Monument vargjesh për Çamërinë (Ese për librin- antologji “Çamëria-bisk i ëndrrës”) / Nga: Namik Selmani

Monument vargjesh për Çamërinë

(Ese për librin- antologji “Çamëria-bisk i ëndrrës”)

…Po sjell në qershorin e 2020-s një Antologji të re për Çamërinë. Shpresoj se titulli “Çamëria- bisk i ëndrrës” do të ishte më i miri.
Kujtesa shqiptare e 30 viteve të fundit ia ka vënë e ka emërtuar ndryshe qershorin edhe “Muaji i Çamërisë”. Në vitet 90 Kuvendi i Shqipërisë e ka zyrtarizuar 27 Qershorin si Dita e Masakrave mbi Popullsinë Çame.
Është antologjia ime e dytë kushtuar Çamërisë. Vjen pas 12 vitesh kur botova të parën antologji me poezi për Çamërinë të titulluar “Shpirti çam”.
Çdo libër të jep emocione që në ngjizjen e tij, që në shkrimin e tij e aq më shumë kur ai del nga botimi dhe vihet në duart e në sytë e lexuesve. Mbase ngjizet që kur ti e zgjat fytyrën dhe përqëndrohesh kur babai, nëna, gjyshi, fqinjët, miqtë apo dhe librat e paktë me këtë temë, të tregonin sa e sa histori, legjenda. Gojëdhëna, histori që vinin të shënuara në kalendarë zemrash pa e ditur ata dhe ti vetë se dikur do të të mbeten gjurmë letrare, eho zemre, pikëlim ëndrre, kujtesë këngësh, madhështi dhe valëzim vallesh që ti nuk i ke parë në ndonjë vend tjetër, në ndonjë krahinë tjetër.
Po me këtë libër kam emocione të shumta, të gjithanshme.
Së pari, në këtë rrugëtim të kësaj antologjie, doja që të kujtoja një vepër të rrallë, një enciklopedi të shpirtit çam si ajo që në vitin 2002 do të botohej në kujdesin e Ali Podrimjes
Vështirë që të shlyej emocionet kur preka me duar librin “Eni vjen prej Çamërie”. E poshtë këtij titulli ishte nëntitulli “Antologji për Çamërinë”. Punëshumi, fjalëmentari, Baca i Poezisë shqipe, tokëdashësi e gjumëtrazuari Ali Podrimja po i bënte sfidë viteve, shëndetit dhe, në një farë mënyre, të gjithë poetëve të kombit duke nisur nga vetë ata të Çamërisë.
Po sillte Antologjinë e parë për Çamërinë, në një kohë kur shqiptaro- kanadazi Robert Elsie po sillte para lexuesit shqiptar në shqip të parën Histori të Letërsisë Shqiptare që nuk e kishte bërë kaq gjithëpërfshirëse dhe kaq të plotë as Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
E të paktën për të, Ali Podrimja meritonte dhe do të meritojë në shekuj Mirënjohjen e Kombit e sidomos të Çamërisë. Vështirë që të përmbaja emocionet njerëzore letrare kur pata në dorë një këtë Antologji.
Më saktë, ishin dy antologji me ballina të ndryshme që mbanin të njëjtën titull të një portëhapësi si ai poet i mençur nga Kosova që ishte sa gjakovar, sa prishtinas, por po kaq edhe çam.
Njëra botohej në Prishtinë e tjetra botohej në Tiranë nga dy Shtëpi të ndryshme Botuese.
E pra, është vështirë që këtë përfundim ta jepja vetëm me qëmtimin e ngjarjeve të vendeve, të mistereve, të të vërtetave dhe të diplomacisë që e kanë shoqëruar botën që nga kohët e lashta deri në ditët tona.
Te tribunat e dritëzuara dhe te heshtja e atyre njerëzve që shihnin te to të ardhmen e tyre.

..Historia e kombeve të mëdhenj e të vegjël në numrin e tyre të sipërfaqes apo të popullsisë, ka brenda qëndresën, mbijetesën, kanë emocionin, sakrificën, ëndrrën e zhgënjimin që bashkë me analet e historisë shpesh ia kanë besuar edhe legjendës.

Është vështirë që në këtë përfundim të japësh qëmtimin e ngjarjeve vendeve, misterin e të vërtetës, jehonën e tribunave e prapaskenave, të ndash për ata që duhet të dinë pak më shumë, pjesën e elefantit e të milingonës.

Se asnjëherë ky qëmtim nuk lidhet me pjesën gjeografike, me malet e fushat, me ujëvarat e shkretëtirat, me stacionet e me humnerat. që ka një vend.
Jo. Jo. Ajo lidhet me shpirtin e njerëzve të atij kombi. Një shpirt i ngjizur në ato hapësira. Mes lulesh dhe blerimit, me stuhive të dëborës dhe flladit që lulëron lulet.

