ANDREA DHE HELENA (Roman) – Kreu i tetë  / Nga: Resmi Osmani   

ANDREA DHE HELENA (Roman )    

Kreu i tetë  

 

   

Nga: Resmi Osmani                                                                                                                                                                                                                             

Kruja ishte në zi. Pallatit i kishte rënë  hije e përhinjtë, e trishtuar. Nga muret dukej sikur pikonte pikëllim. Në të hyrë të të shtatave të vdekjes së kont Tanush Topisë, ardhësit për “kryeshnosh” s’kishin të rreshtur. Erdhi nga Napoli edhe dom Damiani. E ngushelluan axhën si vëlla i të ndjerit dhe ai ngushëlloi të nipërit dhe të tre prisnin e përcillnin dashamirët. Bashkë me Andrean dhe Niketën shkuan te varrezat e kishës së shën Eleuterit.Varri ishte mbuluar me lule të freskëta dhe qirinj, që i bënin dritë. Dom Damianit, të heshtur e të dëshpëruar iu përsollën  ndër mend vitet e vogëlisë,të gëzueshme, të hareshme, derisa ata i ndanë shortet: ai shpatën, trashëgimin e principatës, tjetri kryqin, udhën e zotit , në gjirin e kishës dhe të dijes. Sytë iu rrëmbushën me lot.Bëri kryqin,  bekoi varrin dhe tha lutjen: ”Jepi, O Zot, pushimin e pasosun! E i ndrittë drita e pambaruar! U prehtë në paqe! “ –Ashtu qoftë!- Përsëritën të dy djemtë. Kur vuri re pikëllimin e të nipërve , mori e u tha ato fjalë që ai do t’i kishte thënë ditën e varrimit:

-Bijtë e mi! Zi e rëndë dhe e përgjithshme është, së pari për familjen, por edhe për gjithë principatën.Ky varr është mbuluar me dhe e me lavdi. Atë e përcolli për në varr  pikëllimi i mbarë Arbërisë.që e njihte për kryezot të saj, ngaqë jeta e tij ishte e mbushur më shumë me bëma sesa me ditë. Për prijësa si ai , varri nuk është terr, por është dritë. Ky s’është hiçi, harresa, por është përjetësia. Nuk është fundi, por vijimi. Varre ku prehen të tillë burra janë pjesë e pavdekësisë. Shumë i madh është pikëllimi ynë përball kësaj humbjeje të parakohshme, por  të mos biem në dëshpërim. Vdekja e një prijësi, e një njeriu të madh, emri i të cilit qëndron si gur themeli në ngrehinën e Arbërisë, le të zgjojë në shpirtërat tanë një tronditje të shënjtë, vullnet për ta shpënë më përpara veprën e tij.Për gjithkënd është ruajtur një fund. Le ta pranojmë këtë humbje, sado e ashpër dhe e dhimbshme e të mos biem në dëshpërim,por ta shpiem përpara veprën që ai nisi, një Arbëri të pavarur e arbërorët zotër të saj. Kësisoj shpirti i tij do të prehet në paqe. Amin!

Kaluan edhe të dyzetat. Miqtë e dashamirët, që vinin për kryeshnosh, u rralluan. Dom Damiani po gatitej për t’u kthyer në Napoli, në oborrin e mbretit

Robert. Para se të nisej, u dha të nipërve këshilla dhe porosi, veçanërisht si të ndërtonin marrëdhëniet me princat e principatave të tjera dhe mbretin Robert, por u tregua i kujdesëshëm dhe nuk i kallzoi të nipit se mbreti  nuk e kishte pritur mirë trashëgimin e kont Andreas.

Niketa me Angjelinën shkuan në kështjellën e tyre të Tujanit.  Ai nuk rronte dot nën hijen e të vëllait.

Andrea dhe Helena, bashkë me të dy djemtë, mbetën vetëm në Krujë në pallatin prindëror dhe ai u përfshi në andrallat dhe telashet e qeverisjes, që me sa dukej, nuk do të ishte e lehtë. Frynte era e luftës. Në veri, cari serb Stefan Dushani  thuajse kishte  shtënë në dorë gjithë Dardaninë. Aty ishin ndalur dhe siç dukej po përgatiteshin për marshimin drejt Jugut. E vetmja pengesë ishin dukagjinët.

