Kali i Luaratit (Rrëfenjë çame nga Luarati) / Nga: Namik Selmani

Kali i Luaratit
(Rrëfenjë çame nga Luarati)

 

Nga: Namik Selmani

Kishte kohë që Bequa ishte bërë zot i arës.Ishte bërë burrë e i dinte të gjitha shtigjet e dhive e brinjat më të fshehta të maleve rreth Luaratit ku kishte lindur. Porsa ta ngacmoje pak e ai të fliste një për një për të gjitha arat e fshatit e të Luaratit e të mbarë Margëllëçit. I dinte mirë edhe vendet ku lulet lulëzonin edhe në palcën e vapës së korrikut pa u tharë.
Ia dinte një për një emrat e të gjitha brinjëve, staneve.krojeve të krahinës. Ishte bërë zot i burimeve e i lëndinave . E dinte fare mirë kur ugari priste farën e kur delet do të lindnin qengjat e vegjël. Kishte dëgjuar nga babai e nga gjyshi se në tokat e fshatit , të parët kishin gjetur shenja se në kohët e lashta aty kishin jetuar fiset e vjetra të gjithë Ballkanit .Nuk kishte shumë shkollë po duke qëndruar pas më të mëdhenjve e më të diturve kishte mësuar shumë nga historia e Çamërisë.
Çdo javë Bequa nuk harronte të shkonte në pazarin e Filatit.. Takonte miqtë e vjetër e jo rrallë bënte edhe miq të rinj.Kish nisur të mbante edhe ca mustaqe të bukura që i shkonin fort, edhe pse djali i ishte rritur ca.Kur zbriste në pazar vishte rrobat e reja që Esmaja, zonja e tij, ia bënte gati që një ditë më parë me kujdesin më të madh.Një këmishë e bardhë e një feste mbi krye e bënin pak më të madh se ç’ishte në të vërtetë.Dukej se dhëndërria nuk i ikte kaq shpejt Beqos.
Kishte kohë që kërkonte një kalë të mirë . E donte që e donte një kalë. Edhe babai i tij, xha Memkua, i donte shumë kuajt. I lante e i përkëdhelte ,por kali i tij ishte vjetëruar ca e nuk bënte më për revan. Ishte plakur e nuk donte ta rëndonte me barrë të madhe.Nuk bënte më për ta parë në pazar ku kishte shumë sy të mirë,po dhe ziliqarë.Kur binte fjala për kuajt që Luarati i kishte aq të shumtë, babai i tij i thoshte atij e djemve të tjerë që mblidheshin në lëmenj apo në oda:
-Kali është si njeriu, more bir. Të dëgjon e të kupton si jo më mirë.. Të mban e të mbron si shoku më besnik.Nuk ka më besnik se kali. Vetëm goja i mungon atij.Toka jonë e do kalin . Kur del dielli të parët tanë thoshin “O ka, o vëlla !. O kalë , o djalë.’Po edhe kali duhet mbajtur mirë.Shumë mirë. Se detit i ka lezet vala, burrit i ka lezet fjala,po kalit i ka hije shala……
Aherë Bequa ishte ende i ri . Kishte hipur sa e sa herë tek kali që kishte babai,po duket se oda e burrave ia kishte rritur më shpejt mençurinë e mali , ugari i kishte rritur fuqinë.Kur shkonte në pazar merrte me vete edhe një kuletë të qëndisur me para që e mbante në një xhep tjetër nga ai që mbante paratë, me të cilat blinte e shiste.
Kish kohë që kishte kuptuar se fuqia e burrit ishte jo vetëm te fjala,te dora e parmendës, kur ther dashin e Bajramit , kur zihesh me ujkun e me hasmin,por edhe te paraja.Se helbete, nuk është nder t’u shtrish dorën të tjerëve. Të japin e s’të japin?Kanë apo s’kanë? Me harram apo me hallall?
Kërkonte një kalë…Në mendje sillte kalin më të mirë në mbarë në gjithë Kazanë e Çamërisë Në të, hipur Beqoja.Po mbase edhe më pak të mirë se ai i babait, se si i thonë fjalës Bëmë, kalë të të ngjaj,po s’të arrita , të vij pas.”
Edhe në atë ditë pazari , Bequa nuk kishte munguar.Para se të mbërrinte në sheshin e pazarit , sheh një burrë të veshur me sqimë , të hipur në një kalë me të vërtet të bukur . Eh,ç’kalë,mërmëriti pa dashje Bequa.
-A e shet kalin , more mik?- e pyeti me qetësi Bequa të zotin që bënte sikur e mbante për kapistalli kalin pak të azdisur.
