Poezi nga Fejzi Murati
MIKESHAT E MIA
Kur vadis lulet u flas të gjithave me zemër
i përkëdhel e i ledhatoj një për një…
edhe kur i plehëroj, i apeloj emër për emër,
herë me zë të lartë
e herë pa zë.
Dhe më duket se të gjitha më kuptojnë,
hepohen drejt meje gjithë aromë e gëzim…
Hesht e dëgjoj tingujt e ëmbël të petaleve
që mbushin gjithë hare shpirtin tim.
Më duken si miq të mirë
që asgjë s’kërkojnë
por mbjellin mes nesh vetëm dashuri,
na mbushin me shpresë,
me jetë e me dritë
të mos ndjehemi askurrë në vetmi.
Atëherë bije në mendime i trishtuar për këtë botë,
që harroi se jeta ka doemos një kufi!
Nuk del as për grindje
e as për mërira,
por është det pa anë e fund për dashuri.
Pse njerëzit nuk janë si lulet o NJERI?
PEMA E VETMUAR
Jam e vetme mbi këtë kodër të zhveshur
Dhe ti më rreh me llohë dhe erë o dimër i ftohtë,
Po nuk të zemërohem, nuk të mbaj mëri
Që gjethet m’i hedh pamëshirë në tokë!
Nga ti mësoj ta dua më shumë pranverën,
plot lule e gjethe si nuse të bukur më mbulon
Flladitem e lumturohem nën qiellin e kaltër,
U shpërndaj njerëzve gëzim, freski e aromë
Nga ti mësoj ta dua më shumë diellin në verë
Më jep zjarrin në degë, në rrënjë dhe në gjethe
Limfa jetëdhënëse më lëviz ndër damarë
Më lumturon edhe pse në kodër jam e vetme.
Melankolike vjeshta më pikturon qetësisht
Me mijra nuanca, plot delikatesë e dashuri
Më mbush me besim ta pres e qetë dimërimin
Dhe në pranverë të lulëzoj gëzueshëm përsëri.
GRUAJA E BUKUR NË SHI!
Befas filloi shiu,
një shi i bukur i imët, shi vere,
të zuri në pedonalen anës detit, pa strehëza
ngele për një moment e hutuar, si zog i trembur
si zog pa pupla, rrëzuar nga foleza!
Pikat e shiut luanin me flokun tënd,
shiu t’u fut në gushë,
në shpinë e në gjinj,
fustani i hollë t’u ngjit pas trupi
poshtë tij drithëronte çdo linjë…
Faqkat t’u skuqën si lulkuqe maji,
fërgëlloje e tëra nën ujë,
tentove të shpejtoje hapat,
por e kotë;
fustani i lagur të ngrihej mbi gjunjë.
…dhe ti ece ashtu si gjithmonë
me kokën pak anash e sytë përdhe,
qielli u lumturua me elegancën tënde,
shiu mahnitur nga bukuria jote,
papritur u ndërpre!
VDEKJA E BLETËS
Vdiq një bletë!
Vdiq sot në mëngjes,
kur ishte duke qëmtuar nektar
mbi kurorët e luleve mbuluar me vesë!
Vdiq duke kërkuar t’i shërbente njeriut,
t’i dhuronte mjaltin e mbledhur në lule dardhe,
mbi molle e mbi pjeshke!
Vdiq se ndeshi në pesticidet që njeriu kish shpërndarë…
Vdiq e tradhëtuar,
e prerë në besë!
Eh, njeriu i sotshëm,
njeriu modern!
Sa jetë ke vrarë?
Sa jetë po vret!?
Lakmia jote i kundërvihet botës,
po vret edhe njerëz e jo vetëm bletë!
Mos harro i marrë se nuk ka dy jetë!