Konti Andrea ende s’po mësohej me mendimin që kishte mbetur trashëgimtar i principatës atërore dhe duhej të qeveriste. Vinte re se qëndrimi i njerëzve rreth tij dhe i dinjitarëve kishte ndryshuar. Ishin më të përmbajtur dhe silleshin me shumë respekt e nderim.

Në një nga ditët shkoi në bibliotekë, që ishte në një nga dhomat jashtë kishës.Aty ruhej arkivi. At Dedë Skura, administrator dhe mirëmbajtës i asaj pasurie shkrimore, i ditur e i mençur, i rrëfeu në raftet e mbushur cit radhonjtë e trshë e të rëndë nga pergamenë, letër e papirus, kronikat e vjetra e shumë të vjetra, që shkruanin për historinë dhe bëmat e Pirro Burrit,mbret i Epirit, që edhe ai ishte arbër, Aleksandrit, mbret i Maqedonisë, i afërt e nip te iliret, luftrat e Ilirëve me Romën…..

-Vite të shkuar- tha ai -, kur jetonte ati juaj, që ju prehtë shpirti në parajsë, bëri një vizitë baritore, për të sjellë një enciklikë nga Selia e Shenjtë në peshkopatën e Krujës, peshkopi  frëng i Tivarit, Gijom Ade.Vizitoi dhe bibliotekën tonë. U çudit, si të kishte bërë një zbulim, kur pa libra të shkruara në “vernacula lingua” (gjuhën e vendit), me shkronja latine.

Pastaj ai zbriti mbi tryezë radhonjtë me harta dhe hipotekat e principatës së Arbërit dhe atë të Topiajve, me krahinat, fshatrat e qytetet, kështjellat dhe kufijtë me principatat e tjera arbërore.

I tha se Principata e Topiajve, ishte vijim i principatës së Arbërit, themeluar nga Progoni dhe zgjeruar nga dy djemtë e tij Dhimitri dhe Gjoni. Dhimitri u martua me Komnenën, bijë e Stefan Nemanjës së Rashkës dhe mbesë e perandorit bizantin Aleks Ëngjëlli II. Iu dha titulli “Princ i Arbërit”. Principata shtrihej nga lumi Drin, në veri, deri në Shkumbin në jugë. Qytetet kryesore ishin: Lezha, Durrësi, Ohri e Dibra. Qendra e principates ishte në Krujë. Principata e Topiajve e mori fillesën pas shuarjes së shtetit të Arbërit, pas luftrave me Bizantin. Ishte rrudhur pak në veri . Kufiri i saj niste në bregun jugor të lumit Mat dhe përfundonte në Shkumbin. Ultësira bregdetare ishte fushë e begatë, hambar i grurit. Në anëdet ishin kriporet dhe skelat e Rodonit, Melit dhe e Bregut në derdhje të Shkumbinit. Durrësi, qytet e port i lulëzuar, zotërohej nga Mbretëria e Napolit, por arbërorët kishin në të prona e pasuri të palujtshme, ndërsa prapatoka e tij që e ushqente, sillte të ardhura të mëdha. Në luginat e lumenjve dhe pllajat e rrafshinat e malësive të Krujës, Dajtit, Shen Gjergjit, Matit e Martaneshit, deri në kufi me Dibrën dhe Ohrin,  ishin të shtrira një sërë qendrash banimi dhe kështjella të vogla nën zotrim të fisnikërisë vendëse, që kontrollonin lëvizjen nëpër rrugët dhe luginat. Në to lulzonte bujqësia e blegtoria, zejtaria: poçeria, farkëtimi i armëve, punishtet e endjes me avlëmend të pëlhurave të linjta,  shajakut dhe qilimave, rrobaqepësit, këpucarët etj. Në Ndërfandë ishin xehet e bakrit , por nxirrej edhe argjend e flori. Nga Durrësi niste rruga e vjetër Egnatia, që ndiqte rrjedhën e Shkumbinit dhe të shpinte gjer në Konstantinopol të Bizantit.Në të lëviznin karvanet me mallra nga të dy krahët. Kudo ku kishte burime uji, ishin ndërtuar mullinj dhe dërstila për rrahjen e shajakut . Në një ditë të javës, në qendrat  e banuara ishte dita e tregut, ku shitej e blihej gjithçka.

