Shënime për poezinë e Flutura Açkës / Nga: Erla Velaj

Shënime për poezinë e Flutura Açkës

Kur mora në duar vëllimin poetik të poetes Flutura Açka “Roja i Dritës”, ku shkronjat e titullit gdhendeshin ne ngjyrë të bardhë, në sfondin e zi të natës së kopertinës, duke u shtrirë në një hapësirë yjesh, për t’i dhënë një ndjesi magjie, një gjëndje panjohësie, enigmatike dhe natyrisht njëfarë fshehtësie hyjnore, që i kushtohet birit të dashur.

Bardh

Të bardha dyert,
të bardhë muret muret,
të bardhë shtretët,
të bardha hijet,
të bardha barnat.
…dhe ëndrrat.

E bardha e pangjyrë,
tani më ngjan mënxyrë.

Amsterdam, 15 Janar 2018.

E pak më poshtë në këtë vals yjesh melankolik të ballinës së këtij vëllimi, vetmuar duke ecur shquhet figura e nje djali që përndiqet pas nga drita e shenjtë e së përtejmes.
Përngjan me ilustrimet e ëndërrta të fëmijërisë sonë, që edhe pse në gjendje të palëvizshme, imagjinata i kapërcente vrullshëm kufijtë e reales, dhe i gjallonte butësisht figurat, personazhet dhe me një kërcitje të gishtërinjve ngurtësoheshin, e gjithçka kthehej prej fillimit.
Për një kohë të gjatë, dëgjoja shpesh që thuhej libra të mirë, shkrimtarë të mëdhenj, kopertina të dobëta, thënë nga letrarë, apo rëndom nga dikush që i kishte rënë rasti të përfshihej në këtë bisedë. Ky vëllim poetik i ka të dyja, edhe siperfaqen e kopetinës edhe brendinë. Personalisht, më krijoi një ndjesi të mrekullueshme empatie, duke e nisur me një frymë leximin.
Fillimisht, nis me një paragraf të dendur e të denjë falenderues nga autorja, e më pas është i ndarë në kapituj, me tituj përmbledhës në latinisht, që ndajnë kujdesshëm, botëkuptimin e përgjithshëm kronologjik të viteve dhe vendodhjes si: Initium- Terminus-Estensio – Spiritus Ventus: Fillim, Mbarim, Vazhdim, Shpirt i erës, i ajërt, duke shprehur fisshëm dhimbjen unike të nënës, humbjen, mospranimin, mos’harrimin dhe udhëtimin simbolik në amshim.

Më zhbëri dhimbja,
tani jam gur.
dhe bëj çfarë bën guri.
Duron.

7 maj 2018

Në poezitë e saj, ndjehet një kombinim fjalësh, imazhesh, trajtash, tingujsh, në të cilat kushdo prek, apo përfytyron një imazh të gjendjes në të cilën ndodhet, duke e shndërruar në zërin e brendshëm që fle tek çdo lexues, që lexon vargje të ndjera, pozitiviste, shpresëdhënëse edhe pse dhimbja është përherë aty.

Një qenie e vërtetë,
mbjell dashuri të vërtetë,
çdo kohe.

Liria, kjo halë e mbetur në fyt,
e keqkuptuar,
të mbyt.

8 mars 2018.

Autorja kryen misionin e saj për të tentuar në pasqyrime e përjetime depërtuese, të reja, duke ndërtuar aq natyrshëm neologjizma dhe metafora të spikatura, që ndjellin një botë sa fataliste, aq edhe fantaziste, të kulluar, me perspektiva të reja poetike, për të hyrë në misterin universal, duke thyer kufijtë e kohës dhe hapësirës, me një rimë tejet elegante dhe një shqipe të pasur si nga ana stilistikore, ashtu edhe sintaksore, që na sjell figurshëm, më pranë ekzistenciales, thelbit të shpirtit, vërtetësisë dhe luftës së më të ashpër kundrejt fatit njerëzor.

Gjysmëfjetur

Të këqyr,
ti krijesë e bukur gjysmëfjetur,
kërcënuar nga copëjeta.
E përkryer je,
e trëndafilta e buzëve,
spikam e syve,
hiri i shenjave,
burrësimi i akut,
e xhelozon dhe bukurinë.

Vetëm unë trembem,
kjo botë është më e thjeshtë,
se jotja, e përkryera ekzistencë!

Sa t’du!
Portreti më i bukur që dizenjoi natyra,
shpirti më i ngjyrtë se bryma,
ecja më e bukur që ndërtoi hapi,
retina më e qashtër që ndërtoi loti,
Materien time e ke hijeshu.

Si ta dizenjoj?
Asnjë atlas nuk e nxe,
s’ka hartë kund,
për këtë dashni, që prindin mund!

 

Nga: Erla Velaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s