Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

Testament

Nuk dua asgjë, asgjë nuk dua: merri muret, po jo dritaret
Merre kopshtin po jo zogun e kuq mbi kumbullën e lulëzuar
Veç tyre asgjë nuk dua.

Nuk dua asgjë, asgjë nuk dua: merre sixhadenë me sfinks
Orën e madhe me lavjerësin joshës si grua
Veç kohën kur të desha, ma lë mua.

Me murin merre dhe tablonë e Pikasos
Merre dhe pianon me tastierat si krua
Veç lotët në faqe lërmi mua.

Merre pishinën, “Jaguarin” e ri
Dhe rrugën me mozaik të shtruar
Veç kantinën me verë ma lë mua.

Merri të gjitha dhe pyllin e vogël
Lëndinën e ëndërrt mbështetur në panja
Lermë veç hënën që kërcen sa herë hapet shampanja.

Mos harro të më lësh dhe hapat e tua
Gishtërinjtë e dritës mbi tastierë
Dhe zemrën dhe zemrën patjetër e dua…

Veç kështu Testamenti ka vlerë…

 

FRERI

Kalin e plakur e vranë, pastaj ia hoqën frerin
“Ngatërruam radhë” – tha njëri.

Frerin e vjetër ia vunë një kali të ri,
e shtrydhi shpirtin i shkreti: lot në sy.

Nëpër rrugë, nëpër botë rendi e rendi
veç frerit s’iu hoq shija e gjakut të tjetrit.

 

Nga ara në det…

Ajo ara e vogël me grurë pak metra buzë detit
Det grunjrash det dallgësh garonin njeri – tjetrin
Dhe ne të dy vraponim, notonim e qeshnim.

Herë ishe lulëkuqe, herë isha spirancë
Herë bëhesha baticë, herë fryje bunacë
Në detin e grunjrave lundroje si varkë
Oh, ç’kallëz e artë në detin me dallgë…

Vrapoja pas gjurmëve nga ara në det
Gjurmët nata i mbushte me vesë:
Baptistera ku laheshin zogjtë në mëngjes
Pagëzoheshin për festë.

Ca vëth xixëllonjash në trup të kallinjtë
Xhelozë bënin yjet çdo darkë
Fenerë xixëllonjash kthejnë detin në shpirt
Kur isha feneri, ti bëheshe varkë:
Lulëkuqja mbi kallëz – velëz në flakë.

Shtriheshin dallgët në breg solemnisht
Të gatshme të bëheshin vello çdo natë
Orkestër kishim ca pipëza kallinjsh
Në mes unë dhëndrri me grunajën – këmishë
Me lulëkuqen – kravatë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s