Kjo ishte principata e Topiajve, krijuar nga Andrea Urani, më 1266, që i kishte rrënjët në Mat, nga Guri i Bardhë. Konti plak, ishte kujdesur që të ndërtonte marrëdhënie të mira varësie me aristokracinë dhe feudalët vasalë të trojeve të principatës. Ai i quante ata ”Njerëzit e mij”. Kujdes të madh tregonte me principatat kufitare, por veçanërisht me Venedikun, mbretërinë e Napolit, vasal i së cilës ishte, me papatin, duke u konvertuar në katolik. Në Krujë ishte kryepeshkopata e Arbërisë, që kishte në varësi kishat e Ndërfandës, Matit, Kurbinit etj. Kishte mbajtur marrëdhënie të mira me Raguzën dhe Bizantin.

-Edhe një gjë që ndoshta s’ta kanë thënë:  konti Tanush, emrin e pagëzimit e kishte Athanas, por që përsëvogli e thirrën shkurt e me përkëdheli Tanush dhe ky i mbeti si emër i vërtetë.

Ky ishte trashëgimi atëror, që tashmë ishte i tij. Por e dinte që kjo njohje, nuk mjaftonte. Ishte populli ai që duhej njohur. Shpirti i tij, dëshirat, hallet, nevojat, kerkesat,plotësimi dhe zgjidhja e tyre me drejtësi. E çfarë kërkonin? Bukën e përditshme, siguri për jetën, drejtësi dhe një grimë lumturi. Po t’ua siguronte, atëhere ata do ta besonin, do t’u përgjigjeshin thirrjeve të tij dhe do ta ndiqnin deri në fund të botës. E ndjente mungesën e të ungjit, por ai kishte shkuar t’i jepte sherbimet dhe mendjen e tij një mbreti të huaj , që u hiqej si mik, por që s’ishte i tillë. Nga i vëllai, Niketa, ngujuar në kështjellën e Tujanit, nuk priste as ndihmë, as përkrahje. Kishte Helenën, por vetëm dashuria e saj, nuk mjaftonte. Ai duhet ta ruante të pacënuar principatën, siç e kishte ruajtur për të i ati, por mundësisht edhe të shtuar e zgjeruar për djemtë e tij. Për ta mbajtur më këmbë, kishte një ushtri të vogël, gardën me njëmijë e pesëqind kalorës, por që në rast lufte ngrinte një ushtri mbi pesë mijë vetë. Flotilja me një skuadër anijesh veliera me dy direkë, që strehohej në Rodon, ishte e pafuqishme të përballej me galerat venedikase, raguzane, apo napolitane.

Për të qeverisur, ishte një organizëm “I këshillit të Pleqësisë”, me këshilltarë për thesarin, mbledhjen e taksave,monopolin e kripës dhe drithrave, për ekonominë dhe tregëtinë, gjyqtarët e paqit ”Pleqtë e kanunit”, noterët dhe shkruesit etj. Por fjala e fundit dhe vendimi i takonin atij. Për hartimin e akteve, përdoreshin të tri gjuhët: latinisht, greqisht dhe sllavisht. Në famullitë dhe manastiret ishin shkollat , ku mësonin fëmijët e bujarëve dhe fshatarëve të lirë.

Murgu Aleks, i manastirit të Shën Vlashit,i ndihmuar nga peshkopi i Tivarit, kishte nisur të kthente në gjuhën e popullit nga latinishtja  në arbërisht shërbesat kishtare me shkronja latine dhe ca shenja të veçanta, të krijuara prej tij, për ato shkronja të tingujve të veçantë, që ishin të arbërishtes e që s’i kishte latinishtja apo greqishtja.Besimtarët ishin turrur në kishë për të dëgjuar meshën në arbërisht , si të ndodheshin para një mrekullie.

