Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Si pelegrin
(Acquarius)

Këtë poezi që qenka pa moshë,
Po ta sjell ty, gjallë të të mbajë.
Me vete merre, ngado të shkosh,
Kështu asgjë s’do mund të na ndajë.

E solla që larg, e mbajta në krah,
Si pelegrini që mban një besim.
Në lumin e jetës të gjeja një va
Dhe vite të denja për ty në vijim.

E prapë e prapë nëse nisem diku,
Fute në gjoks si frymë, si vikamë.
E në mungofsha, do jem kthyer në flu,
Do t’vij, po këtë herë, jo si një dramë.

Këtë poezi të ma duash më shumë…
Me vete merre, të të mbajë gjallë.
Shpirt nga shpirti, ta prura veç unë,
Ngado që të jesh, të shuash një mall.

 

Këngë të vjetra

Sa here më flisje për dashurinë,
S’e mbaja dot zemrën time.
Me këngë më shtije në ëndërrim:
Ishe qielli, deti, bluja ime.

Qenë këngë të vjetra, shpesh i kujtoja,
Bashkë i dëgjonim, atje në kuzhinë:
Ëndërra baballarësh mbuluar nga droja,
Shpirtrash të humbur përherë në kërkim.

Për miqësi që s’u panë kurrë,
Për dashuri të mbetura në klasë,
Këngë që sillnin radiot portative,
Pas biçikletave, mbërthyer në kasë.

Mos është më lehtë të rikujtosh,
Se sa të kthesh kohën e shkuar?
E sidomos kur ka që thonë :
“Ajo që shkoi ish koh’ e shquar?…”

Mos ësht’ më mirë të rrimë, vallë?
Mos ësht’ më mirë, këtu ku jemi?…
Të vjetrat këngë kanë vetëm mall,
Po mallin, mos një kurth e kemi?…

 

Migjenit

Migjen,
Ti sillesh vatrave malësore.
Unë kohën kafeneve tjerr.
Ndaj dije!
Pranverë në ditët dimërore,
S’do mund të bëhem, asnjëherë…

Migjen,
Ti je një tramundanë
E unë veç fllad që ledhaton.
Dhe dije!
Me detin e paanë më ngjan
Sado të pi, kurrë s’më mjafton.

 

Helenë

Fati më pruri të të kem fare pranë, Helenë,
Por unë Parid s’u bëra kurrë.
Ndonëse bukuria jote ma bënte me sy,
Trojën s’desha ta rrënoj.
E desha më shumë se ty.

Në paradhoma të ftohta të njoha, Helenë.
Në zyra me portrete presidentësh.
Po në motele kurrë s’u gjendëm ne të dy.
Dhe pse të ëndërrova të ylltë,
Trojën e desha më shumë se ty.

 

Eja të ikim

Eja me mua, të ikim nëpër natë,
M’i dëgjo këto fjalë të thjeshta.
Të ëndërrojmë botën në çdo monopat,
Pa poezi kurrë nuk vjen vjeshta.

Të ikim të dy me urbanin e vjetër,
Sa më larg, lodhur nga mjeshtra.
Atje ku mendjen s’na e marrin për tjetër,
Sado e sido me gënjeshtra.

Të shkojmë ashtu, për dore, dëgjon,
Edhe pse nëpër kohë të vrenjtur!?
Atje, ku çdo fije bari, thjesht gjelbëron,
Pa një purtekë të mbështetur.

Eja me mua, ashtu siç je, domosdo
Dhe merr vetëm puthjet me vete.
S’do ndalemi kështu, kurrë nga kushdo
Pse rrugët janë pa mokete.

Dua me shiun në agim të më zgjosh!
Mbi llamarinë si trokëllim ta dëgjojë.
Krahëve të tu i sigurtë mos ndjej moshë.
Për ty është gjiithçka që kërkoj.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s