Mbase Çamërisë do i shkonte më saktë se të tjerat ky përfundim.
Po jo me një lloj fjongoje që lidh vetëm flokët e praruara të vajzave të kopshtit apo të vajzave të bukura gjimnaziste.
Që lidh pakot e dërguara në të tjera duar, në të tjera vende, në të tjera adresa shtetesh përtej oqeaneve.
Një lloj fjongoje që vihet në duar e përuruesve të një shkolle, të një rruge , të një hidrocentrali, të një fabrike a të një aeroporti ku do të ngjiten e do të zbresin shumë njerëz në shkallët e avionëve.
Jo, kjo është një fjongo vargjesh e ka mbështjellë bukur mirë shpirtin çam.
Herë me bolorimën e nënave kur vriteshin fëmijët. Herë ne rrëketë e djersës. Herë me shkronjat shqipe që në këtë krahinë mbase vriteshin më shumë se në çdo krahinë tjetër.
Herë me librat e munguar. Apo me pikturat e piktorëve të huaj me famë botërore që pikturonin krojet, ullinjtë njerëzit e kësaj krahine, kuajt e më tej me to do të mbushin atëherë dhe sot muzetë më të mëdhenj botërorë në Europë e në Amerikë.
Herë me qëndresën e një ëndrre të vrarë e të një kujtese të përgjakur.
Herë ose më saktë shumë herë me krenarinë e një historie të ndershme e të mbushur me bëma heroike e njerëzore.
Pa asnjë mëdyshje që është dhe poezi. Është poezi epike. Lirike. Është dramë, është elegji, është gojëdhënë. Është sylynjar kroi që nuk shterron as në verën më të nxehtë.
E Bardi i Kosovës që është dhe mbeti në të njëjtën kohë edhe Heroi I Çamërisë së bukur, do ta emërtonte librin e tij me një titull që e kishte marrë nga dialogu i mençurisë naimjane “Eni vjen prej Çamërie”
Ishte një antologji që do të vinin më vonë një gur themeli
Është dialogu tejet i mallshëm dhe i paharruar për një poet që simbolizon vendlindjen.
Dallandyshja ka qene e mbetet një lloj testi stinësh. Një lloj ure mes ngrohtësisë së një shpirti dhe ftohtësisë që mund të ketë ai.

Nuk mund të bënim kuvendimin më të ngrohtë mes poetit dhe vendlindjes sa vetë DALLANDYSHJA”
Edhe vetë Ali Podrimja po bënte me këtë libër një Dialog me Çamërinë me të kaluarën e saj dhe me të ardhmen.
Për t’u futur natyrshëm brenda shpirtit të kombit që dikur në mungesën e shtypshkronjave, do i lexonim në muret e shpellave.
E në këtë vend ai kishte thirrur shqipshkruesit e të gjithë brezave të të gjithë trevave.
Pa harruar se po bëhej një dialog me të ardhmen e saj.
Nuk ishte sokëllimë malesh, por një jehonë isopolifonie ku secili prej tyre ishte me tingullin e zërit të tij, me frymën e vet.
Më erdhi mirë shumë se në të edhe unë isha pjesë e kësaj antologjie. Një poezi e thjeshtë që titullohej “ Ç’të jem unë?”
Ishte mbase simbolika e asaj që i mungonte Çamërisë. Një mirënjohje për të do të më bënte që pas pak vitesh kur ai nuk jetonte më, të bëja një libër-borxh që e quajta “Borxhi i Ali Podrimjes”.
Në të vërtetë nuk ishte thjeshtë borxhi miqësor ndaj atij që ishte më çam se çamët, por edhe Kosovës që në ato vite ende nuk e gëzonte lirinë.
Ishte dhe dashuria e borxhi shpirtëror ndaj Kosovës që e kemi të pashlyer edhe në vitet e saj të paqes.
E duket se te vargu i tij monumental “Unë, biri yt, Kosovë!” sikur piskonte po kaq klithshëm edhe për Çamërinë.
Një parathënie e shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare sikur ia bënte më të bukur kurorën e fjalëve të zgjedhura nga poeti.
Ja si shkruante në këtë parathënie Kadareja: “Njerëzit janë mësuar prej shekujsh me hartat dhe leximin e tyre, sado të larmishme të jenë ato. Harta shtetesh dhe popujsh, harta historike, klimatike, detare apo tokësore, ngulitën qysh në bankat e shkollës në kujtesën e nxënësve, me emrat dhe ngjyrat e tyre dalluese. Më pas, me shtimin e dijenive, njerëzit mësojnë se ka harta të vjetra dhe të reja, në të cilat disa nga emërtimet mungojnë ose janë zëvendësuar me të tjera. Kjo është e njohur dhe e shpjegueshme, si pasojë e zhvillimeve të historisë, kryesisht, të luftërave dhe shpërnguljeve. Kur viset e populluara zbrazen nga gjindja e vet njerëzore, letërsia dhe arti janë të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit, të heshtë diplomacia, po arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, të logu i vjetër.”

