Poezi nga Iliriana Sulkuqi
MËMËDHÈ…
{… edhe kur eci, edhe kur flas, kur qesh apo shkruaj, edhe kur natën më puliten qepallat e lodhura…, edhe në lutjet e mia për TY…, brenda vetes më trembet ëndrra, për të të parë të bukur, MËMËDHE…) Iliriana
…….
Paske dalë në semafor të turpit, Mëmëdhè.
Mos m’u mburr me pemë, lumej,
male, me fruta gjithëstinëshe,
as me papiruset e të parëve…
Mëmëdhè, ta paskan hashashur trupin.
Ta paskan bërë KUJTESËN-Harresë…
Mos u mburr më me Fishtën, Asdrenin, Naimin,
as me Skënderbe e NËNË TEREZË…
…
MËMËDHE,
të gjitha lulet që gjyshja dhe nëna
përjetësisht mbollën në dhèun tënd-
në të gjithë globin prej toke,
më të bukura i gjen…
Madje, gjitonia ime kineze,
(që kuptohemi aq mirë me hereoglife),
dorëzonjën e bahçes sime
në një vazo balteje ka mbjellë…
Çdo mëngjes më fton t’i marr erë…,
se, Farën e natyrës,
Zoti
ia shpërndau gjithë Tokës,
Mëmëdhè.
Ty të la detyrë,
nga VETJA JOTE,
t’na japësh frymë ne…
…
Më fal, një sekondë…
Mjekët, sapo na lajmëruan
ne familiarëve,
se të paska dalë
FRYMA…
dhe duhet të lutemi
si para një IKONE…
…
(Paskam folur kot…)
…
Aq kohë sa do të presim
Krishtin të zbresë në Tokë,
po aq do të duhet
të Ringjallesh Ti, Mëmedhè,
i pa frymë,
nga mëkatet e të gjithëve ne…
……..
Të zgjofshin ATA
që trashëguam NE,
i SHENJTI MËMËDHÈ!
Iliriana Sulkuqi-
E pa fryma …
Brooklyn, NY, ( shkruar një vit më parë, e vlefshme për sot)