“GUINNES”-I POEZISË ADEM ZAPLLUZHA NUMËRON 140 LIBRA TË BOTUAR. THITH OKSIGJEN DHE NXJERR…VARGJE! / Bisedoi: Gjon Neçaj

“GUINNES”-I POEZISË ADEM ZAPLLUZHA NUMËRON 140 LIBRA TË BOTUAR. THITH OKSIGJEN DHE NXJERR…VARGJE!

Pa dyshim që ai është për Guinness. Adem Zaplluzha nga Prizreni ka mbërritur në shifrën rekord të 140 librave poetikë të botuar, që të duket sikur thith oksigjen e nxjerr jo dioksid karboni, por vargje. 189 mijë 298 të tilla ka shkruar deri më tani duke ofruar dhe shifrën e 10 mijë e 298 poezive.
Në një intervistë për tesheshi.com, rrëfen paksa mbi këtë përvojë të jashtëzakonshme, dhe të çuditshme njëherësh….

Me sa dimë rridhni nga prindërit që nuk kanë ditur shkrim e këndim, apo jo?

Prindërit e mi nuk kanë ditur shkrim e as lexim. Kohërat ishin të tilla kur në Kosovë ka qenë e ndaluar të hyjnë librat shqip, e për një libër që gjendej në ndonjë familje, të fluturonte koka si kokrra e bostanit, siç thoshte “Homeri shqiptar”, i madhi At Gjergj Fishta. Por përkundër faktit që ishin analfabetë, im atë ishte një rapsod nga i cili që në fëmijëri më mbolli artin e fjalës së bukur në shpirt. Shpeshherë këndonte këngën “Bajram Curri n’kali”, e kështu që dashurinë për art ma mbollën që herët në shpirt.

Sa vjeç ishe kur kuptove se ç’është fjala e shkruar, poezia, vargëzimi?

Që në klasën e tretë apo të katërt fillova të shkruaj, e nuk më kujtohet saktë, por në këto vite. Ju thashë se im atë ka qenë rapsod, ndjesë pastë, dhe shpirti im prej një fëmije të brishtë frymëzohej nga këngët që këndonte ai dhe nga Radio Tirana, të cilën e dëgjonim nën jorgan, se nuk guxonim ta lëshonim të dëgjohej lirisht në Kosovë. Shkollimin nuk e mbarova dot. Që në klasën e tretë të gjimnazit, nën ish-Jugosllavi, më përjashtuan pa të drejtë regjistrimi. Dikur vonë, pas shumë viteve, diplomova privatisht në Akademinë Pedagogjike dhe kam punuar 3 vite si mësues, pastaj u punësova në Elektro-Energjetikë si përkthyes ku edhe u pensionova.

Po bashkëshortja a të ka penguar apo ndihmuar në latimin e vargjeve, se ne na i grisin e nuk na lënë vend në shtëpi pa kontrolluar, se po shpenzojmë kursime për botime që epo mbesin stoqe?

Te unë është krejtësisht ndryshe. Në vitin 2007 bashkëshortja ime më ka nxitur të shkruajë një libër për fëmijë, sepse e lashë poezinë anash, se kishim problem me “shkrimtarët” (në thonjëza pra), se nuk na i botonin të gjitha poezitë. Ne ua dërgonim dhjetë poezi, botonin vetëm një, e nëntë na humbnin sirtarëve të redaksive pa gjurmë. Fillova dhe e përfundova librin shumë shpejt, librin me titull “Letër nga mërgimi”, e pastaj më nuk u ndala; e që nga viti 2007 e deri më sot i kam shkruar rrafsh 189 mijë 298 vargje, që do të thotë se po t’i zbërthejmë në poezi, dalin 10298 të tilla. Më pastaj fillova me botimet .Deri me tani i kam botuar 122 libra; dhe 18 janë të gatshme për botim me redaktim dhe parathënie, në pritje të ndonjë sponsorizuesi.

Dhe gjithsej 140 apo jo, një rekord i denjë për në Guinness?

Në vitin 2010 i kam botuar 18 libra; në vitin 2011, 17 libra; në vitin 2012, 37 libra; kurse në vitin 2013, 8 libra; në vitin 2014, 22 libra; dhe në vitin që sapo u mbyll, 12 libra. Për vitin 2016 më kanë mbetur të gatshme për botim 18 libra, kurse librin e ri fillova mbrëmë ta shkruaj.

Ndonëse tashmë 72-vjeçar, por shkruani dhe botoni deri në ­­­­­­36 libra në vit e me cilësi artistike. Madje, kohët e fundit keni lëvruar edhe haikun. Nga u lind gjithë ky frymëzim, nga e merrni muzën e krijimit?

Muza e krijimit tim rrjedh nga folklori shumë i pasur shqiptar, aty gjen dhe frymëzohesh nga gjithçka. Sa poezi shkruani në ditë, javë, muaj …?Ngjan edhe të mos shkruaj një muaj e më shumë, por kur ulem të shkruaj, një përmbledhje gati prej 70 poezish e përfundoj brenda një jave; pastaj redaktimi zgjat më shumë ditë, e shkon deri dhjetë ditë e më shumë. Adem Zaplluzhës a i lexohen libra me poezi në shkolla apo institucione kulturore në Kosovë dhe a keni pasur ndihmë financiare nga shteti?Fatmirësisht kam mjaft lexues, sidomos në rrjetet sociale, në internet, po edhe një mori lexuesish që vijnë në shtëpi e m’i kërkojnë librat. Nëse Zoti i madh nuk ma merr shpirtin, edhe 18 që i kam të gatshëm do i botoj sivjet, e për diçka tjetër shohim e bëjmë. Po pata fuqi do e përfundoj edhe librin e posa nisur, që shifra shkon te 141.

 

Bisedoi: Gjon Neçaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s