Po merrnim një libër madhor nga bletari i fjalës së trojeve shqiptarë, por këtë radhë për një shpirt e histori të Çamërisë. Një histori që ndryshonte nga krahinat e tjera të shqiptarisë, po kishte po kaq shumë pika takimi sikur të ishte rritur në të njëjtën qiell, në të njëjtën botë
E duke qenë dhe pjesë modeste edhe unë më një poezi në këtë antologji atëherë, por edhe tani më shkoi në mendje të zhbiroja me tryelën një zdruktari, por me këndvështrimi e një fjakëshkruesi apo të një mësimdhënësi të fjalës shqipe një jetë të tërë, te historia e kombeve të mëdhenj. Jo te ajo histori që ka brenda vetëm drithërima betejash, përcjellje të vatrësh, gëzime fitimtarësh, por edhe të ëndrrave të tyre që shpesh ngjajnë me gjerdanët e luleve të një livadhi që kurrë nuk i vyshk lulet për ta mos vyshkur edhe ëndrrat.

…Vargu për Çamërinë të bën Ushtar të përjetshëm të Paqes.
Se luftrat, sado të gjata që të jenë në kohë e sado sipërfaqe të madhe apo të vogël të përfshijnë në gjeografinë e vendeve në secilin pjesë të globit, një ditë do i pushojnë thirrjet, klithmat, gjëmimet e topave e të avionëve, vringëllimat e shpatave, kërcëllima e qerreve, plagët e hapura e gëzimin e fitoreve, pamjen e këpucëve të baltosura të ushtarëve, një ditë do të vijë edhe PAQJA.
Ndaj llogorja e Ushtarit të Paqes duhe ta sillte shpirtin e paqtë të kësaj krahine/
Paqja është më e gjatë në kohë dhe ka brenda saj anonimatin e nikoqiratës së gjellevë të mbjelljes së brazdave, të qëndismave e të thurjes së qilimëve, të përkëdheljes së barit të varreve e të këngëve për punën për librat, për dashurinë..

Një Antologji me poezi besoj se është një gjë e zakonshme në universin e mijëra librave që botohen sot në trojet tona amtare në Ballkan, në Europë e në Amerikë. Ka Antologji poetike për nënat, për dashurinë, për lirinë, për Atdheun, për paqen, për ulet, për fëmijët, për dëshmorët.
Po antolgjitë për Çamërinë janë vepra që kthehen në një lloj borxhi të ri ndaj shkronjës shqipe.
Të bën Urë vitesh, kohërash, të bën breg ku nisen gjemitë e Shpresës se në ditët që do të vijnë gjërat do të ndryshojnë. Të bën çerdhe për dallandyshet e zgalemët krahëfortë në dete.
Paçim sa më pak borxhe për Çamërinë.
Janë pengje shkronjorë që shumë herë marrin forcën emocionale të një betimi të pashkruar, të një bekimi që ta jep e vërteta dhe shpirtit që ajo ka në ylberet e saj. nuk e ke dëgjuar nga të parët e tu të afërt apo të largëta
Të një amaneti që ti, mbase nuk e ke lexuar në ndonjë dokument noterial, po që e ke brenda vetes. Të një porosie që ti e ërcjell tek ata që lindin.

E Çamëria i ka brenda poezive që thuren për të, të gjitha ngjyrat. Ka pranverën që shpërthen si në asnjë vend me lulëzimin e portokalleve e të bimëve, të luleve nga më aromatike.
Ka ngjyrat e vjeshtës që të dhuron begatinë e ullinjve e të deh me tingujt e dasmave.
Po ka dhe pamjen e trishtuar të degëve të pavjela. Ka pamjen e gërmadhave me dyer të kalbur nga koha e nga duart e munguara.
Ka farëza borziloku që sot rrinë bukurisht në duart e nipërve e të mbesave në të gjthë botën të marra dikur nga gjyshet e mira në bohçatë e rrugës së gjatë.
E është më bukur se e bukura.
Mbase duhet kujtuar sot edhe mençuria e Nolit
Në do besë e burrëri
Shko e ndal në Çamëri.
Të vazhdojë sa më modestisht një hap më tej dialogun naimjan. Me atë që bëjmë sot e nesër, të bëhemi pjesë e enciklopedisë së madhe shpirtërore me sa e sa dëshira, ëndrra. Poezia antologjike duhet që t’i ketë të tëra këto portëza zemrash dhe kujtese vitesh.

 

Namik Selmani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s