Kalendari poetik: Vladimir Majakovskij (1893-1930) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Vladimir Majakovskij

Kalendari poetik: Vladimir Majakovskij (1893-1930)

Zyrtarisht, më 14 prill 1930 “u vetëvra” poeti sovjetik Vladimir Majakovskij. Si qe “vetëvrarë” Esenini 5 vite më parë. Ende sot e kësaj dite, nëpër shkolla nxënësve u mësojnë se të dy poetët u vetëvranë. Hedhin ndonjë hije dyshimi për Eseninin sikur gjoja pati gisht Trocki në vrasjen e tij. Por Trockij qysh dy muaj para vrasjes së Eseninit s’kishte më asnjë lloj pushteti. Qe dora e kriminelit Stalin (që pati helmuar edhe Gorkin me anë të Jagodës). Sot 99% e dashamirësve të poezisë së Majakovskit besojnë në vetvrasjen e tij…dhe harrojnë poemën që shkroi me rastin e “vetvrasjes” së Eseninit.
Cesare De Michelis në artikullin e tij, në të përditshmen “la Repubblica” të 13 prillit 2000 rindërtoi vrasjen e poetit sipas hetimeve të gazetarit shkrimtar rus Valentin Skorjatin (përpunuar gjatë viteve 1989-1994) të përmbledhura në librin e tij: “E fshehta e fundit e Majakovskit”. Poeti gjithnjë rebel, që besoi dhe bëri të vetat “idealet e Tetorit”, por që u zhgënjye nga ai revolucion, u vra nga dora e GPU (sot KGB), që kishte rekrutuar edhe ndonjë nga të dashurat e poetit. Revolucionit komunist i duheshin vetëm “poetë fanfara” (si qe për shumë vite Majakovski) dhe jo poetë vërtet të lirë. Këta poetë ky lloj revolucioni “i vetëvret”. Tek ne i pushkatonte. I varte. I burgoste. Majakovskin e vetvrau plot 90 vite më parë.

LILIÇKA! (Лиличка!)
(Në vend të letrës) (Вместо письма)

Tymi i duhanit rëndon ajrin.
Dhoma
si te një kapitull i “Ferrit” të Kruçjoniç-it.
Të vjen ndër mend?
Pranë kësaj dritareje
për herë të parë
me përgjërim duart e tua ledhatoja.
Sot ulur po atje,
zemërgure.
Edhe një ditë
dhe do të më përzësh,
ndoshta duke nëmur.
Në paradhomën e errët, dora duke u dredhur
me zor mëngën do ta gjejë.
Pastaj me vrap do turrem të dal,
trupin tim rrugëve ta flak.
Të gjithëve do t’u largohem,
do të marrohem,
mbaruar nga dëshpërimi.
Por s’kemi përse ta zgjasim kaq,
e mira ti,
e ëmbla ti,
le të themi që tani lamtumirë.
Njësoj
e dashur
kjo do të të rëndojë
kudo që të shkosh.
Veç lermë të këlthas të fundmen klithmë
të fundmin të hidhur, ankim të plagosur.
Kur në punë buallit ia marrin shpirtin,
shkon ai,
ashtu i lodhur, në ujë të ftohtë futet e mbledh veten.
Pa dashurinë tënde,
s’ka ujë për mua,
s’ka det,
prej dashurisë tënde me lot e me të lutura nuk dilet.
Kur do të çlodhet elefant’ i shkretë,
mbretërisht vete shtrihet mbi rërën e nxehtë.
Pa dashurinë tënde,
s’ka për mua,
diell nuk ka
dhe unë s’e di ku je dhe me kë.
T’ia kishe punuar kështu një poeti,
ai,
me vrap dashurinë me lavdi dhe para do ta këmbente,
por për mua,
s’ka tingull më të gëzuar,
përveç tingullit të emrit tënd të shtrenjtë.
Nga shkallët nuk do të hidhem.
helmin nuk do ta gëlltis,
Pisqollën në tëmtha nuk do të di ta shkrep.
Për mua
përveç tëndit vështrim,
asnjë teh thike s’ka fuqi.
Do të harrosh nesër
që të kurorëzova mbretëreshë,
që shpirt’ i lulëzuar, hi u bë në dashuri
dhe si në ditë karnavalesh, lesheli
fije fije u bënë fletët e librave të mi…
Fjalët e mia si gjethe të thara,
a mund të të bëjnë për një çast
të të merret fryma?
Lërmë të paktën
me ëmbëlsi të t’i shtroj
nën hapin tënd që ikën dhe na largon.

 

© shqipëroi nga rusishtja Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s