Poezi nga Petraq Risto

Poezi nga Petraq Risto

 

MALI

Jam Mali nën qiell:
Mikelanxhelo i shtrirë nën kubenë me afreske yjesh dhe resh.
Me shpirt orteku dhe pse i bardhë vras
vetëtima dhe perëndi
në një banket marramendës
thërrasë:
Ejani,
shfryhuni,
ndizuni,
digjuni,
dridhuni
fishkëlleni erë,
dehuni me shi
nesër ca vjollca: gracka pranvere
do t’ju kapin në befasi.
Ujqërit strehoj në shpella duke ëndërruar kockën e hënës
dhelprat aspak inatçore ndaj fabulave më mallkojnë që s’u dhashë për të ngrënë.
Derrat e egër imitojnë bubullimat mes mjegullës shohin gjahtarë
gjelat dhe zogjtë që mbaj mbi shpinë: emblema që duhen dhe s’duhen vrarë.

…nesër ca vjollca: gracka pranvere do t’ju kapin në befasi.

Rrjedhin rrëketë, pemët kërrusen, lart qiejt shpërthejnë në orgji
Maja ime
si pëllëmbët në lutje
lutet për Zotin e ri.

Jam Mali nën qiell:
Mikelanxhelo i shtrirë nën kubenë me afreske yjesh dhe resh
që Papës i them: Prej kohësh po vuaj
lërmë ta mbaroj këtë pikturë të egër
pastaj mos më paguaj!…

Nesër ca vjollca: gracka pranvere në befasi do më kapin dhe mua.

 

BUZË OQEANIT

Shpesh dal buzë oqeanit, në të njëjtin breg ku këndonte Uitmani
Flasë me rrymat, uraganet, peshkaqenët, delfinët,
Albatrosë të mëdhenj: kitara fluturuese me tinguj që trullosin ajrin e ngopur me jod
buzë oqeanit të madh kuptoj vogëlsinë time,
mjerimi njerëzor: anije direkë thyer me pasagjerë që luten në bord.

Shpesh flas me oqeanin për detin tim të vogël
Plazhet me rërë dhe shkëmbinjtë bëjnë harakiri me thika dielli
më merr malli për plazhet e vegjël dhe tështimat e dallgëve: gjyshër në ditë dimri
Buzë oqeanit dal, thërrasë, albatrosëve atlantikas për pulëbardhat e mia u flasë…

 

I MBYTURI

Anije letre dukej së largu
përpiqej të ngrinte direkun e krahut
me flamurin e grisur të pëllëmbës së hapur…
SOS! Po mbytej. Një njeri po mbytej
Zemra kërkonte t’i bëhej spirancë: të zhytej.
Ne të hutuar
mbi supe
mbanim brigjet…

 

HESHTIM

Në heshtje mendojmë fjalët që s’do themi
Gjuha tallazitet: det pa anije.

Heshtim.

Sytë si magje të verbra:
tharë brumi i lotëve
Nënë e hutuar Heshtja
mbështetur te Frika – kotet.

Në heshtje mendojmë fjalët që s’do themi
Vetvritemi ngadalë si të gjitha qeniet njerëzore
Gjuha tallazitet: ca flatra zgalemi
Krijojnë stuhinë e revoltave.

Nga fjalët e ndrydhura në ditnetët e heshtjes
Lindi raca e filozofëve…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s