Fabula nga Iliaz BOBAJ

Fabula nga Iliaz BOBAJ

 

 LARASKA DHE MËLLENJA

Laraska u ul pranë mëllenjës në një bli.

-Ç’ke? – i tha mëllenja,-

ke rënë në mendim.

-U ndava me të dashurin pakëz më parë,

ndaj jam e mërzitur,

dreqi ta marrë!

Pas pak u takuan pak më tej blirit,

laraska fluturonte prej gëzimit.

-Ç’e mirë ta solli humorin këtë herë?

-Jam shumë e gëzuar, motër mëllenjë,

zura dy të dashur të tjerë…

 

DOKTORATURA E KALIT

Stallë gomerësh,

të gjithë gomerë.

Një ditë u mbërriti kali në derë.

-Po ty, ç’e mirë të solli, or mik?-

e pyeti një kërriç.

-Dua të mësoj gomarishten,

ndaj erdha këtu tek stallët.

-Po ç’e do gomarishten,

atë nuk e dimë mirë as ne, gomarët.

-Më duhet,- i tha kali,-

do mbroj doktoraturën,

me librin që shkroi gomari.

 

MACET DHE I ZOTI

Dy mace që rrinin mbi një sofat,

grindeshin çdo ditë me sherr e shamatë.

Iu thirri i zoti:- Ju s’jeni në vete,

mjaft më me sherr, mace grindavece !

-Mos u mërzit,- i tha njëra prej tyre,-

ne sherrin e kemi prej natyre.

-Fisi ynë,- shtoi maçoku që prehej në kashtë,

ka një traditë që nga koha e lashtë:

pa ngrënë e pa pirë,

mund të durojë lehtësisht,

pa grindje,

nuk rron dot as një ditë.

 

GJELI, PULAT DHE ROSA

Një gjel hipi në një tog plehu,

aty pranë portës,

këndoi e thirri sa mundi:- Jam i pari i botës!

Kur flas, bota i kthen sytë nga unë.

Ca pula aty pranë u kënaqën shumë,

lëvdatat e lira ia derdhën lumë:

-O ti, që këndon aty pranë portës,

je ylli, je truri, je drita e botës!

-Sa e dëgjoj, bëhem e lumtur,

shtoi një zogëz e re, e bukur.

-Je maja e botës,- tha pula tjetër.

Gjeli u krekos pakëz më tepër.

-Ky vuan për mend,- tha me vete rosa,-

e lëvdojnë ca pula pa tru të qymezit të tij

dhe mendon se e çmon gjithë bota…

 

LARASKA DHE BUFËRIT E PYLLIT

Një laraskë që shkruante vargëzime për dashuri,

çdo poezi e shoqëronte me një foto,

ku vishte një fustan të ri.

Një ditë, pasi botoi një të tillë në facebook,

shkroi:-Si iu duket poezia, miqtë e mi?

I shkruan në çast të gjithë bufërit e pyllit:

-Fustani juaj është më i bukuri në botë,

ndërsa bukuria juaj, ah, bukuria,

krahasohet vetëm me atë të yllit.

Një bufi, që qe bejtexhiu i pyllit,

i shpërtheu nga shpirti kënaqësia:

-Ju jeni poetja më e madhe e botës!

Laraska,

ndenji një javë pa fjetur nga lumturia…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s