NJË GRUSHT DHE NGA FSHATI I BRAKTISUR (Tregim i jetuar) / Nga: Kostandin Vogli

NJË GRUSHT DHE NGA FSHATI I BRAKTISUR

Tregim i jetuar 

 

Nga: Kostandin Vogli

Fshati Piqeras është i vendosur në një pllajë që ngrihet nga ana e detit në një lartësi mbrojtëse nga pirateria, si vapor gjigant që zgjatet afërsisht një kilometer. Ngrihet pak në pjerrësi deri në qëndër ku janë të përqëndruara dyqanet e fshatit dhe kisha e Shën Thanasit. Deri aty është pothuajse gjysma e fshatit ku kalon dhe rruga nacionale për në Vlorë. Lagjia tjetër ngrihet deri lart, në rrëzë të shkurreve si bash vapori, ku më lartë ngrihet si mburojë mali i Lavanit. Kalldrëmi fillon nga kreu i fshatit dhe mbaron atje ku të duket sikur je në bord dhe uji esmerald përplaset në fundin e saj. Rreth e qark stolisur e veshur me ullinjë sumëshekullorë, agrume e fruta të shumëllojshme.

Nga të dyja anët e fshatit, zbret një pjerrësi që i jep atij një pamje madhështore. Pjerrësia i kullon ujërat e tepërta, por i rrit pemët të larta. Prandaj këtu ka patur gjithmonë një bukuri natyrore, që nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Nga ana lindore, në të gjithë gjatësinë shtrihet lugina e Bunecit me gjirin e saj të mahnitshëm.

Në lagjen e sipërme që zbret nga mali i Lavanit që quhet Maja e Hasit ndodhet një shtëpi, (tani e braktisur). Ështështëpi një katshe me një teritor të vogël, ku disa vjet më parë emërohej në listen e një fisi të madh. Ishte kur në atë kohë që banohej,se gëlonte jeta në fshat.

Një ditë të bukur të muajit gusht, në qëndër të fshatit ndaloi një veturë. Prej andej zbritën tri gra, ku ndërmjet tyre një e moshuar 90 vjeçare. Shoqërohej nga e bija e saj Tatiana që tani jeton familjarisht në Itali dhe kushërira e saj Antigoni me të birin Julianin shofer.Mbi sheshin e Shën Thanasit e shtroi shikimin fillimisht, por sytë nuk i kapën asgjë të gjallë, përveçse disa qenve që ishin shtrirë nën hijen e ullirit pranë kishës. Zemra i mori një hov nga gjaku që i shpërtheu nëpër damar. Qënkish shkretuar fshati. Dëgjoi vetëm një zhurmë pleqsh brënda një lokali të vogël, të cilët luanin letra, rrufisnin kafe dhe pinin ndonjë gotë raki. Përveç asaj pamje të plakur, nuk i zuri syri asnjë njeri. Hodhi sytë e përlotur për nga maja e Hasit dhe filloi të ecte e mbajtur për krahu nga të dy grate. Thatësia për njerëz e hutoi, por nuk tha asgjë. Deri diku e dinte gjëndjen, por jo deri kaq. Priste me pa durim të shikonte shtëoinë e saj të braktisur pas shumë vjetësh.

Kalldrëmin që gjarpëronte deri tek shtëpia e saj, e përshkoi pa i ndier dhimbjet e gjunjëve, me të cilat u habit si e mbajtën aq shumë. Sigurisht që nga të dy krahët mbahej nga e bija dhe kushërira. Shumë e kanë provuar një ndjesi të tillë, kur prêt me padurim të shikosh diçka që e dëshiron dhe nuk e ndien as lodhjen. Edhe Androniqi priste me padurim t’i shfaqej ajo shtëpia e saj, ku kishte lindur, ku kishte kaluar fëmijërinë dhe rininë adoleshente.

