Poezi nga Behare Daja Kasa

Poezi nga Behare Daja Kasa

 

Reflektim

Na e mpaku shpirtin kjo pandemi e ndyrë,
Çdo emër do kishte për shtat,
Kolerë,murtajë,lebrozë a korona,
E ç’rëndësi ka për të ky epitaf?!

Stinë pa emër kjo pranverë e shumëpritur,
Ardhur pas dimrit e vjeshtës së çmendur,
A mos vallë erdhën mbrapsht të gjitha stinët,
E kalendarin e kohës e lanë pa emër?!

Dal në ballkon e kërkoj në lulishte,
Asnjë lule për besë s’ka çelur,
Mos vallë edhe i brishti shpirt i tyre,
Laboratorësh fantazmë peng eksperimental ka mbetur?!

Mbi degën e kumbullës e ndala vështrimin,
Ajo më kuptoi çuditërisht,
Ca petla të trishta mbi flokë m’i uli,
Lehtas më përkëdheli ëmbëlsisht.

E ç’rëndësi paska për njeriun pasuria,
Kur si brumbulli përmblidhet ndër vete,
Buzëqeshje të mpira e sy të friksuar,
Distanca shpirtërore që zgjasin një shekull.

A do mbarojë vallë ky shekull pritjeje,
Që jetës prapë t’ia nisim nga e para?!
A do mundemi vallë pas kësaj të falim veç buzëqeshje?!
Se jeta paska vlerë më shumë se paraja.

 

Korbi dhe pëllumbi
(fabul)

Krrakëriste korb i gjorë,
Edhe mbahej me të madh,
Majë plepit më të gjatë,
Veten shihte për merak.

“Jam i mençur,jam i bukur,
Zë të ëmbël sa më s’ka,
Pendë artë e gjithë shkëlqim,
Jam më i miri këngëtar”.

Pa e zgjodhën edhe mbret,
Shpesëve të plepishtes,
Ligjëronte korbi ynë,
Plep më plep buz’ kallamishtes.

Aty pari shkon pëllumbi,
Dhe e sheh me bisht të syrit,
Gu-gu-gu-së seç ia nisi…
” Ky post mor mik, më shumë të nxiu!

Sepse kërmat që ha zotrote,
Po ta plasin maraz’n e shpirtit,
Zi nga jashtë e sterrë nga brenda,
Vendi yt ësht’ veç kallamishtja”.

Uli kokën korbi ynë,
Edhe zbriti nga plep i gjatë,
Thonë se,që nga ajo kohë,
Pëllumbin e ka marrë inat.

…dhe në gjol të kallamishtes,
vetmuar rri sot shpendi i ngratë…

 

Pa emër

Më kot mundohem të të mbaj mëri,
E tëndin emër mos ta pëshpëris nën buzë,
Se shpirtin tim e zotëron veç ti,
E të gjitha shkrihen…bëhen ujë…

…se të mbash mëri ty,
është sikur vetes t’i biesh me gurë…

 

Hipokrizi

Lustra janë të gjitha fjalët,
Po,po,lustra të bukura,
Si këpucë firmato në vitrina,
Që figurojnë të ndryshëm në numra.

Fjalë lustra në dashuri,
Betime nën solimnen e jetës,
Fjalë lustra dhe në politikë,
Premtime për lugën e florijtë.

Po,po,fjalët janë vërtet lustra,
Ngecur mes buzëqeshjes së shtirë,
Fshehur poshtë qerpikëve tinzarë,
Mbjellë në çdo shtresë të qeliztë.

…po, po, dhe vetes shpeshherë i flasim me lustra, mos vallë jemi kaq hipokritë?!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s