Shpirti i arbërit po zgjohej.

 *     *    *

Kasneci i dërguar në Berat te Andrea II Muzaka, me një kërkesë për takimin e dy kryezotëve të principatave arbërore, u kthye me lajm të mirë. Kont Andrea Topia dhe princesha Helenë, ishin të mirëpritur në Berat të shtunën e dytë  të vjeshtës së parë.

Çeta e kalorësve doli nga Kruja heret për të udhëtuar në freski. Udha çante mes për mes fushën e Ilirikut, që deri në brigjet e Shkumbinit ishte zotërim I Topiajve.Shkumbinin e kaluan me trap dhe hynë në sinorin e Matrangëve. Udha gjarpëronte rrëzë kodrave, që gjelbëronin nga ullishtet dhe vreshtat, krye tyre ishin qyteza të vogla që zbardhnin në diell. Nën udhë shtrihej  laguna e Karavastasë dhe fusha e Savrës. Aty fillonin zotërimet e Muzakajve.

Bënë një pushim të shkurttër në hanin e Barbullinjës për të çlodhur kuajt e ngrënë gjësendi shpejt e shpejt. Pasditja i zuri aty ku lumi Osum bënte një brryl rrëzë kodrës  dhe çante udhën fushës për në det. Vaun e kaluan me lundra. Po i afroheshin Beratit. Në lindje hovëzonte drejt qiellit Tomorri, pështjellë me mjegull dhe re të ëndërrta dhe shënjtëri . Fusha niste dhe mbaronte në të hyrë të Beratit. Në të djathtë dhe të majtë ishin yrtet e mbjella. Mbi lumë çikrikë të drunjtë, që i shtillte rrjedha e lumit, merrnin në kova ujin dhe e zbraznin në ullukët e drunjtë për ujitjen e të mbjellave. Piklat e ujit që rridhnin shfaqeshin si qindra ylberë me pasqyli ngjyrash. Në hauzet buzë lumit, dukeshin  figura njerëzore, që bënin ca lëvizje te njesojshme, ishin rrahësit e shajakut.

Për t’i pritur dhe mirëseardhur, kishte dalë Gjoni, djali i madh i kont Andreas II Muzaka.Kalorësit i vunë në mes çiftin princor dhe i prinë për në qytet. Helena u befasua nga ajo që iu shfaq: Berati, lumi si një shirit i argjendtë , që rridhte në mes me reflekse e pasqyli nga reflektimi i dritës së perëndimit, ne të  dy  brigjet që i lidhte një urë e drunjtë, lagjet e banuara, si një magji e bardhë e të mistershme, me shtëpi të ngucura pranë njëra-tjetrës, me çardakë dhe dritare, si ca sy kureshtarë, që shihnin botën. Mbi kulmoret e përhinjta nga tymtarët,  spërdridheshin shtjellat e tymit të bardhë. Udha shkonte anës lumit dhe rrëzë shkëmbit, mbi të cilin lartohej kalaja. Helenës i mbetën sytë te kisha e Shën Mëhillit, që si një mrekulli ishte e strukur midis golleve të shkëmbit, ku besimtarin e shpinte një shkallare me parmakë druri. Kalimtarët e rastit, mbanin këmbët dhe përuleshin me nderim.

Andrea II Muzaka, burrë në mesmoshë, që sapo i kishin argjenduar flokët thinjat e para, shtatmesëm e truplidhur, fytyrëgjerë, që ia mbulonte mjekra e plotë, i pari i shtëpisë princore të Muzakajve, i njohur nga Bizanti si despot dhe nga papati e mbreti i Napolit si kont, ishte në kulmin e fuqisë së tij. Helenës i mbetën sytë te veshja e kont Andrea Muzakës: Fustanella e bardhë palë-palë, xhamadani i qëndisur e me sumbulla argjendi, mëngët e këmishës së bardhë të gjera e ndën to fanella e leshtë, beli i shtrënguar me brez me ngjyra si të kishte lidhur ylberin, pulpët me kalca të bardha stolisur me gajtanë të zinj dhe këpucët majëngritura me xhufka të kuqe.Në krye qylafin nga pellush i zi. Ishte veshja e burrave fisnikë të Jugut,që ajo e shihte për herë të parë, e ndryshme nga ajo e Veriut.

