Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

PLAGËT NË FLUTURIM…

Plagët e trupit në qiell dhembin më pak
Ngaqë i largohesh kujtesës së Tokës
Dhe afrohesh te shtëpia e engjëjve.

Ose ngaqë fluturimi është shpirtëzim
Dhe plagët janë në mish.

Plagët e shpirtit në qiell dhembin shumë
Mbase largimi ndjell kujtesën
Të kundërshtojë gravitacionin.

Ose fluturimi nxit pendesën
Dhe kthen në plagë të gjithë avionin….

 

ÇELËSA ARGJENDI…

Për të hapur një portë errësire duhen çelësa argjendi
Duhen dy llërë të bardha gruaje ta ulin Errësirën në fron
Errësira nuk flet: bën gjeste të mugëta,
prek takëmet e një dashurie të fikur
nuk pranon të hapen dritaret
të zgjojë habinë e mureve të frikës.

Për të hapur një portë errësire duhen çelësa argjendi
Errësira ta mësojë dritën ngadalë
Në fillim me sytë: me dritën që buron sëbrendshmi
Pastaj me dritën e zhveshur të fjalës.

Mos e lëndoni Errësirën: ka ndrydhur brenda dëshirat e vejushës
Me një vel të zi mbi thinjat e dritës
Në prehër mban plagët e një ëndrre të vrarë.

Për të hapur një portë errësire duhen çelësa argjendi
Ca rrahje zemre dhe Errësira drithëron
Pranon ta hapim pakëz dritaren një bisk shprese të çeli
Një degëz, gjethet, petalet e bëjnë të çohet nga froni…
Nëse Errësira padashje heq velin
Është shenjë se mund ta dashuroni.

 

KARRIGIA E SË VËRTETËS 1

Ulem në karrigen e së vërtetës
përballë kam fytyrat e tyre.
Tej dritares
ca zogj realë
kërkojnë të më flasin
me kodin e cicërimave.

Rrini zogj, më lini të qetë
qelqi ku përplaseni
s’është qiell i vërtetë…

-Keni qenë rastësisht në vendin e gabuar?
-Në çdo kohë ne jemi gabimisht të vonuar…

-A patë gjak në fytyrën e viktimës?
-Ishte natë dhe shikoja me dritë të vetëtimës…

-Velloja e nuses a dukej e përgjakur?
-S’kish vello, kish vetëm flatra në flakë…

-Po vrasësin, vrasësin a e pe?…
-Dhe vrasësi vetë qe shtrirë përdhe.

-Dhe dhëndrri dhe vrasësi shtrirë përbri
po ju me nusen çfarë bënit aty?
-Veç Zoti në qiell e di…

Rrini zogj, më lini të qetë
qelqi ku përplaseni
s’ështe qiell i vërtetë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s