“Poema e eshtërnajës” ( botimi i pare ne USA, viti 2009, në italisht dhe anglisht, me titullin “Abysses-Voragini” (Intermezo e parë) / Shpend Sollaku Noé 

 “Poema e eshtërnajës” ( botimi i pare ne USA, viti 2009, në italisht dhe anglisht, me titullin “Abysses-Voragini”

Intermezo e parë

Çfarë ndien deti ventrilok në bunacë,
i dallgëve belbacake të pacipa, i varreve anonimë
të mbjella brigjeve, shënuar nga një vulë e thatë
e një date të vetme, atë të bastisjes,
të linçimit të shpresës; hunj të rëndomtë
pykëzuar rastësisht aty-këtu, sipas përtesës
së atij që, ndërsa gllabëron një hamburger,
kall nën rërë të refuzuarit prej ujërave të mugëta?
Çfarë ndien pak më poshtë ish-kërkushi
eshtërthyer prej të akulltit, të kobshmit përqafim të gropës:

Askush nuk është kthyer më të na e tregojë

nëse gjëma e të të jetuarit të boshit pas zhgjëndrrës,
i të të qenit i shformuar nën rulin e pamëshirë të Ngjarjes,
i të të lënit pas të të vetmes siguri: lotit,
është më çjerrëse se zbrazëtia që mbush trupin,
se ndjenjat që mërgojnë, se të fundmet, të zbehtat
reflekse të fanarëve që shuhen në hiç;

Askush më s’është bërë i gjallë t’i heqë velin

se çfarë ndien ai që shket ngadalë në squlljen
e nënujit, gjersa nemitet përgjithmonë zëri
i pakuptueshëm i valëve të mbetura në siprinë;
çfarë provon ai që shijon dhëmbin e peshkaqenit
ndërsa mishrat ende të ndjeshme ndaj sëmbimit
shndërrohen në kafshata të tmerrit;

Askush më nuk është paraqitur të na e përvijojë

se ajo lëngatë e fundit është më e gëlltitshme
se kafshimi i beftë i një mine nën këmbë
që ngre në fluturim bumerangë njerëzorë e ç’mbjell shpirtin
– dhe ai i gjuajtur prej plumbash lapurekë,
i përndjekur nga bomba skifterësh në fluturim të ligjëruar
prej kujt pretendon të kalërojë, të vërë në vijë, të përmirësojë
botën e tjetrit;

Askush s’është ridukur më në mbifaqje që të na e mërmërisë

nëse përmbytja e gojës prej ujnajës së njelmët
që rend e marrosur të mbushë mushkëritë;
nëse shpërthimi i gjakut prej flegrave, tensioni i lartë
që karbonizon të dendurin, të fundit mendim
është më shkatërrues nga plumbi zhuritës
që i bën vrimë kafkës në paganen colpo di grazia;
nëse çngjyrimi i shikimit në horizontin mjeran
të vorbullave grigjelbërta është më fashitës sesa doza
e të të autorizuarit, e të të ligjëruarit injektim vrastar;
nëse jastëku i rërërave të përgjumura të rriponjave
nënujëse është më mikpritës se çarçafët e ndotur
në mjegullat ndjellavdekje të dhomës me gaz;

Askush më nuk është përshenjur të na predikojë

nëse brenga e trupit nën gurët që shtazët mbi ty
ngrejnë lapidar
është më përçmuese e më dërmuese se mijërat tonelata
të ujit të shëllirtë mbi brinjët
e thërrmuara në miliona grimca prej kristali
që shqyejnë verbërinë e grronave;
nëse moria e yjeve që shpërthejnë prej syve të dalë
është më inkandeshente se sa shoku vertebral
i litarit të varjes,

askush më s’është ringjallur për të na e rrëfyer.

 

Shpend Sollaku Noé 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s