Poezi nga Xheladin A. Çitaku
GRISUR SHPIRTËRAT
*
Ambicia, shpesh, në parrugë na shpie
shumëherë me gremisje na ka sprovuar
por vijnë ca kohëra që s`na ka më hije
të ecim më tutje trasesë së shkatërruar.
*
Në fillim të shkallëve me vrull u ngjitëm
tutje e mbërthyem shpirtin në koklavitje
ndjenjën e virtytit ndër skuta e platitëm
veten, të mashtruar, e futëm në lajthitje.
*
Egot trilluese ndër parakalime perfide
i grisin shpirtërat në kangjela çmendie
me vello fiksimesh e gjykimet morbide
futen në mëkate e në muzgje përjetësie.
*
Nga hapat e hedhur në moçalet e kohës
stërkalat e llumit e zhlyejnë fytyrën
tipare të deformuara i servuam botës
për reklamë shëmtie fajsojmë pasqyrën.
*
Virtyti shtegëton bashkë me dlirësinë
në secilën kohë, çdo vend e qarkon
sepse përgjithmonë e stolisë njerëzinë
ka veç një fytyrë, dot nuk e ndryshon…
PASQYRË TRILLESH
*
Në kornizë të dritares shfaqet një vegim
si portret i puhizës në imazh të pranverës
ngjanë në horizontin që shëndritë në agim
nga disku diellor, tek lundron hemisferës.
*
Në xhamin e rrafshtë ca ngjyra valëzohen
tek dalin nga ëndrrat, në mes të këputura
pluskojnë nga shpirti, n`iluzione skicohen
përshkojnë imagjinatën, lehtë sikur flutura.
*
Në kornizën e qelqtë shikimi seç përthyhet
dhe me sytë e mendjes ëndjen e përvijon
në mahnitje fantazishë vështrimi ndryhet
dëshirë e ngazëllyer n`fatamorganë defilon.
*
Në kornizën e kohës, magjepsja kurthërohet
mbërthehen në çengela ambicie dhe pasione
edhe magmë e prushëruar, në bredhje ftohet
si mbeturinë e pavlerë, rrëkllehet ndër hone.
*
Në kornizën e absurdit, herë ngulitet fiksimi
shpirti përngjitet ndër lazdrime xixëllimash
në pikëvesën e mëngjesit mbërthehet tundimi
dhe treten së bashku, sikur rrufe vetëtimash.
SFILATË MASKASH
*
Mbi tokën e lashtë, mëllenjat seç krrokasin
tek shohin dallëndyshe e shqiponja në lartësi
në togje grupëzuar, gllabërueshëm nuhasin
që sqepin ta ngulin ndër kërma, me babëzi.
*
Shpura virusësh, si viganë, vërshojnë sot
me vërsulje tinzare që u shkojnë për shtati,
pështirshëm mashtrohen e krekosen kot
sikur hijenat shtriqen, së gjëri e së gjati.
*
Në valle lugetërish e shpirtërash të djallosur
vallëzojnë të kollarisur hipokritë mjerimi
hendikep në mendje, me fytyra pudrosur
që s`e dallojnë dot aromën nga kutërbimi.
*
Këmbejnë dushk për gogla në tregjet e botës
që t`i shtrojnë ndër sofra si desert me shije
krupshëm ta ngjyrojnë surratin e maskotës
për ta nxjerrë në shesh fytyrën që u ka hije.
*
Në vallen e djallit lozin shpura neveritëse
dhe ca turma pa tru që veç ison u mbajnë
erëcakë të dresuar nëpër gjurmë zvarritëse
dhëmbët kan mprehur, vetveten ta çajnë.
HORIZONTE TË MJEGULLTA
*
Çakejtë e përhershëm veshur në gzofe të civilizimit
dhëmbët tregojnë kësulave që rrugëtuan në lashtësi
noçka stepash u servojnë për tipare të fytyrëzimit,
fytyrat e maskuara pshtirshëm, lozin tragjikomedi.
*
Shpirtërat, të nxirë në bloza barbarie të skëterrës
ngarendin shtigjeve të baltosura të mendësisë plakë
trillime marrëzish shpërfaqen në pasqyrën e mnerës
shpërndarë në kuadrate gënjeshtrash, vartësve guak.
*
Kaposh të joshur në margaritarë shkëlqimi të paqenë
ushqehen vullnetshëm në guzhina të talljes sarkastike
tundohen racionesh boshësie, që dhurojnë gangrenë
përtypin padenjësisht zvarritjen, në shujta tragjike.
*
Vrragë shekujsh vijzuan sinorë, të ngulitur egërsisht
ngritën piramida shëmtishë nëpër trollin e përcëlluar
marangozë inkuizitësh projektojnë murana pabesisht
me hostenët gjëmbaç, pudrosin si lustër të qytetëruar.
*
Kmesë e mprehur e të djeshmes qëndron mbi kokë
si erashkë e pëflakur veset e pashitura i ripërtrinë
hipokrizi përdredhëse qëndisë mashtrimet në tokë
në skica monstruoze, pamëshirshëm shtytë bisturinë…