Dhe ja më në fund e përshkoi dhe atë kalldrëm pa takuar asnjë njeri dhe u prek. Si nuk u doli në rrugë asnjë plak të paktën sa të çmallej dhe të ndërronin dy fjalë. Këtë dëshirë u shprehu , por ja dhe shtëpia e lindjes, e cila ja ndërpreu të gjitha mendimet dhe dëshirat e çastit. Një brengë ndjeu, një shtërngim në grykë, sikur do të mbytej dhe pa e kuptuar lëshoi një varg lotësh. Nuk i lëshoi ajo. Lotët i erdhën vet. Ishin lotë malli, lotë nostalgjik, lotë që u derdhën për të njomur shkretëtirën që përvëlonte jo vetë oborrin e shtëpisë së saj, por të gjithë fshatin. Ja tedy dhomat ku u rritën. Edhe aneksi në krah të tyre që shërbente për të gatuar. Në një shtyllë të kalbur, i cili po u rezistonte kohërave, ishte i varur një muslluk i ndryshkur komplet, i cili akoma donte të tregonte se në të ishin larë të gjithë pjestarët prej nëndë personashtë asaj shtëpie. Ja edhe hajati i bagëtive i rrëzuar pjesërisht. Dera e hyrjes nuk ekzistonte më. Ja edhe kalivja e qenit grivo.

Lotët që nuk i përmbaheshin po ja thithte herë pas here e bija me shami. Kujtoi prindrit, vëllezrit, motrat. Për një moment ju fantazuan të gjallë, por në atë moshë kur ishin aty së bashku dhe u lëkund për t’u rrëzuar. Të dy gratë e kapën nga krahët dhe e ulën në një gur. Në gurin më të lartë që kishin në anë të oborrit.  Shikimin e lëshoi përmbi fshat e deri sa i hante syri në Llogara e deri në Qefal. Pa ujin zmerald që në atë moment po perkëdhelte brigjet dhe tha me një dridhje zëri në mallëngjim. “Zor se mund të gjesh të paktën në pellgun e Mesdheut fshat me një pamje më mahnitëse, pamje më piktoreske nuk më kanë zënë sytë as në Greqi, e cila ka me mijëra panorama të rralla. As në Itali ku kam shëtitur në vënde mjaftë të bukura. Po, si Piqerasi im, nuk ka!”

Androniqi megjithëse në një moshë të thyer prej nëntëdhjetë vitesh, ka një memorje të mahnitshme. Janë të rralla në atë moshë, ku kur bisedon me të, mendon se ke para një grua të re , por të ngritur. Duke qëndruar përmbi gur, të tre të tjerët e lanë të lundronte në kujtimet e saj, E mendoi se ishte e fundit herë që erdhi në fshat dhe në shtëpinë e saj. “Prandaj do të më falni pak momente, se do të kalojë në kujtimet e së kaluarës”, – u tha atyre që e shoqëronin. Ju parafytyrua fillimisht kur ishte fëmijë dhe luante me shoqet e lagjes së saj. Ju parafytyruan të dy prindrit dhe vëllezrit më të rritur, kur vinin ngarkuar me grurë, thjerrza, thekër e tërshërë nga arat e konjakut, apo me ullinjë dhe agrume. Dhe kur po rritej dhe ajo, pas tyre me ndonjë trastë dhe e pa veten e saj akoma më të rritur, së bashku me  motrën e saj më të rritur Vojsavën, ngarkuar me buciela me ujë, me dru apo ngarkesa tëtjera për çdo ditë. Përfytyroi atë këndin që përdornin për të larë rroba, më shumë me finjë për mungesën e sapunit ku herë- herë gjëndej me vështirësi, si krypa apo ndonjë ushqim tjetër.

Gjithmonë duke treguar me lotë në sy, bëri një pushim dhe pa pritur u çua. Hodhi sytë nëpër oborr, hoqi një gur nga kalldremi i zhgaravitur dhe prej andej gërmoi dy grushte baltë. Hapi qeskën, të cilën e kishte marrë për atë qëllim dhe mbasi e puthi atë baltë e hodhi brënda. Hodhi sytë nga e bija dhe e porositi që atë qeskë, me atë baltë, kur të vdes t`ja vendos në arkivol. Ishte e fundit që jetonte akoma nga ajo derë.

