Poezi nga Fejzi Murati

Poezi nga Fejzi Murati

 

KITARA E SHPIRTIT

Këtë mbrëmje buzëdeti
ku simfonia e tij madhështore s’njeh kufij,
në muzgun e purpurt shpërthyen disa tinguj kitare
dhe telat e shpirtit m’i drodhën në gji…

kur meditoja me vetminë time në vetmi.

Kishte një përputhje të çuditshme
mes tingujve të valëve dhe fantastikes kitarë,
që përplaseshin brigjeve të trishtimit tim
dhe treteshin e humbnin nën dallgë…

kur me vetveten ndjehesha i vetëm, shpirtvrarë.

Në mesnatë,
Hëna terhoqi dallgët nga bregu si me drojtje
përmes një zbatice magjike, ledhatare,
nata fjeti,
bregu ra në qetësi,
pushuan dhe telat drithëruese të kitares…

me vegimet e mia luante tymi i kaltër i cigares.

 

FRIKË

Vërtitem rreth teje gjithë ngazëllim,
si një flutur rreth flakës së bardhë të qiririt,
sytë e tu kanë aq dritë, aq magji,
sa më kanë pushtuar gjithë skutat e shpirtit…
Por nga ajo flakë,
nga ajo dritë,
kam frikë se mos digjem trup e shpirt.

 

MBRËMJE NË BREGDET

Dielli po zhytet dalngadalë, me përtesë
dhe ndez horizontit një vijë të gjatë zjarri…
Pulbardhat,
nxitojnë të largohen prej muzgut
duke shkruar poezitë e fundit mbi telajon detare.

E teksa mbrëmja ndehet e purpurt mbi qilimin ranor të bregut,
valët luajnë me rërën duke pëshpëritur mijëra fjalë…
Përqafohen,
përkëdhelen,
puthen,
herë ikin tutje gjithë naze
dhe herë afrohen ngadalë-ngadalë.

Më pas ndizen qirinjtë e pafund qiellor
që flakët përkulen t‘i lajnë në det.
Fashiten zhurmat,
përndizet flladi i natës
dhe bregu nis të përgjumet si i përkundur në djep.

 

DHE VJEN NJË DITË…

Nuk e di si vajti filli ynë
si s’arritëm që të mbijetojmë,
nuk e di si djalli na thau shpirtrat,
pse urrejmë e më nuk dashurojmë?

Ngrica e arktikut
është ku e ku më e mirë
se sa mardhëniet tona,
borë e acar!
Gjysma e globit e ngrirë nga unë,
gjysma tjetër,
nga ti ngricë ka marrë!

Edhe po të duam
tani s’e shkrijmë dot,
sikur erërat e ekuatorit të marrim hua…
Unë të gjithë fajet t’i hedh ty
ti të gjitha fajet m’i hedh mua!

Është e trishtueshme,
vërtet e trishtueshme
që hodhëm në erë kaq vite dashuri!
Po…ja ardhka një ditë
e zymtë,
gjithë plagë
që pjell vetëm dhimbje dhe vetmi!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s