“Enigmat e kashelashave” – Adem Zaplluzha (KONCEPTIM METAFORIK DHE NDJESOR I BOTËS) / Nga: Petraq Risto

“Enigmat e kashelashave” – Adem Zaplluzha

KONCEPTIM METAFORIK DHE NDJESOR I BOTËS

Lexova në dorëshkrim librin “Enigmat e Kashelashave” të poetit nga Kosova Adem Zaplluzha dhe më ra në sy konceptimi metaforik dhe ndjesor i botës. Autori e vendos veten në një kënd dhe vëzhgon me ndjenja dashurie, dhembjeje dhe proteste gjithçka ndodh rrotull tij. Herë hesht dhe i ngre dallgët brenda vetes, herë nuk e duron dot heshtjen dhe kërkon të mbysë me dallgë metaforik padrejtësitë e shumta; edhe pse di të mallkoj, edhe pse di ta ngre zërin deri në kupë të qiellit, poeti e shikon botën me dashuri njerëzore, me pikëllim e shpresë…

Zëri im i ri
Si zëri i drurit të vjetër
Që gjethon në dimër.

Ademi i pëlqen detajet, imtësitë i vijnë rrotull si zogj në pranverë; në pasqyra sheh peizazhe dhe drama, ai apelon dhe thërret për të vërtetat që nuk duhet të fshihen pas kuintave se drama luhet kur perdet janë të hapura… Gjen shumë imazhe të gjalla në “pasqyrat e vdekura në horizont”.

Po s’dashurove askënd
Më mirë dashuroje pasqyrën
Dhe brendinë e saj të zbrazët.
Apo vargjet:
Një trishtil i vogël kishte mbetur mbi borë
Nga sqepi i të cilit si balsam
Pikonte dita e plagosur.

Ka shumë plagë në poezitë e Ademit, ka dhembje e hera – herës protestë. Motivet e librit janë të larmishëm, poeti operon me mënyrën e vet origjinale, me një prozodi të këndshme e të sinqertë, me vargëzim të shtruar, të rrjedhshëm, me figura të thjeshta, të drejtpërdrejta, pa sforcime. Shqetësimet për kohën, për Kosovën, për globin, për jetën e përditshme, janë kthyer natyrshëm në eshtra, muskuj, gjak dhe zemër të këtij vëllimi. Adem Zaplluzha të josh me thjeshtësinë e vet, pa thirrje në zbrazëti.

“Ecjen e patëm tepër të gjatë
Kur na i prenë lukunitë rrapet
Ne domosdo
Na duhej sërish të ecnim
Se përndryshe nuk do e shihnim fillimin.”

Në këto vitet e fundit baca Adem ka shkruar e botuar shumë libra, gjë që tregon për një rinim të tij dhe për energji të pashterrshme. Edhe ne të ardhmen kolona e poezive të poetit Adem Zaplluzha do të zgjerohet, do të fitoj edhe më shumë pjekuri dhe cilësi dhe uroj që të ngjitet në majat e suksesit.

 

Nga: Petraq Risto

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s