Poezi nga Suzana Malaj

Poezi nga Suzana Malaj

 

Zbulesë

Fillimisht vetëm sa e pashë botën
…ishte një shikim i ndrojtur që e kishte brenda
edhe habinë,
edhe mahnitjen!
Më pas në rrugëtimin tim u mundova të kapërceja sytë
e me veshët e mi ta dëgjoja
pse doja ta njihja e t’i zbuloja të gjitha thesaret e fshehura.
E preka dhe rritja ime
përcolli të gjitha shfaqjet e jetëve
kur e kishin mallkuar…
Më pas doja t’i ndieja edhe gëzimet, edhe dhimbjet
doja ta përqafoja e ta ndiente edhe ajo bekimin e përqafimit tim!
E pak më pas e putha për t’ia shëruar
plagët e harrimit e të gjakosjes…
dhe u drodh!
Tani e shoh, e dëgjoj, e prek, e përqafoj, e puth
e përgjatë kalesës
zbuloj të shtatë frymët në vete- në të shtatë kishat,
të shtatë yjet i zbuloj- në të shtatë qiejt
duke kënduar të gjitha psallmet
që u shkruan për gjërat e shenjta…

 

Relacion
… … … …
Dhe drita u bë!
Dhe bota u bë!
Dhe dielli u bë përpara se të lindja unë,
një mendim i bukur isha,
isha fjalë,
isha nevojë…
Dhe u bëra e isha kaq e përsosur sa vepra në mua u bë e frikshme…
Fytyra më rrëzëllente sa shtatë diej!
Në duart e mia,
në këmbët e mia,
në flokët e mi gurgullonte jeta me aq shije
sa kupa e verës ku pinin ëngjëjt u mbush me esencën time…
I shtangur nga kureshtja,
nga krenaria ime
në të shtatën ditë krijuesi punoi me qiejt
e përmbysi kupën qiellore mbi supet e mia !
Ishte një mënyrë për të kuptuar distancat,
për të më bërë të respektoja hisen,
të pranoja gjallimin e kufizuar
e të lutesha e t’u bija borive për lavdinë dhe pushtetin e tij…
Kaq e vetëmjaftueshme isha sa ky ishte shkaku
për gjithë vuajtjet e mia,
për gjithë moskuptimet,
për gjithë rebelimet e megjithatë…
kisha aq dashuri në zemrën time,
kisha aq mirënjohje sa kam shekuj që në sytë e tij e kërkoj dritën
e më duket si dita e djeshme…
A do reformohesh Zoti im?!
As ti nuk bën dot pa mua e lutesh për shpirtin tim…

 

Madhështia e një çasti

E para ishte fjala
pastaj ishte vepra e të gjitha ndërtimet
kishin castin e tyre perandorak
Sa i madhërishëm ky cast!
Sa i bukur!
Edhe dhimbjet i ka në vete,
edhe bekimet i ka në vete
të dyja bashkë mos më lënshin të vdes!
Në shtatë pasqyra u paftë e të gjitha i theftë
për t’u parë në ujëvarën e shpirtit!
Mos u shteroftë kjo ujëvarë!
Mos u thaftë!
Mos më lëntë të etur!
Drita e përshkoftë dhe e bëftë të dukshme për syrin!
Si lot pikoftë e mos u harrofshin
të gjithë lumenjtë që rrjedhin e më ushqejnë
pa më lënë të plakem!
Mos u hapshin portat e qiellit
u mbyllshin për mua
nëse ky cast më ikë kotësisë
pa ia lexuar frymën!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s