Dheu që nxorri nga oborri saj, i ngjau me një lloj mielli, i cili po të mbruhej i dilte buka më e ëmbel. Një bukë e shënjtëruar. Buka më e lakmuar. Bukë nga balta prindërore. Nga ajo tokë ku ishte rritur. Bukë e malluar që të jep forcë dhe shpresë. Baltë nga toka e lashtë. Ajo baltë e mbajtur në duar e tundonte dhe i therte shpirtin.

Një erë vëndlindje ndjeu e cila mbillte në shpirtin e saj trandafila, si ato që rriste vet anës oborrit. Me sytë e tretur në detin blu, me hapjen anash të zmeraldët, me një zë të zvargur, shurdhuar nga mergimi, u tha të pranishmëve. “Për vëndlindjen malli im është si të bëhem një me baltën. Përtej pamjes  së syve të mi vështroj thellë varreve të fisit e të vëndlindjes. Një ditë do të takoj shpirtrat e tyre”.

Po i vinte si një fishkëllimë nga errësira e së shkuarës, prodhimi nga kodrat e konjakut, apo nga baçet e ullinjve dhe agrumeve. Nga ajo errësirë nuk e humbi shikimin si nata, por po kthjellohej si në prag të agimit. Ajo tokë edhe e mbuluar nga bari i krisjes nga braktisja e saj, përsëri ka ushqyer zogjtë e shumëllojshëm dhe e mbushi shpirtin me shpresë. Ja një hardhucë  e verdhme po mbijeton dhe ajo së bashku me zoqtë e qiellit. Përsëri oborri i saj kishte ushqimpër gjallesat. Aty gjenin fara për ushqim dhe pinin vesën e mëngjesit.

Punove ti o baba. Punove si kau balash. Dhe tani në sofrën e braktisur, hardhucat dhe zogjtë e vëndit, mëllënjat, bishttundezat, gushkuqët, harabelat e të tjerë, me ato fara që ke lëshuar, të cilat mbijnë e lëshojnë fara përsëri, bëjnë dasma mbi këtë tokë të braktisur vite e shumë vite më parë.

Dheu i vëndlindjes. Baltë nga mitra e saj. Nga toka ku kam lindur unë e jam rritur e ku për herë të parë kemi qarë. Ai kënd toke, me ato rrënjë hardhie e ullinjë, ka kërkuar mëshirë për përkujdesje, duke kujtuar se mbi kurmin e saj ka ndier shkelje të renda, me djegje nga luftërat, rjepur nga cingërimat e tufanet dhe nga mungesa e njerëzve të saj, mall.

E la me mallëngjim shtëpinë e saj, të cilën mendoi se e pa për herë të fundit dhe zbritën në qëndër të fshatit. Qentë po flinin të pa shqetësuar nën hijen e ullirit, ndërsa nga klubi i vogël po vinin zhurma të shqetësuara. Me siguri ndonjëri prej tyre kishte bërë ndonjë hile në letra ose domino. I vetmi banor që u foli ishte prifti, i cili sa i pa, vrapoi në portë të kishës dhe u bëri ftesë të hynin brënda. E pranuan ftesën dhe hynë në sallën e ndriçuar me qirinjë, si ditë e Diel që ishte të ndiznin edhe ato disa qirinjë për shpirtrat e të vdekurve. Aty e parafytyroi si më parë sallën e  kishës plotë me njerëz dhe u shpreh me zë. “Ndofta ndonjë ditë do të rikthehen shumë prej tyre. Është për të ardhur keq që ky fshatPERLË të braktiset”. “AMIN” shprehu kënaqësinë prifti. Dhe si plakë e moshuar që është bëri kryqin para kishës, duke përsëritur disa herë me zë. “Kthei o Zot të gjallërohet përsëri fshati!”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s