-Ik, more reckaman!Nuk ke para të blesh kalin tim!- iu krekos burri që s’dihej se nga kishte ardhur e se ku do shkonte.
Me rrobat e arkës që Esmaja ia kishte ujdisur aq mirë e me ata sy të bukur Bequa dukej shumë më i bukur se miku i kalit . Bëri sikur nuk e dëgjoi fjalën e rëndë . Ai burrë që po fliste kaluar ishte vetëm dy metra larg e , po t’i hipte gjaku i gatuar në krojet e fshatiti të tij, si penda e pulës do ta hidhte këtë birbo që vinte era livando si gratë.
-Të thashë se sa e shet e nuk të thashe se sa i bukur je,- i tha prapë prerazi ai.
-Dëgjo, more ,- ky kalë ka ardhur nga Stambolli. Është ushqyer me majën e gjësë.Është larë me ajkën e qumështit….e vazhdonte t’i tregonte sa e sa gjëra ..Bën 60 napolona flori.
‘”Pazar të rëndë dha qerratai,”- tha me mendje Bequa.
_-Ahere , besa-besë,-iu afrua e i kapi kapistrën. Miku i kalit u tremb disi. Me të shpejtë nxorri portofolin e ia numëroi të gjitha aq sa i tha. Plot 60 napolona flori aq sa mund të blije edhe dy kuaj të tjerë.
Beu u çudit . Nuk e priste këtë gjë. I dha aq shumë e ja se ku shkoi puna. Mbase edhe ai e dinte se po doli pushka do një vend të zbrazet e po doli kuleta pas pazarit bëje mend mirë . Zbriti.Rreth e qark u mblodhën edhe disa burra të tjerë e po shihnin se ç’do të ndodhte.
Bequa e preku,e përkëdheli pak dhe e shtëngoi kapistrën . A thua se edhe mbi shpatulla mund ta mbante këtë deli kalë ,të ardhur nga Stambolli që s’e kishte parë, por që kishte dëgjuar kaq shumë? Po,po me shpatullat e tij do ta mbante ,po të ishte nevoja ata kalë.
_ Aman hiqe besën !- iu lut i zoti i kalit.
-Jo, ore mik .Të dhashë aq sa deshe . S’të bëra as pazar e as të dhashë pazar.Të dhashë edhe besën. Dukesh pak më i madh se mua ,po të them se kur ta kërkon njëri besën duhet të mendohesh mirë. Se s’dihet se si del puna.
Prapë ,kësaj radhe i trembur nga fjala e këtij burri me zë të dridhur i tha:
-Ma ki kujdes kalin!
-Kali gjeti të zotin prandaj mos e ki merakun.
Rrugën për në Luarat e bëri shpejt sa hap e mbyll sytë . I dukej se kali ishte mësuar prej vitesh me atë rrugë.Iu kujtua prapë babai Memko,kali i tij i bukur,po i plakur.Iu kujtuan edhe fjalët që ia kishte thënë kur ai akoma nuk ishte martuar;
-Dëgjo,more Beqo! Kam një porosi që ma kanë dhënë edhe mua të parët e mi. Burri duhet të ketë tri gjëra të mira deri sa t’i punojë këmba e të marrë frymë. Një shtëpi të mirë ku të fusë kokën e të presë mikun,një grua të mirë e nikoqire e një kalë të mirë që ta nderojë me këmbët e tij kur ai të ketë hall për një rrugë të largët.
Eh, ç’mendje të bardhë më ke, more baba, mendoi me vete tek ecte mbi kalin e ri drejt fshatrave të Margëllëçit ku nami i Çaparenjve kishte kaluar sa e sa male e vatra çame.
Shtëpia e tij në fshat dukej si një kala mes ftonjve, arrave, shegëve .Esmaja, shoqe s’kishte në fshat për nikoqiratë e për valle në dasma. Tani e tutje kishte edhe një kalë të mirë, mbase më të mirë në gjithë Nahijen . .
Kali e ndali pak revanin që kishte marrë që në pazar.Kishin ardhur shtëpitë e para të fshatit ku oxhaqet me tym tregonin se jeta nuk ndalte asnjëherë.Diku , poshte, deti Jon në atë luginë të bukur dukej si një fjongo e madhe. Ia nisi një kënge me zë të ulët që ia mbanin ison këmborët e bagëtive që po vinin nga kullota.Kali i ardhur nga Stambolli,i ushqyer me malën e gjërit,që këtej e tutje, do të gdhihej në fshatin e tij, në fshatin e babait të tij,në fshatin e gjyshërve të tij,në fshatin që do të ishte përjetësisht e djemve dhe e nipave të tij……

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s