Poezi nga Rudina Muharremi Beja

Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 

FLATRA 

Duhma e dëshpërimit udhëtonte arterieve të qytetit,
ndërsa portreti i zbehur,
njoftonte dhimbjen në barrë kurmi që shuhej.

Fytyrat e trembura me buzëqeshje të përhumbura
e trishtimin burgosur nën qerpik,
nxitonin qorrsokakëve ngushtuar angështive,
në kërkim ekzistencës përtej.

A thua jeta po luan pis
e faqen e saj më të errët po nis?!

Vëmendjen ma tërhoqi një shitës që lozte me fjalët;
U fliste zë ulët klientëve të pakët:
“Mbrojeni shpirtin prej ortekut të heshtjes,
mos ua zini frymën fjalëve të ëmbla, ato mbartin dashuri…
Jeta na është dhënë e vjedhur, helmuar e gëzuar,
por është loja më e bukur që na është dhuruar!

Sa forcë, në ato fjalë! Sa dashuri, sa jetë!
Fluturonin psherëtimave të e peizazhit të shkretë,
Lulëzonin sythe buzëqeshjesh, që çelnin cepit të syrit,
në vend të cohës së zezë të trishtimit…

 

HARRESA…

Doli nga skena e amfiteatrit të botës,
harruar në kushedi ç’ harresë,
oqeanëve bosh,
shkretëtirave të gjera
apo fundit të ndonjë sënduku… .

Tek një stuhi pa shi, pa dallgë,
kafshonte boshllëkun udhëve,
përmbytur kokrratjeve të korbave,
pranverës s’ ngujume… .

Dëshpërimit u lutëm,
Të avitesh përmes mllefit t’ stuhisë,
kur çdo gjë dënesur thërrmuan,
përfshirë lirinë,
trokut të largimit Tënd,
gremisjes gjithçka humbëm,
përveç besimit!

 

EKLIPSE

Qëndroi për orë të tëra para një portreti,
vizatuar memorjes që sa vinte e zbardhej,
eklipseve që s’ shihen me sy të lirë… .

Vallë sfidat e jetës e kishin zbehur?!
Luspat e një ikitoze?!
Apo meduzat,
shndërruar kishin në gur… ?!

Mblodhi me avash guaskës së mendimeve,
imazhin e parë, të patjetërsuar,
e u largua…,
pa ditur ku!

 

NË TEH

Venerohen hipokrizitë skenave…

Belbëzojnë imazhet me gjuhë zbrazëtie,
pushtuar prej qelizave ngjyrë trëndafili,
veshur me rrecka lavdie…,
e pas kuintave…,
silueta të mrekullueshme blerojnë tinëz,
harruar thërrmimit të emocioneve …

Dëgjonte në heshtje veten,
ditës së fundit të pranverës së parë,
tek me sy maste udhën para-pas quintave,
e perdja, më shumë se një utopi,
i ngjau me tehun e një humnere…

 

HADIT…!

Shko Had!
Shko thellësive,
nga ku fronit Tënd të squfurt, përpëlitesh agonive
Prit atje traget të radhës…

Skeptri Yt nuk të bën mbret
as helmetë e as “koronë”
vetëm pse emrin ka të tillë,
s’do të kesh fron…!

Ndonëse egon ke të pamat,
Mos u gëzo Had…!

Përpiqu kufij t’i vesh vetes,
e mos harro,
Do të gjendet gjithmonë një Zeus,
ta shuajë ankthin e urisë Tënde
Apo ndoshta një Perse,
krenarinë të ta rrënojë,
e të dëbojë, atje,
territ të honeve ku vendin ke!

 

DHEUT TIM!

Nuk kujtoj mirë si humba udhën,
e zgjodha të shkoj kaq larg teje,
bekimi im,
Ti toka ime,
që në gji mban etërit,
ndalesave të përjetshme…!

Sa herë me avash shkel kurmin tënd,
gjunjët më dridhen,
njëmijë ndjesi fshikullijnë njëkohësisht
qënien time të pafuqishme,
prej njeriu të vockël,
gjoksit n’dhimbje, kur t’avitem…!

Oshëtijnë hapave emocionet,
tek lexoj rrëfenjën e historisë tënde,
fshehur relievit të drobitur,
në çdo grimcë dheu, rëre, guri…
Mos u tremb,
kur trupin ta vrasin dheu im,
zymtuar stinëve…

Qofsh e bekuar toka ime!

Nusëron hireve bukuria jote,
portreti yt prej ëndrre,
në duart e nënave që tundën djepet,
bujarisë së monopateve,
luadheve të kujtimeve,
që galopojnë matanë sinorëve
e agonisë së shpresave,
që lahen, thahen muzgut të vonë,
aty ku vala puth bregun e mallit,
rrëqethjes, ku brenga rron…!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s