i mendimeve dhe të vinte me këmbë në tokë.Tashmë kuptoi gjithçka. Si mbeti gjë tjetër, vetëm ti lutej Zotit që t’i jepte babait një prehje të përjetëshme, drita e pashtershme të ndriçonte gjithnjë rreth tij duke u prehur në paqe.Këtë lutje e dëgjoi si jehonë nga zëri i një zonje. U ngrit nxitimthi. Vrapoi drejtë korridorit.Çtë shikonte,nëna e gjunjëzuar përpara babait të shtrirë në mes të shtëpisë ,tashmë i vdekur.Zemra e tij sa nuk shpërtheu nga dhimbja.
– O Zot!Zgjoje babain tim! Bëje të kthejë sytë nga unë,të më flasë,të më puthi duke i marrë erë lëkurës time.Mos e lërë babain tim të ngjitet lart në qiell! Mbyllte sytë me shpresën se kur ti hapte prapë, Zoti do ti përgjigjej lutjeve të tij.Njerëzia ishin grumbulluar rreth tij tërë pezm e meit në fytyrë nga pamja makabre e vdekjes.Dukej se kishin frikë nga molepsja e ftohtë e mortit dhe qëndronin larg.Babain e sistemuan në sallon. Te koka e tij ngashërente nëna,përballë kërshërisë së lënduar të fqinjëve. Nuk mund ta pranonte atë të vërtetë të hidhur e tashmë të pandreqshme.I ishte ngulitur në mëndje fjala e këshilla e mësueses së tij.”Nëse në jetë do tu dalë ndonjë problem, mos u ligështoni,se gjithmonë me durim e përqëndrim, do të gjendet ndonjë zgjidhje.”Çdo problem ka zgjidhje”. Por, shpejtë kundërshtoi vetveten,sa nuk ishte përball zgjidhjes së një problemi.Kuptoi se babai tij kishte ikur nga kjo botë.U dëgjua zëri i një zonje që po e ngushëllonte nënën e cila po mbytej nga lotët e hidhërimit.
– Zonjë,ai nuk ka vdekur,thjeshtë ka ndërruar jetë nga ajo tokësore në atë të përtejme, të vërtetën e të përjetshmen.Them kështu,sepse njërëzve të tillë si i ndjeri, nuk mund të vdesin.Ata ndodhen diku ku vdekja s’është, nuk futet, sado fort t’i bjerë derës me grushta e tërsëllimë.Ai burrë fisnik jeton në dimensionin e jetës,është kthyer në një engjëll mbrojtës për fëmijët e tij e familjen tuaj.
– Po s’qenka e thënë moj motër. Po pse Zoti pra ,shfryu zemërimin e tij mbi të?- fliste e shteruar nga forcat dhe me një zë të mekur.Ani dëgjonte gjithçka pas derës së plasaritur e dalë boja e tëra.Shihte e ndjente gjithçka ndryshe.Përjetonte dhimbjet,vuajtjet, e babait me një ndjesi të pakapshme.Nuk mendonte më se sytë e tij do të shihnin dritë në fund të tunelit.Parafytyronte afishet e vdekjes nëpër shtyllat e rrugëve që i dukej se shumëfishohen e regëtinin nëpër një dritëzim të ftoftë që llamburiste qetësueshëm.Parefytyronte njerëzit që ndalonin duke shprehur keqardhje për moshën e tij të re.
– Sa i ri ! 37 vjeç. Sa padrejtësi është …- fliste nëna Anit nën zë.Kishte pushtuar një qetësi e shurdhër.
