Jozef Rot: “Historia e natës së 1002-të (roman) / Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Jozef Rot: “Historia e natës së 1002-të (roman)

… Por sundimtari i Persisë dashuronte në atë çast mbarë Vjenën, mbarë Austrinë, mbarë Evropën, mbarë botën e krishterë. Një eksitim të tillë s’e kishte provuar kurrë në jetën e vet aq të mbushulluar me dashuri e me gra, madje as shumë vjet më parë, atëherë kur, djalë fare i ri dhe në fillesat e burrërimit, pati njohur për të parën herë ç’ishte femra. Pse vallë ndaj grave të haremit në atdheun e tij ndiente shpërfillje, madje edhe bezdi, dhe pse vallë atje, në Vjenë, i ngjante sikur gratë përbënin një popull të mrekullueshëm e akoma krejt të panjohur për të, i ngjante sikur përbënin një racë të çuditshme dhe që ia vlente medoemos ta njihte? Fytyra e tij shumë ezmere u përskuq, pulsi nisi t’i rrihte më me forcë, pikëlza djerse mbuluan ballin e tij zeshkan, të lëmuar e pa rrudha, atë ballë rinor prej njeriu naiv. Dhe e fshiu shpejt e shpejt me shaminë e vet të blertë prej mëndafshi, të cilën e futi sërish te xhepi i thellë në pjesën e brendshme të mëngës.

Gjer më tani pati njohur vetëm gra lakuriqe ose të mbuluara: trupa dhe rroba. Për të parën herë po shihte njëherazi mbulim e lakuriqësi. Një fustan që sikur donte të binte vetvetiu dhe që prapëseprapë mbetej ngjitur pas trupit: ai fustan i ngjante një dere që s’është e kyçur dhe që megjithatë nuk hapet. Kur gratë bënin reverancën oborrtare, Shahu kapte fluturimthi, në një të dhjetën e sekondës, fillesën e gjinjve, pastaj shkëlqimin vezullues të pushit mbi zverkun e bardhë. Dhe çasti kur zonjat ngrinin me të dy duart kindat e fustanit, para se të përkulnin prapë njërin gju, kishte për të diçka virgjërore, diçka të pashprehshme dhe, në të njëjtën kohë, një shije mëkatare të papërshkrueshme: ky qe një premtim që ato jepnin e që s’kishin ndër mend ta mbanin. Pra, çdonjëra prej atyre grave ishte më joshëse sesa një harem i tërë, një harem i mbushur plot e përplot me treqind e gjashtëdhjetë e pesë trupa pa asnjë mister, pa asnjë sekret, pa pikë interesi.

Sa enigmatike duhej të ishte shkenca e dashurisë te këta perëndimorët! Sa e stërholluar kjo mendjemprehtësi për të mos ua mbuluar fytyrën grave! E ç’gjë në botë mund të ishte më e mistershme dhe më cullake sesa fytyra e një gruaje! Qepallat e tyre gjysmë të ulura zbulonin dhe fshihnin, premtonin dhe refuzonin, pohonin dhe mohonin. E ç’ishte shkëlqimi i diademës, që ato mbanin në kokë, përballë shkëlqimit të zi, të kaftë e verdhosh të leshrave të tyre, dhe sa shumë nuanca brenda ngjyrash të tilla! Ajo ngjyrë e zezë ishte e kaltër si një natë e pikut të verës, njëherazi e fortë dhe e lëbyrtë si abanoz; ajo ngjyrë e kaftë ishte e praruar si përshëndetja e fundit e diellit mbrëmjesor dhe e kuqërremtë si gjethja fisnike e panjës në vjeshtën e vonë; ajo ngjyrë verdhoshe ishte e hareshme dhe fluruese si papiljonacja në kopshtin pranveror, njëherazi e lëbyrtë dhe argjendore si bryma e parë e agut vjeshtak. Dhe të mendosh që secila prej atyre grave i takonte, ose do t’i takonte së shpejti, një burri të vetëm! Çdonjëra ndër to një xhevahir që ruhej fort!

(Jozef Rot: “Historia e natës së 1002-të”, Titulli i origjinalit:
“Die Geschichte von der 1002. Nacht”, Roman,
Botimet “SANTORI”, Tiranë 2012, 303 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali: Aristidh Ristani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s