Fragment nga tregimi “TË TRETURIT DHE TË ‘PADITURIT’ NUK MUND TË GJYKOHEN…” të autorit Kristaq Turtulli

Fragment nga tregimi “TË TRETURIT DHE TË ‘PADITURIT’ NUK MUND TË GJYKOHEN…” të autorit Kristaq Turtulli

Mbështetur në ngjarje reale

S’mundi të lexojë, i përvëlonin sytë. Rrëkeja e kripur e lotëve njomi brazdat e thata të rrudhave dhe, me vështirësi përmbajti hungërimën. U tërhoq si zvarranik i shkelur, duke iu marrë këmbët, por gazetën s’e lëshoi nga dora. Dielli qëndronte në kupë të qiellit dhe përvëlonte. Prej djersës këmisha iu ngjit pas lëkurës. Me nervozizëm shkuli të gjitha komçat dhe rrëzoi sytë mbi gazetë. Germat shtyheshin, ngashëroheshin, kërlesheshin me njëra tjetrën dhe gazeta u qull nga djersa që rridhte rrëke…
Shkrimi i botuar në faqen e parë të gazetës, së bashku me foton e vjetër të ‘ATIJ,’ që prej vitesh s’është mes të gjallëve, e vështronte me qesëndi nëpërmjet syzeve të mëdha, xhama të trasha optike. Çfarë dreq pafajësie asgjësuese! Edhe pse gjithçka e zverdhur, irnosur nga koha. Përvijimi lëvizi, ajri u drodh, iu bë sikur u qesëndis keqas nga lëvizjet rrethore. Gishtërinjtë e zverdhur prej duhanit u mblodhën instinktivisht, mëshuan forcërisht mbi fletën e hirtë të gazetës. Gishti i madh u përthye dhe çori me mllef foton e ‘ATIJ.’ Syzet e mëdha, me xhama të trasha u bënë shuk, menjëherë dëgjoi zhurmën acaruese të thërrmimit, dhe të asgjësimit.
Të qe gërmuqje marrake?! Përshpirtje e heshtur nga fundbota?! Gërryerje nervoze nëntokësore, ku uji i turbull çjerr dheun dhe nxjerr me vrundull kokallat e zbardhura vdekurve të harruar. Mokrrat e kalbura, të mykura vareshin kërcënueshëm nëpër gërxhe dhe brigje. Qarje të zvargur ujore në përpëlitje të vonuar, rastësore fund shekulli.
Gjithë ankth vështroi përreth me mendimin se shikimet dashakeqe së bashku me shtyrjet ishin mbërthyer si gozhdë në çdo pjesë të trupit. Tmerri ngjethës i përfshiu krejt trupin. Flokët e bardha të prera shkurt iu ngritën përpjetë si gjemba iriqi. Donte të ulërinte si ujk i plagosur e, turravrap të gremisej mes morrisë së njerëzve. Të shtynte, shkelmonte në verbëri nga ta kishte për mbarë. Turma indiferente s’ i ndjeu goditjet edhe pse ai dëgjoi krismat dhe rrëmetin. Kapërdiu klithmën e hidhur në stomak. I murrëtyer, duke ecur pjerrtas ktheu bërrylin e rrugës. I nervozuar mblodhi gazetën shuk dhe e rrasi shpejtazi në zgavrën e gojës. Tehet e mprehta të germave ia copëtuan gjuhën dhe qiellzën. Volli me gulçe dhe përpara këmbëve të tij u krijua një pellg i madh, i errët. Përnjëherësh iu bë sikur e vjella lëvizi mori formën e një përbindëshi të lemerishëm, aq sa klithi i tmerruar dhe pështjella e shtyu të vraponte sa t’i hanin këmbët..
U ndje i kapitur. U ul në bisht dhe rënkoi. Pellgorja e vjelljes përzierë me morinë e neveritshme të germave i qe ngjitur si mastiç shpinë, në asfaltin e lagur dhe shkelej pakujdesshëm nga moria e hapave të njerëzve. U skërmit. Qeshi turbullt, dhe gërhiti:
‘Hajt shkeleni vjelljen time të qelbur, të neveritshme, merreni me vete, shpërndaheni kudo. Do tu bëjë mirë.
Jo, nuk mundi të lëvizte. U lëkund disa herë si lavjerrës, pastaj u gërmuq. U shty. U përmbys. U zvarrit drejt marramendjes, mbështjellë me petkun e ronitur të vrerit.
Kishin kaluar shumë vite. Ndoshta shekuj. Gjithçka ishte mbështjellë me mjegullën e thellë, sa besonte dhe vete s’kish ndodhur kurrë. U hodh përsipër mali i madh i harresës. U gropos. U zhduk në humnerat e fundbotës, ku fshihen shumë enigma dhe ‘mëkate’ të mëdha. Donte të çlirohej, të ngushëllonte veten dhe të bërtiste me të madhe: Fundja më në fund, të treturit dhe të ‘paditurit’ si unë s’ mund të gjykohen’.

Fragment

KRISTAQ@TURTULLI.
2010-2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s