-E donte jetën i ziu. Luftoi sa mundi për të,por kthetrat e vdekjes e mbërthyen keq,ia morën dhe fillin e fundit të frymës.- vazhdonte nëna të murmuriste me vete. Ani guxoi të dilte në rrugë.Ishte një muzg i thellë.U struk në një trung të gjerë peme.E kishte zënë keq pikëllimi,sa u gjunjëzua me fytyrë përdhe duke qarë me gulçime.E lëshoi veten në vetminë e tij e lotët i rrëshqitën si pika të kristalta vese.Gjithçka u përmbys për atë, çdo ëndërr u shua.Ndjente veten të pambrojtur, të nëpërkëmbur.Iu shuan flakët e ndritshme të shpresës.Edhe hëna e zhveshur meit sikur ishte tretur nga trishtimi, lëshonte një dritë të zbehtë te sytë e tij të venitur.Filloi të mos pranonte asnjë pranë vetes, vetëm nënën.Të afërmit e tij në vend që të pezmatoheshin nga harbutëria e tij, dyfishuan përpjekjet e bamirësisë së tyre.Nuk i honepste dot më fytyrat e trishtuara dhe rrobat e tyre të zeza,as dhe përkëdhelitë që e mëshironin. Iu afrua nënës. I largoi flokët nga veshi dhe me një zë vajtues i tha:
-Kur do të largohen këta njerëzit? A t’a mbyll derën o mami? U mbush shtëpia dhe dhoma ime ka njerëz që si njoh.- I vrisnin veshët fjalët mallëngjyese e ngushëllimet e vizitorëve që ishin të shumtë.
– I mjeri ky,sa i ri!La katër djem jetim . I ditur,me një barrë shkollë të bërë në Itali.Dinte gjithë ato gjuhë të huaja.Tjetra ia priste:
– Ai lexonte libra italisht,frëngjisht ,jugosllavisht,ohu …ku ka dy si ai! Ishte derë e mirë,fisi i Petro Nini Luarasit ai,e jo shaka!I gjori,u bë njësh me erën,shkeli mbi të e u ngjit lartë.
– Po mortja zgjedh moj zemër,merr të mirët e lë këtu të këqinjtë.-Të kater vëllezërit panë njëri – tjetrin në sy e vunë buzën në gaz nga fjalët e asaj zonje.-” Shkeli mbi erë”.Mëngjesin e varrimit u mbyll në dhomë derisa arkivoli doli nga shtëpia.Uli qepenat, u shtri në krevat,nën jorgan,me një dëshirë të madhe, vendosi të shpallte luftë të gjithë atyre që do ta rrethonin,edhe se nuk arrinte dot të gjente ndonjë armik.Të gjithë armiqtë për të,ishin vetëm brenda vetes tij.E përjetoi keq vdekjen e babait.Ngjitej lart në një ballkon të vogël,ku atje s’ dilte asnjë,pasi dukej se po shembej nga çasti në çast.S’linin vend pa e kërkuar.
– Ku është djali? Ku ka vajtur?- fliste nëna e tromaksur. Ai vendoste një copë në kokë për të mos e zbuluar njeri.Më pas dilte vetë.E dinte se s’ do linin vend pa e kërkuar.U bë një krijesë e dëshpëruar. Rebelohej shpejt.U bë si një mace e tërbuar që për çdo ngacmim, ka si mbrojtje gërvishjen.Kërcente përpjetë si një sustë.Vetëm mamaja arrinte ti ulte zemërimin.Në çdo komunikim,merrte një pamje të zymtë në fytyrë.
– Ky djalë ka ndryshuar shumë!- fliste nëna e tij mes dëshpërimit.
– Kurrë më parë s’ka bërë kështu.- Ani e dëgjonte dhe e vështronte në sy pa folur.Ky qortim e shqetësim ,ishte bërë një avaz i vazhdueshëm,për veshët e tij,por dhe jo shumë i kuptueshëm për të.
– Mos u bë i egër dhe i pasjellshëm zemra ime,- iu drejtua gjyshja e tij me një zë të dhimbsur e këshillues.- E ka marrë malli djalin për babanë,s’ka faj,u bë kohë e gjatë që s’e ka parë,ska marrë përkëdhelitë e përkujdesjen e tij.I mungon veshi që e dëgjonte,syri që e vrojtonte me drithërima.- Pasi e dëgjoi gjyshen me vëmendje i tha:
– Gjyshe,je e sigurt se babai më donte vërtetë shumë? Që ishte syri që më vrojtonte apo më shikonte?
– U, korba unë! Ç’është kjo pyetje mor bir që më bën?! Ai të donte më shumë se jetën e tij.Po kur unë iu afrova afër krevatit në spital, ai nuk mi hodhi sytë fare mua, as nuk më përkëdheli si bënte dikur.Me gjithatë,mua më ka marrë malli për babin!- U shtri përmbys. Filloi të qante me ngashërim.Skishte asgjë që ta ngushëllonte në ato momente.