Në një shesh, ku zinte fill udha e kalldrëmtë për në kala, kishte ndërtuar pallatin e ri dykatësh, i gjithi me gur gëlqeror të bardhë të gdhendur, kolona mermeri të trëndafiltë, që mbanin harkadat dhe veranda e shtruar me mermer të bardhë. Oborri ishte i selitur me postatet e trëndafilave, borzilokut dhe manxuranës dhe në mes një shatërvan, që hidhte në lartësi currilat e ujit, që derdheshin me shushurimë në hauz. Piklat e ujit, mbi petlat e tëndafilave, ndrinin si xhevahire. Ajri ermironte borzilok e manxuran. Ky pallat i bënte nder ofiqeve dhe zotërimeve të tij.

Aty i priti miqtë. Ishte me të  tre djemtë: Gjonin, Teodorin dhe Stojën. Për të pritur dhe bërë shoqëri princeshës Helena, me ta kishte dalë edhe Komita, njera nga bijat  e muzakajve, e vluara e Gjergj Balshës II. Ishin ftuar bujarë nga paria e qytetit dhe kryepeshkopi, hirësia e tij  Nikodem.

Tryezat ishin mbushur me të ngrëna të shijshme e të zgjedhura për të nderuar miqtë e shquar. Në kupat e argjendta zbrazën verën e kuqe, që vinte nga rrushi Vlosh i Mallakastrës. Ullinjtë kokërrmëdhenj të Beratit, ndrinin si xhevahirë të zinj. Qingjat dhe kecat e pjekur në hell, ishin vendosur në palaretë e baltës dhe sinitë.Hirësia e tij, kryepeshkopi Nikodem, bëri lutjen “Ati ynë” dhe bekoi tryezën. I zoti i shtëpisë i grishi miqtë dhe ngriti një dolli për adashin,kontin Andrea Topia dhe princeshën Helena d’Anzhu. Darka zgjati gjer në mesnatë. Të nesërmen, burrat e Muzakajve dhe Konti Andrea Topia, u tërhoqën në kabinet për bisedime.

Komita Muzaka, vajzë e hedhur, gazmore, truplidhur, e zeshkët, me  sy të zinj e të qeshur  nën vetullat e harkuara,kishte dëgjuar për bukurinë dhe dashurinë e princeshës Helenë, që thuajse ishte kthyer në legjendë.Takimi me të e bindi për gjithsa kishte dëgjuar. E shihte me admirim. Edhe pse kishte shkelur në të tridhjetat dhe nënë e dy fëmijëve, ajo shpërndante rreth vetes bukuri dhe fisnikëri.

Komita, teksa burrat kuvendonin, mori përsipër t’i rrëfente Beratin. Bënë një kalim në treg. Anës rrugëve të shtruara me kalldrëm, qindra artizanë ushtronin zejet e tyre dhe tregtonin mallrat.Helenës i tërhoqën vëmendjen punimet e imta e plot zbukurime me gurë të çmuar të argjendarëve, gjallëria e bakërxhive, mëndafshet dhe cohët e punuara mjeshtërisht. Gjeje në atë treg gjithçka që mund të kërkoje. Në Berat hynin   karvane nga skelat e bregdetit me mallra, që shpërndaheshin në pjesët e brendshme të principatës:Tomorricë, Skrapar, Përmet e Këlcyrë, Mokër e Opar, Kolonjë, Devoll e Kostur, por edhe mallra nga brendësia për në Myzeqe dhe skelat e grykëlumenjve Pirgut në Shkumbin dhe Spinaricës në Vjosë. Në Tomorricë ishte miniera me mademet e arit.

