Poezi nga Zhaneta Barxhaj
***
Lumenjtë e syve të tu
Ulen mbi të miat qerpikë.
Mbështjellin gishtash
Trakun e zemrës
Urave ndërtuar.
Regëtimave të shpirtit
Ikim e vimë përsëri të lumturuar!
***
Pikëlon në mua, vesa e brymtë.
Në dejet e lagështa, futur kokrriza pjalmi
pllenojnë aromë dhe lule…
Që në lindje mbart me vete
ekuinoksin pranveror
dhe përtërihem stinëve.
Pranverë jam,
edhe kur ndjej herë pas here,
pikëlimin e brymë vesës
të trokas në mua.
Po, jam pranverë…
***
Brishtësisht sytë e mi
u thyen mbi ty sekondave të pakta.
Lagështija nuk më la,
të thaja tablonë tënde brenda tyre.
Të ndjeva të rrëshqisje
llangosur në bojra dashurie.
Nxorra xhepit shaminë
këputur cepash,
e fytyrën pastrova, ngjyrave të zhbëra.
Të pashë… ti ishe aty…
Ta hedh a në xhep ta mbaj përsëri,
si një kujtim që dikur, diku
ishim dy…




























Leave a Reply