– O Zot! Si të bëj tani?- foli e mallëngjyer gjyshja. U ngrit nga poltroni ku ishte ulur. Mori djalin e shtrëngoi fort në gjoksin e saj.
– Pa më përqafo mua tani fort- fort,tani përqafoje dhe mamin. Pushtoje të tërën!- fliste gjyshja me fjalë të gërmëzuara,me një zë të mekur.
– Zemra ime,hajde tek mami ti!Fryma e tij është ja,këtu në mua, brenda meje, frymon bashkë me frymën time.Pa dëgjoje zemrën time sa fortë rreh, – dhe veshin e tij e drejtoi drejtë zemrës së saj.- E dëgjon me sa forcë rreh tani? Më shumë se kurrë.Janë të dyja zemrat,e imja dhe e babit të trupëzuara në një.Ti e di që ne duheshim shumë dhe sa shumë gjëra i kishim të përbashkëta. Edhe aroma e lëkurës tonë po ashtu.Të kujtohet si na thoje?- Të dy ju, një parfum keni hedhur o mami dhe ti babi? A më ke thënë kështu?
– Po mami!
– Tani vëre veshin prapë dhe dëgjo sesa shumë rreh zemra e tij në mua.E dëgjove? E beson tani? – Ani tundte kokën i pasigurt.Kaluan minuta ashtu të përqafuar.Shtëpia i dukej e zbrazët,e heshtur,hijerëndë.Sytë i vajtën tek biblioteka që mbahej me një këmbë, se në anën tjetër kishin vënë një tullë si këmbë të dytë,ku babai mbante librat të cilat i kishte blerë jashtë shtetit kur kishte qenë student.I bënin përshtypje se dukeshin sikur sapo ishin blerë,të paprekura.Iu kujtua biseda e tij me babain : “Këto libra do të duhen shumë kur të rritesh.Do të mësoj babi ty gjuhën e tyre e ti do të bëhesh i zoti për veten tënde…Librat janë magji,të bëjnë të ëndërrosh e të arrish atë që don të jesh.”I merrte ndër duar ,dhe sa herë i prekte,pranë i qendronte një siluetë që e vrojtonte me kërshëri teksa ky lexonte.Veshi i tij sikur arrinte të kapte tingujt e ëmbël të zërit të tij melodioz .Kapte një ndjesi,një dorë e padukshme i prekte supin e tij. Në fakt ishte nëna që i rrinte nga pas, ndersa lotët e kripura të trishtimit lodronin në qelqet e syve duke dashur t’i përthithet nga brenda të cilat nuk i thaheshin kurrë.Shtëpia ishte bërë më e ftohtë, e akullt,kishte humbur shkëlqimin e saj.Padrejtësi thonte arsyeja e tij, e nxitur nga shtysa e dhimbjes. Sa i turbullt ishte truri dhe sa e rebeluar zemra e tij! Beteja e tij mendore ishte në padije të thellë.Nuk gjente dot përgjigje pyetjes së pareshtur ” pse “? Pse fati i ishte përgjigjur në të kundërt të dëshirës së tij?! E ndjente veten të pafat, e kjo e bënte të ushqente vetëm farën e indinjatën.I afrohej humnerës duke tërhequr zvarrë copëza kujtimesh në imagjinatën e tij.Zërat e aktorëve të ndryshëm të filmave, përkonin me zërin e babait të tij.Sa shumë dëshironte të hynte në hipnozë,të takonte babanë,të shuante atë mall që në momente nostalgjie ndjehej krejtë i pafuqishëm.
– O mami! Unë e sjell në kujtesë babin,por s’po arrij t’a shikoj, ti flas t’a përqafoj…- i tha një ditë mamasë teksa bisedonte me të. Kthehej nga shkolla me makthin se nuk do ta gjente në dhomën e tij mbi libra…Vitet rridhnin si uji i lumit pa pushim.Ajo familje filloi të përballej keq me vështirësitë e jetës…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s