Pastaj u ngjitën në kala. Gur mbi gur, ngjante  si një kal i harbuar,që kishte marrë turr nga kodrat dhe ishte ndalur befasisht buzë gremine , në breglumë, rrethuar me mure të fortë dhe bedena. Pas portës së parë, të rëndë, me dru lisi, forcuar me pllaka hekuri, vinte një oborr i brendshëm dhe një portë e dytë,e pas saj, një shesh si i prerë me thikë, mbushur me shtëpi të gurta dhe ngrehinat e garnizonit. E gjitha ishte dëshmi lashtësie dhe e mbushur me thesarë. Prej aty, në perëndim shihej gjithë fusha që tashmë e kishin quajtur e Myzeqesë. Në veri, vargu i kodrave mbuluar nga kurorat e ullinjve, në lindje, Tomorri dhe nga jugu, vargu i kodrave dhe maleve, sa të hante syri . Tej horizontit, ishte principatë e Muzakajve. Komita e tërhoqi Helenën nga dora dhe qëndruan në bedenat e kalasë.

-Shikoji mirë-foli ajo-Mali karshi është Shpiragu. E sheh sesi është i prerë e me plagë të thella? Hidhi sytë në Tomorr, mbuluar nga thelluka dhe gropa. Dikur ata ishin vëllezër , që duheshin shumë. Por në mes u hyri bukuria e një vashe-zanë që e dëshironin të dy. U zunë dhe luftuan për vdekje. Tomorri e preu Shpiragun me shpatë, Shpiragu e dërrmoi të vëllanë me topuz. Nga hidhërimi i asaj ploje që pa dhe shkak i së cilës ishte ajo, Zana qau e qau sa u ngurtësua, u shndërrua në gur. Është ky shkëmb i kalasë dhe nga lotët e saj, buroi Osumi. Kështu thotë legjenda, që na e kanë lënë të parët.

Helenës kjo legjendë i nxiti fantazinë : një vashë e bukur si në përrallë, dy dashuri, lakmi për të bukurën dhe xhelozi fatale. Me sytë e mendjes  vegoi si ta kishte para syve atë dyluftim viganësh dhe bukurinë fatale të Zanës së pafat.

-Ky është Berati ynë. Thonë që i ka kapërcyer njëmijë e pesëqind vjet. Plak e stërplak, por edhe i ri dhe i mbushur me ngjarje e histori.Kanë kaluar këndej Roma e Bizanti, Hunë e Avarë, kanë rrënuar, djegur, vrarë e shkatërruar, por këtu kanë lënë eshtrat dhe janë kalbur nën dhe e janë harruar. Berati, ashtu si gjithë Iliria, është ringjallur e përtërirë, për t’u bërë edhe më i fortë, edhe më i bukur, edhe më i pasur. Na ka mbajtur gjallë qëndresa, puna dhe besimi në Zot. Ky është Berati ynë me dyzet kisha, njëqind vajza e gra me emrin Marë dhe njëmijë dritare!

Komitës , teksa fliste i qeshinin sytë, dukej që e donte qytetin e saj, ndaj Helena e pyeti:

-Të vjen keq që martesa do të ndajë nga vendlindja?

-Aha! Iki nga lumi  e shkoj në det! Balshajt zotërojnë limanin e Ulqinit. Ulqinakët janë lundërtarë të zotë dhe i bien detit tej e mbanë. Im vëlla, Teodori që ka qënë atje, më tha që  pallatin dhe kullat ata i kanë buzë detit dhe i rreh vala. Në mëngjes të zgjon zhaurima e dallgëve, teksa në darkë, po ato dallgë të venë në gjumë si këngë ninulle.   Por i tillë është fati ynë, i caktuar që në lindje, ne s’kemi të drejtë ta zgjedhim shortin tonë , si vashat e zakonshme.

-Po ty të zë malli për vendin tënd?

-Do të isha e padrejtë po të thoshja jo. Kanë kaluar afro dhjetë vite dhe po rriten djemtë. Ishte një zgjedhje që e bëra vetë. Tashti jam bërë arbërore. I tillë është fati i grave.

