Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Buzëqeshje

Falmë një buzëqeshje e ditën kthema në diell,
Veç një, të dielltë e dua,me kodin tonë,
Falma një buzëqeshje dhe gazin shtoma,
Të dlirë e dua,të ngrohtë, shpirtin të ma qetësojë.

Një buzëqeshje falma e rikthema pranverën,
Sillmi dallandyshet në çdo qelizë të shpirtit,
Çilmi manushaqet me aromën e erës,
Zbukuroma syrin me kthjelltësinë e dritës.

Falmë pra një buzëqeshje shpirti,
E rizgjoma shpresën dhe ëndrrën e dlirë,
Ylberin të kalojë,t’i çajë shtatë dete,
T’i shkrijë akullnajat e Polit të Veriut.

…me flatra zogjsh, vishma kostumin e shpirtit…

 

Heshtje…

Heshtje totale,
njerëz të shtrirë,
mobilje të përgjumura,,
tryeza hapur katër duarsh.
Pauzë shekullore.

Veç abazhuri më sheh pingul
në kokërdhok të syrit
e vështrimin s’ma heq asnjë çast.
Është mërzitur me pozicionin tim.

Sytë pulaten përgjumësh mbi tv.
Heshtje mjerane,
zëra të ngrirë,
lajme fantazmë.
I njëjti rrethrrotullim 24 orë në 24.
90 m2 ia njohëm cep më cep çdo skutë,
Ia mësuam njëri-tjetrit çdo huq.

…s’ paskemi ditur shumë gjëra…

 

Ethe globale

…temperaturë e lartë
cep më cep…

globit po i çahen
termometrat e shpirtit,
e si një grua lehonë,
zhiva bie në koma.

…të themi gjëra të bukura,
ta zgjojmë lehonën globale
nga ftoma…

 

Zbathje

Këto ditë të trishta,
mësova të eci zbathur,
e të shëtis e zhveshur
nëpër pavionin
e çmendurisë pandemike.
(me mendje,sigurisht).

Dikur zbathur ecja,
dhe ime më,
gjithmonë më thoshte:
“Po do vritesh moj bijë!”

Nuk më thoshte do sëmuresh,
sepse e dinte
që nuk sëmuresha kollaj,
isha e fortë për çudi.

Zbathur mësova
të bëj shumë gjëra,
të mbledh lule,
e t’i thur kurora,
të mbush ujë te burimi
në mes të lagjes,
e të hipi nëpër degëzat e qershisë,
që vistaket, vathëza t’i vija,
e si nuse të stolisesha.

Edhe fjalët
zbathur mësova t’i them,
mësova t’i them
pa dorashka, të forta,
e shpeshherë djegëse.

Edhe buzëqeshjet zbathur i jepja,
ma vishnin shpirtin e blertë,
e ma gjethonin me degëza.

Zbathur dashurova me gjuhën e shpirtit,
e po zbathur ndoqa time bijë e tim bir,
mes çdo shqetësimi nëne.

E tani?
Eh,edhe tani
zbathur vazhdoj të qëndroj,
bashkë me mërzinë apokaliptike,
shoqëruesen e përjetshme,
që për çudi, ka durim çmendurak.

…ndoshta zbathur në shpirt,
mbrohemi më mirë …

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s