Poezi nga Alma Jaku

Poezi nga Alma Jaku
 
 
Ti ke frikë nga dashuria
 
Ti ke frikë nga dashuria,
anës e anës sillesh si hije.
Për fat, tek unë rastësia
s’të solli që në lak të biesh.
 
Mos qesh dhe mos më thuaj “jo”,
në moshën tënde burrat lajthitin.
E di: ti trupin tim e do,
por unë jam djall e të marr shpirtin.
 
 
 
Je oaz mes shkretëtirës
 
Kërkoj sy për të parë qartë,
të mos më dukesh si kerubin,
paksa dritë nëpër natë,
të rishfaq mirazhin tim.
 
Ti je oazë mes shkretëtirës,
ujqër, dhelpra tek ti pinë,
E marra unë, buzëtharë mes tyre,
do më shqyejnë, do më përpijnë!
 
 
 
Dyzim
 
Ti vetes kurrë nuk ia pranon
se ikja ime të bën të marrë,
me gjysmë zëri veten ngushëllon:
“Një gacë do mbetet nga ky zjarr.”
 
Dhe ikën edhe ti si unë,
me emrin tim, që të sillet mendjes.
Kudo lë germa, a ndonjë gjurmë
për të rigjetur udhën e ëndrrës.
 
Natës pa fund bëj llogari:
“Një burrë si ti s’i duhet dreqit!”
Pastaj harroj dhe, për çudi,
emrin ta shkruaj në mes territ.
 
 
 
Mjafton të të kem mik
 
E di që më dëgjon,
me heshtje gjuan, vret,
të mbulojnë dyshimet,
nuk ndihesh tamam mbret.
 
Ka raste që s’duhen fjalë,
nuk duhen përqafime,
mjaftohem të të kem mik,
që dëgjon mendjen time.
 
 
 
Dilemë
 
Tri bukë ndër duar!
Një e ëmbël,
për t’u shijuar;
një me kripë,
për të jetuar;
një misri,
që thyen çdo dhëmb.
 
Dreqi apo Zoti
marrëzisë sime
po i jep mend?

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s