Në kala ishin disa  kisha: ndër to më të bukurat e Tërëshënjta e Vllahernës dhe e Shën Triadhës. Helena shprehu dëshirën të falej. Hynë në Shën Triadhë.Kisha, në formën e kryqit me kupolë të lartë e kambanore, ndriçohej nga dritaret e vogla me xhama me ngjyra, nga ku fashat e vrundujve të rrezeve të  diellit çanin mugëtirën e brendshme dhe tymin e qirinjve. Ikonostasi, altari dhe muret, përfshi dhe kubenë, ishin të pikturuara mjeshtërisht me pamje ungjillore, në ikonostas binte në sy Shën Maria me të birin foshnje në pëqi. Qetësia dhe misteri i përshpirtshëm, aroma e temjanit dhe mugëtira, i ngjallën në shpirt Helenës ngazëllimin mistik. Bëri kryqin dhe nisi të thonte lutjet.

Komita i hoqi udhën për në kishën e Shën Gjergjit, me nam për bibliotekën e saj dhe kodikët me shkrimet e shenjta. I priti meshtari Theofan Skura dhe murgu i shumëditur Teodulos. Komita u kërkoi t’i rrëfenën princeshës Helenë më të vyerit e librave të shënjtë. Ata u mpakën e u rrudhën me padëshirë për atë që u kërkonin, por kur morën vesh se kush ishte vizitorja, u shkrifën. Meshtari Theofan, mori nga raftet dhe uli mbi tryezë dy kodikë dhe nisi të spjegojë:

-Kodiku i Purpurt, është shkruar shtatqind vjet më parë, në pergamen të purpurt, me shkronja të derdhura nga argjend. Përmban pjesë nga ungijtë e shenjtë të Mateut dhe Markut. Ka njëqind e nëntëdhjet fletë. Ky tjetri është kodiku i artë, ka katërqind e njëzet fletë. E quajmë kështu se është shkruar me shkronja të arta, është më i ri, i shkruar para treqind vjetësh. Janë të katër ungjijtë: i Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit. Në të dy është fjala e Zotit.     Princesha Helenë po i shihte me admirim. Kapakët ishin nga pllaka argjendi të lara me flori. Ca më shumë, kur murgu i shumëditur Teodulos, i tha se kodikët ishin krijim i mjeshtrave kishtarë të Beratit dhe se shkronjat ishin derdhur në punishtet e atyshme.

-I ruajmë si sytë e ballit, si gjërat e rralla e të shënjta. Gjithë ç’shihni në këtë bibliotekë, është pjesë e dashurisë dhe besimit në Tënëzot, gjallesës së popullit tonë të farës arbërore në këto troje, sido që kanë vërshuar mbi të dallgët e egra të histories, që kanë dashur ta shfarosin nga faqja e dheut. Ky besim dhe shpresa na kanë mbajtur gjallë.  Që ia u rrëfyem, bëmë një përjashtim për shkëlqesitë tuaja. Popullit të këtushëm dhe besimtarëve që vijnë nga ana e anës,  ua  tregojmë vetëm një herë në vit, ditën e emrit të Shën Gjon Gojartit.

Murgu i shumëditur Teodulos, u rrëfeu dhe punëtorinë, ku ngjizeshin librat dhe ikonat. Ishte një sallë e gjatë dhe e lartë. Murgjërit mjekroshë, kokëqethur, të veshur me zhgune , ishin përkulur në tryeza mbi fletet e papirusit dhe pergamenës , me kallamarët e bojës dhe pendë korbi. Shkruanin në heshtje, kurse zografët pikturonin në ikonat mbi sargji apo dru.Ishte aq qetë, sa dëgjohej gërricja e pendëve mbi pergamenë.

U bë shkak ardhja në Berat, që princesha Helenë, përveç bukurive dhe begative të vendit, të njihte një anë tjetër të arbërorëve, botën shpirtërore, një pjesë të qytetrimit të tyre dhe rrënjët , që shtreiheshin thellë në histori, që për ta ishte burim krenarie.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s